“Fashizmi që po kryhet në Kosovë është diçka që ne serbët, fëmijët dhe nipat tanë, do ta mbajmë në ndërgjegje”, ka qenë një prej deklaratave të arkitektit e intelektualit serb, Bogdan Bogdanoviq, zë i ndërgjegjes e së vërtetës, tradhtar e joserb për nacionalistët. Një përmbledhje e intervistave të tij, vjen në librin “Sërbia tjetër: Bogdan Bogdanović”, i përuruar të premten në “Mirëdita, Dobar Dan!”, si i pari vëllim nga projekti që përmbledh qëndrimet e intelektualëve serbë që i kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe
Ndonëse në Prishtinë hapja e “Mirëdita, Dobar dan!” u bë krejtësisht ndryshe nga ajo në Serbi, aktivitetet vazhdojnë t’i përmbahen qëllimit për rinjohjen mes Kosovës e Serbisë. Si një rinjohje që mund të lexohet në faqe libri, mund të konsiderohet libri “Sërbia tjetër: Bogdan Bogdanović”, i publikuar nga organizata “Admovere”. Është vetëm vëllimi i parë nga seria prej dhjetë sosh që synojnë të përmbledhin pikëpamjet e intelektualëve serbë që kishin kundërshtuar represionin shtetëror serb ndaj shqiptarëve gjatë viteve ‘90. Në fokus të librit të parë është arkitekti dhe intelektuali Bogdan Bogdanoviq. Intervistat e tij që përfshijnë harkun kohor prej mbi tri dekadash përthekojnë qasjen vizionare të Bogdanoviqit. Parashikimet e tij ishin përtej rrethanave. Intervistat e tij të botuara në librin që u promovua të premten në kuadër të edicionit të tetë të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” dëshmojnë se, ndër të tjera, ai kishte parashikuar luftën në Kosovë, bombardimet e NATO-s në Serbi, fatin e Milosheviqit dhe pavarësinë e Kosovës. Bogdanoviq ishte hezitues kur i kërkohej të jepte mendimet për të ardhmen. Me pikëpamjet e tij ndaj së ardhmes godiste gjithmonë në shenjë. Për qëndrimet e tij të shprehura publikisht në intervista dhe aktivitetet që organizonte, Bogdanoviqit kërcënimet i ishin bërë përditshmëri. Pavarësisht sulmeve si “tradhtar”, ai nuk u dorëzua në atë që e mbronte si realitet, por e kundërshtonte si veprim: shkeljen brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90.
Mirënjohje për intelektualin e zëshëm kundër okupimit të Kosovës
Projekti “Sërbia tjetër” i përmbledh për lexuesin qëndrimet e intelektualëve serbë që i kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1988 e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999, e madje edhe më tutje.
Shkëlzen Gashi, drejtor i “Admovere”, ka thënë se ky libër është ndër më të jashtëzakonshmit në të cilin ka punuar, por që e ka përfshirë goxha edhe emocionalisht.
“Aq shumë jam përfshirë emocionalisht në këtë libër saqë nuk di qe kam qarë ndonjëherë më shumë në jetën time. Më ka lënë përshtypje aftësia e tij e jashtëzakonshme që t’i parashikojë gjërat”, ka treguar Gashi, duke e nënvizuar parashikimet e arkitektit e intelektualit me nam qysh në vitet ‘90 se Kosova do të jetë shtet i pavarur. Një parashikim tjetër ka qenë bombardimi i Beogradit. Para kësaj ai kishte parashikuar edhe luftën në Kosovë. Në një intervistë për “Kohën Ditore” në vitin 1997, e përfshirë në libër, Bogdanoviq shprehej hezitues të jepte pikëpamjet si i mendonte. “Kam filluar të hezitoj në parashikime e të them ndonjë gjë, nga frika se mos përmbushen”, kishte thënë ai në atë intervistë. Dy vjet para se lufta të ndodhte, Bogdanoviq gjatë intervistës e kishte parashikuar atë, por edhe epilogun e saj.
“E para duhet thënë se lufta është e mundshme edhe brenda Serbisë, e pastaj, për fat të keq, ajo është e mundshme edhe në Kosovë, sepse, siç e dini, Mileshoviqi sa herë është në zgrip, mbjell farë zgripi edhe më të madh”, kishte thënë ai. “Le ta lëmë këtë parashikim të tmerrshëm”, kishte thënë Bogdanoviq gjatë kohës kur kishte dhënë pikëpamjet e tij për luftën dhe mbarimin e saj. “Nëse populli që i takoj unë ia mësyn një lufte në Kosovë, ai këtë luftë do ta humbë. Do ta humbë me turp dhe ky do të ishte fundi i kombit dhe shtetit”, kishte thënë arkitekti e intelektuali me nam teksa kishte nënvizuar admirimin e tij për durimin e popullit shqiptar që, sipas tij, duronte me disiplinë marrinat, krimet dhe fëlliqësirat e popullit të tij serb.
Gashi, në përurimin e moderuar nga Rron Gjinovici, ka thënë se ky publikim është një mirënjohje modeste për kontributin e madh të këtij intelektuali të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të shqiptarëve të Kosovës, si dhe për kontributin e tij drejt ndarjes paqësore e miqësore të shqiptarëve me serbët, dhe bashkëjetesës së tyre të bazuar në tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë. I shkolluar për arkitekt, pas Luftës së Dytë Botërore, Bogdanoviq projektoi më se 20 monumente për viktimat e luftës dhe të fashizmit. Përveçse autor i shumë artikujve, mjaft prej të cilëve të botuar edhe nëpër revista ndërkombëtare, ishte edhe autor i disa librave. Në vitet 1980, ai kishte udhëhequr Komunën e Beogradit.
Sipas Gashit, edhe pse Bogdanoviq ishte i pari intelektual më i zëshëm serb që kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi serb, por edhe mbështeti pavarësinë e saj, Kuvendi i Kosovës nuk e ftoi as në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Përveçse nuk është ftuar në shpalljen e pavarësisë, nuk ka as ndonjë rrugë e shkollë me emrin e atij që e kundërshton uzurpimin e institucioneve shqiptare nga ato serbe”, ka thënë Gashi gjatë promovimit të librit në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
“Tradhtarët” që përkrahin pavarësinë e Kosovës, propaganda me fuqinë e njëjtë

Se si ishin vlerësuar Bogdanoviqi e aktivistë të tjerë në Serbi është diskutuar në debatin “Cila është Serbia tjetër?”, që ka mbledhur pikëpamjet e aktivistëve serbë dhe shqiptarë.
Bogdanoviqi dhe jeta e tij janë marrë si shembull. Veçmas një rast. Një letër dhe kritikat e tjera antinacionaliste ndaj Milosheviqit i nxitën përpjekjet për t’ia thyer banesën, kërcënimet për linçim dhe, në fund, përjashtimin nga partia. Sulmet kundër tij bënë që më 1993, bashkë me të shoqen, Ksenijan, të shpërngulej nga Beogradi në Vjenë, ku vdiq më 2010.
Sipas gazetarit Veran Matiq, përveç Bogdanoviqit, ishin një grup i anëtarëve që i lidhte veprimtaria kundër luftës në kohën e luftës. Ai ka treguar edhe për rezistencën e tyre, pavarësisht trysnive dhe kërcënimeve.
“Bogdan Bogdanoviqit i hynin edhe në banesë dhe i shkruanin grafite në banesë. Kishte edhe akte dhunë ndaj tyre. E ruajti qëndrimin e tij jo përmes kundërshtimit verbal, por më aksione dhe demonstrata të suksesshme”, ka thënë Matiq, gazetar i shquar në Serbi, themelues i mediumit “B92”. Sipas tij, akoma mbështetësit e pavarësisë së Kosovës shihen si tradhtarë dhe propaganda vazhdon të shfaqet me fuqinë e njëjtë. Dikur ishte lufta që kundërshtonte luftën, kurse tani lufta është kundër harresës teksa ata që kanë bërë krime paraqiten si heronj.
“Në vitet ‘90 kishim një mbështetje më serioze nga bota, 10 vjetët e fundit kemi më pak mbështetje dhe nuk ekziston një mbështetje substanciale. Tani nuk kemi ndonjë ndihmë të njerëzve që i kundërvihen kësaj marrëzie. Serbia tjetër është edhe Shkelzen Maliqi dhe Veton Surroi, me të cilët kemi bashkëpunuar. Unë jam munduar më vonë qe t’i përkthej disa nga librat dhe shkrimet e Veton Surroit dhe të Bekim Fehmiut”, ka thënë tutje ai.

Sipas Shkëlzen Gashit, jo më mirë vlerësoheshin edhe ata që në Kosovë kundërshtonin vrasjen e serbëve.
“Më kujtohet një artikull i Veton Surroit në gusht të vitit 1999 që kundërshtonte vrasjen e serbëve. Më kujtohen sulmet dhe shtrembërimet pas atij artikulli. Artikulli që më ka mbetur në mendje ka qenë një në ‘KosovaPress’, ku shkruhej ‘Gospodin Surroi’”, ka treguar Gashi.
Veran Matiq, që është edhe kryetar i Komisionit për Hetimin e Gazetarëve të vrarë në Serbi, ka thënë se tash e disa vite flitet për temën e njëjtë. Sipas tij, Kosova dhe Serbia në aspektin praktik akoma janë larg sa i përket ballafaqimit me të kaluarën dhe tema e personave të zhdukur gjatë luftës vazhdon të mbetet plaga më e madhe.
“Kur të largohet politika dhe njerëzit ta kryejnë punën me sinqeritet, do të ketë një proces integral të ballafaqimit me të kaluarën edhe me ndodhitë në Kosovë me gjetjen e personave të zhdukur. Mendoj që ka stagnim në këtë proces, nuk jemi të gatshëm të ballafaqohemi me të kaluarën për personat e zhdukur. Duhet ta zgjedhim këtë punë me ekipe të përbashkëta dhe jo të ndara”, ka thënë ai.
Aktivistja serbe Sofia Todoroviq, e lindur në fillim të viteve ’90, ka thënë se aktivistët si Bogdan Bogdanoviq janë parë si “joserbë” dhe “tradhtarë” dhe edhe aktivistët e sotëm vazhdojnë të shihen në të njëjtën mënyrë.
“Jam rritur me një narrativë që ‘Serbia tjetër’ flet për serbët që nuk janë serbë, janë tradhtarë dhe nuk i duan serbët. Shkollimi im është mbështetur nga ky narracion, i cili është mbështetur dhe nga media dhe politika. Për fat të keq ky është një narracion se kur e përmend Serbinë e dytë, shumica e serbëve mendojnë për diçka të keqe”, ka thënë ajo gjatë diskutimit. Tutje, Todoroviq ka ngulmuar në ndërrimin e kësaj narrative.
“Kur them ‘Serbia e dytë’ mendoj që ne si njerëz meritojmë më mirë se ajo që na servohet. Unë nuk jam ajo që besoj se populli është një popull budalla e beson këtë, por kur i servon vazhdimisht diçka që nuk është e mirë, besoj që diçka tjetër që nuk u shkakton brenga do të ishte diçka që do ta përqafonin më mirë”, ka thënë ajo.
Duke bërë bashkë artistë, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes, si dhe opinionbërës nga Kosova dhe Serbia, festivali “Mirëdita, Dobar dan!” pasuron perspektivat regjionale dhe nxit bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes. Organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, festivali “DAM” dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Rockefeller Brothers Fund. Për shtatë vjet, festivali është mbajtur në Beograd, ku organizatorët dhe pjesëmarrësit janë pritur me protesta e thirrje të grupeve nacionaliste që kundërshtonin mbajtjen e festivalit.