Kritika e konsideron “yll në ngritje të skenës evropiane të jazzit”, por Sara Decker bashkë me kuartetin e saj, kanë zbritur në skenë yjet e universit të jazzit. E treta natë e “Prishtina Jazz Festival” ka qenë e saja dhe publikut i ka sjellë një rrugëtim melankolik nëpërmjet zërit, kompozimeve të saj dhe harmonisë së skajshme me instrumentistët
Përderisa disa ditë me radhë jazzi është kryefjala e kryeqytetit, vendi bëhet i tillë për shumë grupe që po vijnë për herë të parë. “Prishtina Jazz Festival” ka bërë tok dy fjalët e para të emërtimit, nën kuptimësinë e së tretës. Ky togfjalësh me të cilin u emërtuan ditët dedikuar jazzit, Prishtinën pos me tingujt e saj e ka mbushur edhe me artistë të huaj. Ndër ta është edhe kuarteti i Sara Decker, një performancë që e pasuroi festivalin. Natës së tretë i dha ngjyra unike.
Përderisa në dy ditët e para nikoqire e dashamirëve të muzikës jazz ishte teatri “Oda”, të premten mbrëma dyert i hapi “Kino Armata”. Ora 21:00 mblodhi shumë emra që muzikën e kanë pjesë të jetës, e shumë të tillë që pos që e adhurojnë, janë bartës të jazz-skenës vendore. Mbrëmja e parë e mbajtur në sallën e errët të kinemasë në qendër të Prishtinës ishte paraqitja e parë e artistes gjermane, Sara Decker, bashkë me treshen e saj. Krejt bashkë janë emra të njohur në Gjermani, e madje edhe jashtë, në qytetet ku jazzi ka një vend të veçantë, siç është New Yorku. Kanë udhëtuar prej atje për në Kosovë dhe kanë mbërritur tek në ditën e performancës, por kjo nuk ka qenë pengesë që të shkëlqejnë në skenë në dukje dhe performancë. Krah vokalistes dhe kompozitores bashkëkohore të jazzit, Sara Decker, qe bashkëshorti i saj në bateri Jeroen Truyen, në piano Jonathan Hofmeister dhe në bas, Nicolai Amrehn. Ky bashkim i këtyre emrave, që në qytetet e ndryshme të botës është i zakonshëm si përbërje, në Kosovë erdhi për herë të parë që publikut në Prishtinë t’i japë ngjyra teksa performohej me shumë qetësi.
Koncerti i tyre ka qenë i një natyre krejt tjetër prej dy mbrëmjeve të para, karakterizuar me vokal që prek lehtë secilin nga pjesëtarët në publik. Luan mjeshtërisht me qetësinë. Tingujt e butë të instrumenteve shoqëruar me zërin e vokalistes gjermane sollën para publikut një performancë e cila shijohej këndshëm në një ambient të cilin e vesh me tis melankolie. Nën këta tinguj dhe nën këtë qetësi, gjurmonin thellë në vete duke prekur e kujtuar momente, si pasojë e këngëve. Kjo magji e sjellë në sallën e “Armatës” bëri që publiku, artistët e performanca të bëheshin një, e një bashkëveprim interesant të përfundonte në dyert e sallës, gjithë kjo kurorëzuar nën emrin e festivalit të jazzit.

Sara Decker dhe grupi i saj sollën para publikut këngë në gjuhën gjermane dhe angleze, të cilat kryesisht janë kompozime të artistes. Pos tyre, artistja e specializuar në shkrirjen e stileve pop me artin improvizues të jazzit, solli një bashkim të tillë edhe në Prishtinë. Masafficted me ‘Here dropped’, dhe ‘Spectator’ nga JFRD, janë këngët pop që sollën mjeshtërinë e artistes teksa u performuan në versionin e saj. “Long Distance”, “We fell into a dream” e “Welcome to the night” janë vetëm disa nga këngët që Decker ka krijuar kohë më parë, e që i performoi mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë. Publikun e ka marrë me vete me paletën e saj muzikore, duke e dëshmuar atë që të tjerët e thonë për të si “ylli në ngritje i skenës evropiane të jazzit”.
Ndonëse mori pjesë në festivale të ndryshme, e duke qenë pjesë e skenës rrëmbeu çmime të rëndësishme si Çmimin e dytë për vokal në “Shure Montreux” (2017) dhe Çmimin Evropian të Jazzit në Itali (2015), ngjitja në skenën e Kosovës ka thënë se është diçka e mirë për të.
“Jam shumë e emocionuar dhe e nderuar që jam këtu. Është veçanërisht mirë që të takoj njerëz të jazzit këtu. Jemi ftuar nga shoku ynë, Taulant Mehmeti. E kemi takuar atë dhe gruan e tij Jetën në New York dhe jemi miq shumë të mirë. Kështu që ka qenë emocionuese për ne të jemi këtu dhe të shohim se si jetojnë ata. Është mirë që jemi këtu dhe po e shohim vendlindjen e tyre”, ka thënë Decker. Kitaristi Taulant Mehmeti është emër i njohur tashmë në jazz-skenën e SHBA-së dhe ka bashkëpunuar me emra të shquar atje.
Vendimi për ardhjen në Kosovë nga ftesa prej mikut të saj ishte një mundësi e mirë që një artiste modeste si Decker ta prezantojë gjithë punën e saj artistike edhe në një tjetër vend. Nuk kurseu këngët e saj dhe improvizimin e të tjerave që festivalin e jazzit në Prishtinë ta pasuronte sa më shumë.
“Dy këngë ishin pop që ne i ripërpunuam e që njëra është nga Masafficted ‘Here dropped’, dhe tjetra ‘Spectator’ nga një artiste nga Islanda që quhet JFDR. Këto janë këngë pop, por që ne i ripërpunuam në jazz. Pjesa tjetër kanë qenë këngët e mia që unë i kam shkruar. Disa ishin nga një album që është në gjuhën angleze dhe e kam publikuar në New York, dhe disa nga një album që unë sapo e kam incizuar me bendin tim në gjuhën gjermane, e që kam marrë shumë nga poezitë gjermane. Ishte një llojllojshmëri e repertorit që unë e kam shkruar”, ka thënë artistja gjermane.
Ndonëse është për herë të parë duke performuar në Kosovë, pak orë i kanë mjaftuar që t’ia ngjallin dëshirën që të bashkëpunojë dhe të jetë pjesë e jetës së jazzit.
“Sapo kemi mbërritur sot, kështu që nuk di akoma shumë. Mirëpo, njerëzit që i kam takuar deri tani janë shumë të mirë. Krejt çka mund të them është se kam takuar njerëz të mrekullueshëm deri më tani dhe muzikantë shumë të mirë të jazzit që do të doja të bëja një ‘jam’ me ta”, ka thënë Decker.
E përshtypje të mirë për Kosovën dhe muzikantët këtu tregoi se ka edhe instrumentisti i mbrëmjes Nicolai Amrehn. “Prishtina Jazz Festival” vlerësohet shumë nga ana e muzikantëve të këtij zhanri.
“Nuk kam pasur mundësinë të shoh shumë. Por për kaq sa kam parë mund të them se duket të jetë interesante. Është shumë mirë që festivale të tilla ekzistojnë dhe artistët e ndryshëm kanë mundësinë që të performojnë këtu”, ka thënë Amrehn. Ka shtuar se marrja pjesë në një festival të tillë është diçka interesante dhe e mirë për ta.
“Është shumë mirë të jesh këtu. Kemi kaluar kohë shumë të mirë deri tani. Ka qenë interesante të shohim kulturën dhe të takojmë njerëz. Të gjithë janë të dashur dhe të relaksuar. Kështu që për ne është shumë mirë që jemi këtu”, ka thënë ai.
Sallën e “Armatës” mbrëmja e tretë e festivalit të jazzit e mbushi plot.
Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kjo mbrëmja ka thënë ta ketë kthyer në lokalet më të mira të New Yorkut e të Londrës. Artin që ai përjetoi atje sa ka qenë duke jetuar, i erdhi pas edhe në Prishtinë.
“Arti dhe kultura janë shpirti i qytetit dhe për atë arsye, duhet ta kemi një fokus të veçantë në art dhe në kulturë. Këto festivale, e posaçërisht ‘Prishtina Jazz Festival’ në njëfarë mënyre më kanë rikthyer në kohën kur kam jetuar edhe në New York edhe në Londër. Vendet e mirënjohura me bendet e ndryshme botërore tash po vijnë edhe në Prishtinë. Me qenë në Prishtinë është sikur me qenë në Londër apo në New York. Kjo është fenomenale për të gjithë rininë dhe të gjithë banorët e kryeqytetit”, ka thënë Rama, duke u bërë thirrje të gjithëve që të bëhen pjesë e festivalit në Prishtinë.
“I ftoj të gjithë edhe nga qytetet e tjera që të vijnë të na vizitojnë dhe të kënaqen me ‘Prishtina Jazz Festival’ dhe po ashtu me një mori organizimesh të tjera të artit dhe kulturës në Prishtinë”, ka thënë ai.