Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ministri i Kulturës fajëson buxhetin për mosrealizimin e projekteve

Prishtinë, 6 nëntor – Mosrealizimin e projekteve të parapara për këtë vit, Ministria e Kulturës e ka arsyetuar me mungesë të buxhetit. Këtë e ka thënë vetë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit parlamentar për arsim, kulturë, rini, sport, inovacion dhe ndërmarrësi.

Por është kabineti i Gashit ai që i ka propozuar për votim Kuvendit të Kosovës të gjitha projektet dhe buxhetin e paraparë për to sa i përket këtij viti. Ministri Gashi ka marrë detyrën në shtator të vitit 2017, ndërsa Ligji për buxhetin e këtij viti është miratuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar. MKRS-ja për këtë vit ka buxhet prej 36 milionë e 523 mijë eurosh, përderisa për vitin 2019 do të ketë 41 milionë e 383 mijë euro.

Ministri Gashi, të enjten, para Komisionit parlamentar është ankuar për bllokimin e llogarive rrjedhëse të institucioneve të kulturës. Pas publikimit të Raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm, llogaritë e institucioneve qendrore të kulturës janë bllokuar në qershor. Sipas auditorëve, ato ishin në bankat komerciale dhe të paautorizuara nga Thesari i shtetit. Tek në shtator MKRS-ja ka nisur të paguajë borxhet e institucioneve të cilat ishin buzë bllokimit/Sh. Maxharraj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).