Pjekja e rakisë në Zym të Hasit, për herë të parë, u demonstrua në qendër të fshatit.
Pasionantët e rakisë së shtëpisë u mblodhën nga vise të ndryshme shqiptare dhe nën rrezet e diellit të këtij nëntori shijuan raki dhe verën e prodhuar në bodrumet shtëpiake.
Për ta vazhduar traditën e pjekjes së rakisë, banorët e kësaj pjese që shtrihet anëve të Pashtrikut, kanë pritur vizitorë të shumtë në Festivalin Kulturor e Trashëgimor “Ditët e rakisë”, raporton “Express” i KTV-së.
Organizatorët e festivalit thonë se kjo ngjarje sjell kujtimet nga tradita dhe ritet e alkoolit.
Prodhues të shumtë vendit iu bashkuan këtij festivali dhe familje të njohura që tradicionalisht merren me ritet dhe prodhimin e pijeve alkoolike, u prezantuan në edicionin e parë.
Edhe çifti bashkëshortor Hajdaraj nga Gjakova me llojet e ndryshme të rakisë, gostitën vizitorët e festivalit.
Organizatorët e “Ditët e Rakisë” në Zym synojnë që në edicionet ardhshme ta zgjerojnë festivalin edhe me aktivitete të tjera dhe me një garë ndërmjet prodhuesve të rakisë.