“Mirëdita, dobar dan!” i rikthehet Prishtinës me edicionin e dhjetë. Festivali i cili nëpërmjet kulturës e aktivizmit synon të vërë ura komunikimi midis Kosovës e Serbisë, ka rezervuar tri ditët e majit. Vjen në një kohë, siç e përshkruajnë organizatorët, toksike politike midis dy vendeve. E “Mirëdita…” qëllimin e ka të qartë tash e një dekadë.
Të premten nëpërmjet një komunikate për media, ka shpalosur programin. Është skena kulturore serbe që do të zbarkojë në kryeqytet prej 4 deri më 6 maj. Në Kosovë, qe mbajtur për të fundit herë dy vjet më parë.
“Edicioni i sivjetmë i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’, do të hapet me shfaqjen e filmit ‘Si mësova të fluturoj’ nga regjisori serb Radivoje Andriq, i cili sjell historinë njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjojë grupin e vajzave rome “Pretty Loud” të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësisë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre”, shkruhet në njoftim. Po aty, bëhet e ditur se “poetët Mirjana Naranxhiq dhe Gjorgje Simiq do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike do t’i lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmje poetike”. Në këtë edicion, sipas organizatorëve, do të diskutohen edhe “tema të rëndësishme për Kosovën e Serbinë”. Në këtë kontekst do të përurohet libri “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe do të mbahen debatet në temat "Trashëgimia tjetër", “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”. Përurimi i librit “Momenti kur filloi lufta për mua” do të pasohet nga një bashkëbisedim me autorët.
“Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore ‘Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi”, shkruhet në njoftim.
Kushtrim Koliqi, drejtor ekzekutiv i organizatës “Integra”, bashkëthemeluese e bashkorganizatore e “Mirëdita, dobar dan!”, e ka vlerësuar Festivalin si të vetmen dritare të komunikimit të sinqertë midis dy shoqërive. Sipas tij, organizimi ka kontribuuar sado pak në shuarjen e mendësive të vjetra te një pjesë e komunitetit.
“Me shumë vështirësi po e mbajmë të hapur këtë dritare, sado e vogël të jetë, sepse makineritë e mëdha politike, mediale, propagandistike, me agjenda të ndryshme janë shumë më të fuqishme se sa ky Festival. Megjithatë, është shembull i mirë i një komunikimi që pa dorëza e trajton të kaluarën, të bazuar në evidencë, pa dorëza i trajton krimet e luftës dhe i pranon ato, mundohet të ndikojë pozitivisht në mendësitë e qytetarëve që na ofrohen për të parë eventet tona”, ka thënë Koliqi.
Situata të tensionuara ishin krijuar në edicionet e kaluara që janë mbajtur në Beograd. Organizoheshin protesta ku haptazi bëheshin thirrje për vrasje të shqiptarëve e vitin e kaluar kishte edhe alarme për bomba. Alarmi i tillë kishte pezulluar për nja një gjysmë ore ceremoninë e hapjes, në majin e vjetëm në kryeqytetin e Serbisë. Një grup nacionalistësh serbë – sikurse në krejt edicionet e mbajtura atje – kishte protestuar me thirrje kundër shqiptarëve.
Koliqi ka thënë se megjithëse reagimet publike për edicionet që mbahen në Prishtinë janë më të qeta se ato në Serbi, janë marrë masa sigurie dhe se Policia e Kosovës është e njoftuar për krejt aktivitetin e Festivalit. Pavarësisht prej situatave që mund të krijohen, organizatorët janë kujdesur të ofrojnë program sa më kualitativ edhe këtë edicion.
“Tash jemi në një rrethanë politike shumë specifike që lidhet edhe me marrëdhëniet momentale shumë toksike mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ne jemi përkujdesur të kurojmë një program që pos tjerash, ka standard të lartë artistik dhe në të njëjtën kohë, kujdeset të shpërndahen mesazhe të cilat u duhen shoqërive tona”, është shprehur Koliqi. Sipas tij, Kosova e Serbia janë “dy shoqëri të stërngarkuara nga narrativat e politikanëve të cilëve më shumë u konvenon kjo gjendje sesa normalitetit mes dy shteteve fqinje”.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është ngjarje e përvitshme që nga viti 2014 me qëllim të bashkojë artin, kulturën, avokimin dhe debatin publik brenda tij. Siç përshkruhet, synon të pasurojë perspektivat rajonale dhe të nxitë bashkëpunim dhe të ndërtojë paqe. Ideja kryesore e festivalit është takimi dhe shkëmbimet kulturore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të bëhen traditë dhe të kontribuojnë në marrëdhëniet shoqërore, politike dhe kulturore.
“Frymëzim për ‘Mirëdita, dobar dan!’ është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin, por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme”, është përshkrimi i shndërruar tashmë në një lloj maksime të “Mirëdita…”
“Ne veçse jemi shndërruar në festival tradicional në profilin tonë ku në thelb kemi bashkëpunimin e artistëve, intelektualëve, akademikëve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilët pa ekuivoke i pranojnë realitetet e reja politike dhe kanë për qëllim të vendosin marrëdhënie të shëndosha mes dy vendeve që duan të jetojnë në paqe”, ka thënë Koliqi.
Programi i edicionit të kaluar të Festivalit përfshinte shfaqjen “Stifler”, nën regji të Kushtrim Koliqit. Projektorët ishin ndezur për filmin “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, i cili kishte shpalosur para publikut serb historinë e Fahrije Hotit, e cila mbeti e ve, shkaku i pushtetit serb. Fokusi kryesor i programit të debatit të Festivalit vitin e kaluar ishte qasja e shoqërive të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë, si dhe kujtesa kolektive dhe dokumentimi i përvojave të të burgosurve politikë të Goli Otokut, një burg ishullor i kohës jugosllave.
Në kuadër të programit ishte vepra “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Pas promovimit të librit ishte mbajtur diskutimi “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, derisa ishte mbajtur edhe debati me temë “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”. Ngjarje tjetër që ishte organizuar kishte qenë edhe koncerti i këngëtarit të njohur kosovar, Shpat Deda.