Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” do ta përballë Beogradin me të kaluarën

Mirdita, dobar dan

Një film që ka fituar çmime prestigjioze gjithandej globit dhe i prin asaj që shihet si vala e re e kinematografisë kosovare bashkë me shfaqje teatri, promovim libri, debat për të kaluarën dhe koncert janë “menyja” e sivjetme e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.

Në edicionin e nëntë, sikurse në vitet paraprake publiku serb do të ketë mundësinë që të shoh disa prej pjesëve të mozaikut artistik të Kosovës. Si zakonisht e kaluara zë hapësirë të veçantë në Festivalin që sivjet nis më 25 dhe përfundon më 28 maj në Beograd.

Të hënën është bërë e ditur se Festivali sivjet do të nisë me shfaqjen “Stiffler” që nxjerr në pah jetën e një punëtoreje seksi dhe realitetin përplot me paragjykime që përballet ajo. Nën regji të Kushtrim Koliqit dhe tekst të Dorentina Bashës, shfaqja kthen vëmendjen te trajtimi dhe paragjykimet që i bëhen kësaj kategorie të njerëzve.

Më pas në Arkivin e Filmit Jugosllav do të ndizen projektorët për filmin “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit. Filmi që nxjerr në pah historinë e Fahrije Hotit, e cila mbeti e ve shkaku i pushtetit serb, fitoi tri çmime kryesore në festivalin “Sundance” dhe u përzgjodh në listën e ngushtë për “Oscar” si filmi kandidat i Kosovës për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë. Është prej filmave kosovarë që është dhënë anembanë botës dhe ka shënuar suksese të larta. Pasojat që ka lënë regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë bashkë me paragjykimet lokale për një grua, e cila shndërrohet në frymëzim për krejt gratë e Kosovës do të shpërfaqen edhe në shtetin që prodhoi drama njerëzore si ajo e Fahrije Hotit që portretizohet nga Yllka Gashi.

Por Festivali si intro të mërkurën do ta ketë hapjen e ekspozitës “Gjithë lotët tanë”.

Organizuar nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Iniciativat Qytetare dhe ForumZFD, edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, sipas organizatorëve, do të bashkojë artin dhe kulturën bashkëkohore me disa nga çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen e shoqërive në Kosovë dhe Serbi.

“Edicioni i këtij viti do të hapet me ekspozitën e titulluar “Gjithë lotët tanë”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor në Endžio Hub (Dobračina 4). Edicioni i nëntë i festivalit do të fillojë me një paraqitje të përjetimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të luftës, pasi tani më shumë se kurrë konsiderojmë që është e rëndësishme të dëgjojmë zërat e tyre për të kuptuar se paqja është e vetmja rrugë e sigurt përpara”, kanë bërë të ditur organizatorët. Po ashtu është bërë e ditur se fokusi kryesor i programit të debatit të Festivalit në këtë edicion do të jetë qasja e shoqërive të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë, si dhe kujtesa kolektive dhe dokumentimi i përvojave të të burgosurve politikë të Goli Otokut, një burg ishullor i kohës jugosllave. Në kuadër të këtij programi do të promovohet vepra “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Pas promovimit të librit do të zhvillohet diskutimi “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Sa u përket debateve do të zhvillohet edhe ai me temën “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”.

“Një ngjarje tjetër që do të jetë pjesë e edicionit të këtij viti të festivalit është koncerti i këngëtarit të njohur kosovar Shpat Deda, i cili do të mbahet më 27 maj në qendrën kulturore hebraike ‘Oneg Shabat’, kanë njoftuar organizatorët.

Regjisori Kushtrim Koliqi, i cili udhëheq organizatën “Integra”, ka thënë qysh në vitin 2014 se kishin nisur këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media e shoqëri civile duke diskutuar për tema që ndryshe nuk diskutoheshin e duke promovuar kulturën si një mënyrë bashkëpunimi dhe të mësuarit për njëri-tjetrin.

“Sot, në edicionin e nëntë të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ me qëllimin e njëjtë vazhdojmë të punojmë në të njëjtin drejtim, në një situatë politike jo shumë ndryshe nga ajo në të cilën kishim filluar dhe duke u përballur me sfida të shkaktuara nga po kjo politikë”, ka thënë Koliqi. Sipas tij, shumëçka ka ndodhur për këta 9 vjet në botë, por pak ka ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi e Kosovë, kështu, duke pamundësuar zgjidhjen e shumë problemeve e çështjeve të trashëguara nga lufta.

“Për këto arsye konsiderojmë që organizimi i parvjetshëm i këtij festivali është gjithnjë e më i rëndësishëm në rikujtimin e asaj që njerëzit në të vërtetë duan, njohje e pranim të së kaluarës e vuajtjeve të viktimave për të siguruar paqe e bashkëjetesë ndëretnike në rajon”, ka treguar Koliqi. Sipas tij, në ketë edicion, ngjashëm me vitet e kaluara, fokusi i programit të debateve si dhe programit kulturor është trajtimi i së kaluarës, ofrimi i perspektivave të viktimave dhe vendosja e tyre në qendër.

Zakonisht gjatë hapjes së festivalit në Qendrën për Dekontaminim Kulturor grupe organizatash e politikanë serb protestojnë kundër pranisë së artistëve kosovarë në Beograd. Midis protestave më të mëdha ishte ajo e vitit 2018, kur protestës i priu vetë kreu i radikalëve serb, Vojislav Sheshelj.