Prishtinë, 12 shkurt – Ministria e Kulturës ka heshtur përballë ndërtimeve afër Kullës së Sylejman Vokshit e Mejtepit Ryzhdije në Gjakovë. Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash as ndaj manipulimeve me dokumente që ka bërë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për t’i hapur rrugë objektit banesor në shtatë kate rreth 10 metra larg Mejtepit e nja 30 prej Kullës.
Janë bërë dy javë qëkur gazeta ka raportuar se si ka nisur të ndërtohet një objekt i projektuar, që pos bodrumit dhe përdheses, të ketë edhe shtatë kate të tjera. Pas publikimit të dy raporteve të ndryshme me numër të njëjtë protokolli – që del të jenë manipuluar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve – Ministria e Kulturës thotë të ketë pranuar një sqarim nga IKMM-ja.
Përderisa arkitekti Avni Manaj fillimisht i kishte thënë se ndërrimi i një anëtari të Komisionit në raportin që u bë baza e lejimit të ndërtimeve ishte gabim teknik, pas pak minutave ai kishte thënë se njëri anëtar kishte probleme shëndetësore. Krejt këtë me probleme shëndetësore e kishte arsyetuar edhe drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu. Por MKRS-së i kanë thënë se bëhet fjalë vetëm për një gabim teknik. Në bazë të një sqarimi që IKMM-ja ia ka bërë MKRS-së, të cilin e ka parë gazeta, del të jetë thjesht një gabim teknik ajo për të cilën është raportuar se është manipulim.
Pavarësisht krejt kësaj situate, MKRS-ja nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)