Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Millosh Miniq – intelektuali i Serbisë që e përkrahte edhe UÇK-në

Juristi Millosh Miniq (1914-2003) do të shërbente si ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Në vitet e rinisë s’e duronte dot okupimin e popullit të tij, e më vonë nuk e deshi as për Kosovën e viteve ’90. Bile e kundërshtoi ashpër atë. Shkoi deri në pikën sa që i dha të drejtë UÇK-së në kohën kur Sllobodan Millosheviqi ishte lider i pakontestueshme në Serbi. Ai është protagonisti i radhës i projektit “Sërbia tjetër”

Si i ri kishte ngritur zërin kundër pushtimit fashist e nazist. Bile do të bëhej pjesë e aradheve partizane në luftën për çlirimin e vendit. Pas Luftës së Dytë Botërore një prej pozitave të para publike do ta merrte atë të prokurorit. Millosh Miniq (1914-2003) ishte prokuror në rastin e gjykimit të çetnikut Dragolub Mihailoviq, i njohur si “Drazha”. Krimineli Mihailoviq do të dënohej me vdekje. U pushkatua me 17 korrik 1946 në Beograd. Më pas juristi Miniq do të shërbente edhe si ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Në vitet e rinisë s’e duronte dot okupimin e popullit të tij, e më vonë nuk e deshi as për Kosovën e viteve ’90. Bile e kundërshtoi ashpër atë. Shkoi deri në pikën sa që i dha të drejtë UÇK-së në kohën kur Sllobodan Millosheviqi ishte lider i pakontestueshëm në Serbi.

Qëndrimet e Millosh Miniqit në raport me Kosovën tashmë janë të përmbledhura edhe në gjuhën shqipe.

“Sërbia Tjetër 2 - Miloš Minić” botuar nga organizata “Admovere” është promovuar mbrëmjen e së mërkurës. Është vepra e dytë në kuadër të projektit të organizatës. E para qe “Sërbia tjetër: Bogdan Bogdanović”.

Udhëheqësi i organizatës “Admovere”, Shkëlzen Gashi, ka thënë se “Sërbia tjetër” është një projekt që fillon me idenë që të nxirret në pah gjithçka që kanë bërë disa intelektualë serbë prej 23 marsit 1989 kur është suprimuar autonomia e Kosovës nga Serbia e deri më 10 qershor kur trupat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë. Ka listuar rreth 100 intelektualë të cilit kishin reaguar në raport me atë që bënte shteti serb në Kosovë. Por do të botohen përmbledhje për 10 prej tyre. Deri te përmbledhja për Millosh Miniqin kishte ardhur gjatë diskutimeve me profesorin e ndjerë Zejnullah Gruda, i cili gjatë karrierës së tij midis të tjerash ishte ambasador i Jugosllavisë së Panama. Millosh Miniqin e kishte epror. Gashit librin me qëndrimet e Miniqit do t’ia jepte Gruda e përkthimin në shqip e ka bërë Anton Berishaj.

“Millosh Miniqi thotë se Kosova është e okupuar dhe duhet ta fitojë statusin e Republikës”, ka thënë Gashi. Ka treguar se i kanë bërë përshtypje letrat që ia kishte dërguar Miniqi, Millosheviqit.

“Ia dërgon një letër më 1998 dhe ia tërheq vërejtjen dhe i thotë se duhet hequr dorë nga kjo politikë, duhet diskutuar me shqiptarët dhe duhet gjetur një zgjidhje dhe propozon statusin e Republikës për Kosovën në kuadër të Federatës së Jugosllavisë”, ka thënë Gashi në promovimin e moderuar nga Rron Gjinovci. Ka thënë se menjëherë pas çlirimit të Kosovës, Miniq prapë i kishte dërguar letër Millosheviqit, duke i drejtuar shumë pyetje, midis tyre edhe atë se “kush ka dhënë urdhrat që Kosova të spastrohet etnikisht nga shqiptarët duke kryer dëbime dhe ekzekutime masive e të tmerrshme për shqiptarët e Kosovës”.

Image
Detaje për profilin e Millosh Miniqit, të mërkurën mbrëma, kanë dhënë autori i projektit, Shkelzen Gashi dhe shkrimtari, publicisti e politikani Veton Surroi në promovimin e drejtor nga Rron Gjinovci

Gashi ka thënë se e ka nisur këtë projekt me idenë të shqiptarët e Kosovës duhet të njohin edhe atë Serbinë tjetër, Serbinë e intelektualëve që kundërshtonin qasjen e Millosheviqit.

Në këtë promovim, shkrimtari publicisti e politikani Veton Surroi ka thënë se kjo iniciativë është shumë e mirë dhe është për obligim të kujtohen e nderohen njerëzit të cilët në kohë të vështira e kanë ngritur zërin kundër fashizmit në Serbi.

“Millosh Minqi është një personazh i jashtëzakonshëm dhe nuk është njeri me të cilin jam takuar. Ka qenë njeri i cili nuk ka dalë në këto mbledhjet e ndryshme të organizatave të shoqërisë civile. Ka shkruar dhe ka qenë i tërhequr. Ka qenë një institucion në vete në Serbi”, ka thënë ai. Ka përmendur faktin se Miniq qe prokuror në gjykimin e Dragolub Mihailoviq, “Drazhës”. Për këtë Miniq edhe nuk gëzon reputacion te grupet radikale serbe.

“Ajo pjesa e thellë fashiste në Serbi nuk ia ka harruar edhe sot e kësaj dite këtë”, ka thënë Surroi. Sipas tij, zëri i Miniqit në Serbi ka pasur këtë jehone. Për këtë ka përmendur Miniqin edhe si një prej partizanëve të parë të lëvizjes antifashiste serbe.

“Në një moment ai thotë kjo që po ndodh me UÇK-në, këtë e kam bërë unë kur kam qenë djalë i ri. Të njëjtën gjë është duke e bërë UÇK-ja pasi është duke e luftuar një okupator”, ka thënë Surroi duke e parafrazuar Miniqin.

I pyetur për rrezikun që u kanosej figurave të tilla gjatë kohës së Millosheviqit, Surroi ka thënë se Millosheviqi e ka pasur një formë të veprimit me të cilën ka kërkuar që të kontrollojë mediat elektronike. Ka thënë se për të ka qenë me rendësi televizioni e radioja.

“Ka lejuar një depërtim të vogël të radios B92. Me të drejtë ka llogaritur që Miniq dhe disa të tjerë do të jenë gjithmonë kundërshtar të tij, por nuk do të lexohen shumë. Gjithçka do të dëgjohet në televizion dhe rrenat e zakonshme me të cilat ishin mësuar njerëzit do të përsëriten në televizion”, ka thënë Surroi. Por sipas tij, prapë rreziku ka qenë permanent. Ka përmendur vrasjen e Ivan Stabolliqit në kohën e Millosheviqit. Staboliqi ishte edhe president i Serbisë dhe llogaritet mentor i ngritjes së Millosheviqit në pushtet.

Surroi së bashku me Gashin disa herë kanë thënë se njohja midis serbëve dhe shqiptarëve duhet të jetë më e thellë. Në këtë promovim ishte paraparë që të jetë e pranishme edhe aktivistja Natasha Kandiq, e cila udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare në Serbi, por ajo mungoi.

Paraprakisht në tetor të kuadër të projektit të “Admovere” qe promovuar libri që ka në fokus arkitektin dhe intelektualin Bogdan Bogdanoviq. Intervistat e tij që përfshijnë harkun kohor prej mbi tri dekadash përthekojnë qasjen vizionare të Bogdanoviqit. Parashikimet e tij ishin përtej rrethanave. Intervistat e tij të botuara në libër dëshmojnë se, ndër të tjera, ai kishte parashikuar luftën në Kosovë, fatin e Millosheviqit dhe pavarësinë e Kosovës. Bogdanoviq ishte hezitues kur i kërkohej të jepte mendimet për të ardhmen. Me pikëpamjet e tij ndaj së ardhmes godiste gjithmonë në shenjë. Për qëndrimet e tij të shprehura publikisht në intervista dhe aktivitetet që organizonte, Bogdanoviqit kërcënimet i ishin bërë përditshmëri. Pavarësisht sulmeve si “tradhtar”, ai nuk u dorëzua në atë që e mbronte si realitet, por e kundërshtonte si veprim: shkeljen brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90.

Artikuj të ngjashëm