Kulturë

Minibibliotekat e shkatërruara do të funksionalizohen me siguri shtesë

Thyerja e xhamave, hedhja e mbeturinave dhe vjedhja e librave, janë disa nga incidentet që kanë pësuar minibibliotekat. Organizata “ETEA”, e cila është implementuese e këtij projekti, synon rritjen e sigurisë, ngjyrosjen me grafitë dhe rimbushjen e minibibliotekave me libra

Në fund të vitit të kaluar, në Prishtinë ishte përmbyllur një projekt kulturor goxha ambicioz. Në pjesë të ndryshme të kryeqytetit ishin vendosur 12 minibiblioteka. Organizata “ETEA”, që qëndronte prapa projektit, kishte shpalosur idenë që projektin ta shtrinte edhe në qytet të tjera. Por, që nga fillimi, ata do të përballeshin me probleme. Thyerja e xhamave, hedhja me vezë dhe vjedhja e librave, ishin disa prej tyre. Ani pse organizata në fillim kishte ndërhyrë shpejt për ta përmirësuar gjendjen, gjysma e këtij viti e gjen kryeqytetin me vetëm tri minibiblioteka funksionale. “ETEA” është ende kokëfortë në projektin e saj. Do t’i rimbushë përsëri minibibliotekat me libra, do t’i ngjyrosë me grafitë të ndryshëm, e për sigurinë e tyre është në negociata me institucionet.

Synim i organizatës është që përmes minibibliotekave të ndikojë në rritjen e kulturës së leximit në vend. Qytetarët mund t’i marrin librat dhe t’i lexojnë, në shkëmbim që të lënë një tjetër në vend të atij që marrin. Ose mund të marrin një jastëk që gjendet brenda minibibliotekës dhe të lexojnë në ambient të hapur.