Kulturë

Ministria harron 5 milionë eurot e emergjencës, zhgënjehen artistët

Janë bërë më shumë se dy muaj prej kur Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar se do të themelonte një grup punues për ndërtimin e planit emergjent për kulturë, rini dhe sport. Ky grup do të përcaktonte masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja për ballafaqim me vështirësitë e krijuara nga pandemia globale. Krejt kjo ka mbetur në nivel të komunikatës së 27 marsit. E, të hënën MKRS-ja ka dalë me tjetër version. Nuk i përmend fare 5 milionët e Pakos emergjente.

“Pra, me caktimin e grantit prej 5 milionë eurosh dedikuar për MKRS-në, ministrja Dumoshi menjëherë ka ndërmarrë veprimet e duhura për themelimin e grupit punues për të ndihmuar sektorët e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë”, shkruhej në komunikatë. Gati tre muaj pas kësaj, ka zero buxhet për të ndihmuar organizatat kulturore për përballimin e pandemisë. Madje në MKRS as nuk duan të flasin për një fond emergjent për artistët. Çështja e milionëve është harruar.