Prishtinë, 4 mars – Nikoletta Szőke është një nga jazz-këngëtaret më të njohura në Hungari. Në jetën e saj të përditshme është person i mbyllur, por posa del në skenë shpërfaq potencialin në muzikë. Kështu bëri edhe në koncertin e saj të parë në Prishtinë.
Szőke e shoqëruar nga bendi i saj – Zsolt Farkas (piano), Jozsef Barcza Horvath (bas) e Peter Kaszas (bateri) dhe nga saksofonisti i njohur Kristóf Bacsó – bënë hapjen e edicionit të tretë të “Prishtina Jazz Week”. Koncerti që e nisi maratonën e mbrëmjeve muzikore ishte një përzierje e këngëve të njohura të jazzit standard me këngë origjinale të Szőkes, një gërshetim i melodive që burojnë nga rrënjët e saj rome dhe nga folklori hungarez.
Edicioni i sivjetmë i Javës së Jazzit në Prishtinë deri më 6 mars sjell emra të njohur stilesh të ndryshme. Mbrëmja e dytë e festivalit vazhdoi me këngëtaren turke, Elif Çaglar, dhe bendin e saj. Të mërkurën, në natën e tretë do të interpretojë Marcos Varela nga Amerika. Nga i njëjti kontinent vijnë edhe “Broken Circles” e Joel Ross, në natën e katërt. E nata e fundit, mbrëmja e së premtes do t’i takojë formacionit të ri të Prishtinës që në qendër ka jazzin, “Prishtina Big Band”.
Koncerti i së hënës nisi me këngë origjinale të Nikoletta Szőkes, me "Vár ránk ezer csoda" (Mijëra çudira na presin) dhe vazhdoi me “Moonglow” e më pas erdhi kënga e njohur “Spanish joint” e kantautorit amerikan D’Angelo.
Jazz-bateristi, Nesim Maxhuni, i cili është themelues i “Prishtina Jazz Week”, ka thënë se për këtë edicion janë munduar që të sjellin stile të ndryshme të jazzit.
Edhe
“Kos Jazz” në ritmin e vazhdimësisë dhe potencialit të skenës vendore
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në hapje të këtij edicioni ka thënë se do të vazhdojë përkrahjen e “Prishtina Jazz Week” edhe në edicionet e ardhshme.
Çdo natë pas koncertit do të ketë edhe “Jazz sesion” në “Zanzi Jazz Club” në Prishtinë. E gjatë ditës në “Dit’ e Nat’” do të ketë punëtori me muzikantë të ndryshëm. Punëtoria e parë ka qenë të martën me kitaristin Armend Xhaferi. Sot nga ora 15:30 punëtori do të mbajë pianisti Cagri Sertel dhe bateristi Ediz Hafizoglu për ta mbyllur ciklin e punëtorive më 5 mars me pianistin Ilir Bajri.