Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Më 31 maj në Beograd rikthehet festivali “Mirëdita, dobar dan!”

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili do të organizohet nga 31 maj deri më 3 qershor 2017, do të njoftojë publikun e Beogradit me skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës, transmeton Koha.net.

Për herë të katërt, publiku i Beogradit do të ketë mundësi të shikojë festivalin i cili do të paraqesë skenën e re kulturore të Kosovës. Ideja kryesore qëndron në inicimin e shkëmbimit të ideve artistike dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi në një mjedis unik kulturor përmes një sërë takimesh të komuniteteve kulturore dhe sociale të Serbisë dhe Kosovës. Në këtë mënyrë, ata do të kontribuojnë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vizitorët do të jenë në gjendje të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes shfaqjeve teatrore, filmave, koncerteve, ekspozitave dhe promovimit të librave. Përveç kësaj, një pjesë e festivalit do t'i kushtohet debateve me tema të ndryshme që janë të rëndësishme për të dy shoqëritë.

Hapja zyrtare e festivalit “Miredita dobar dan” do të organizohet në Qendrën Rinore të Beogradit më 31 maj me shfaqjen e filmit “Shok”, me regji nga Jamie Donoughue, i cili u nominua për çmimin prestigjioz të Oskarit në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtë në vitin 2015. Gjithashtu, vizitorët do të shijojnë ekspozitën dhe performancën e vallëzimit “Revoltë kundër dhunës” nga Fitore Berisha. Dita e dytë e festivalit, 1 qershor, do të fillojë me një debat të quajtur “Shkëmbimi kulturor midis Kosovës dhe Serbisë”, duke vazhduar me shfaqjen e filmit „Zonjusha”, me regji nga Genc Berisha.

Të premten, më 2 qershor do të organizohet promovimi i librit “Unë dua të dëgjohem - libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”, botuar nga Integra dhe forumZFD nga Kosova. Në të njëjtë ditë do të mbahet Jazz koncerti “Visar Kuçi Trio”.

“Mirëdita, dobar dan!”, në ditën e fundit të festivalit do të promovojë librin “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj” të Petrit Imamit në bashkëpunim me shtëpinë botuese Samizdat B92. Pas këtij eventi do të jetë shfaqja e filmit “Vajzat shqiptare janë motrat tona”, të prodhuar nga BIRN Kosova, forumi ZFD Beograd dhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, e ndjekur nga shfaqja teatrore “Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtare”, me regji nga Blerta Neziraj. Festivali do të mbyllet me performancën muzikore “Tandem” nga Oda Haliti dhe Blerta Kosova.

Festivali do të organizohet nga 31 maj deri më 3 qershor në disa vende në Beograd dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas. Për më shumë informacion rreth festivalit, ju lutemi ndiqni uebfaqen www.mireditadobardan.com dhe faqen e FB.

Bekim Fehmiu ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e festivalit.

Festivali organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Integra (Kosovë), Iniciativat Qytetare (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe mbështetet nga Rockefeller Brothers Fund, Fondacioni Charles Stewart MOTT, Ministria e Kulturës në Kosovë, Ambasada Zvicerane në Prishtinë dhe Qendra Rinore e Beogradit.