I rrallë është botimi i veprave muzikore, por rasti i “Mayas” së Liburn Jupollit është një shembull. Kolegë të tij muzikantë e transkriptuan duke ia hapur një kapitull të ri. Por njëkohësisht kjo vlerësohet si nismë që duhet ndjekur në mënyrë që gjithçka të jetë e dokumentuar në fushën e muzikës
Krijimtarinë e 25 kompozitorëve të rinj, Liburn Jupolli vitin e kaluar e ka përthekuar në librin “Antologjia e kompozitorëve kosovarë”. Aty ka bërë bashkë vepra të kompozitorëve që kanë krijuar gjatë dy dekadave të pasluftës. E së fundmi i është kthyer edhe një vepre që e kishte kompozuar si shumë i ri. Bëhet fjalë për veprën “Maya” që deri vonë s’ishte as e kompletuar, e tash është në format të botuar. Një pjesë e madhe e këtij kompozimi kishte qenë improvizim.
Ca skica dhe incizimi e karakterizonin veprën “Maya”. Si të paplotë, Jupolli e kishte lënë për shumë kohë teksa kishte vazhduar punën në vepra të tjera. Që prej vitit të kompozimit të veprës, Jupolli ka shpikur edhe gjashtë instrumente të ndryshme. Vepra e kompozuar në vitin 2009 kishte vazhduar të dëgjohej mjaft shumë. Dhe sipas Jupollit është një vepër që është dëgjuar jo vetëm nga profesionistët e muzikës klasike. Një vit pas kompozimit, Jupolli e kishte publikuar në “Youtube” e “Spotify”, por për ta botuar s’i kishte shkuar ndërmend ndonjëherë.
“Disa regjisorë e kanë marrë për ‘soundtrack’ të filmit e disa e kanë kërkuar edhe në ekspozita”, shpjegon ai.
Jupolli veprës iu kthye krejt rastësisht dhe kjo ndodhi falë ish-studentit të tij Bardh Dubovci. Gjatë kohës së pandemisë, trumpetisti Dubovci ia kishte kërkuar partiturat Jupollit. Edhe të tjerë para Dubovcit e donin versionin e shkruar të “Maya”-s. Por Dubovci e donte patjetër të shkruar dhe për këtë iu përvesh vetë punës. Jupolli shprehet i lumtur që vepra tash është e botuar dhe vjen si një dhuratë për të gjithë ata që e kanë dëgjuar përmes “Spotify” dhe “YouTube”.

“Bardh Dubovci së bashku me Leutrim Sahitin e kanë bërë transkriptimin prej audios dhe e kanë nxjerrë versionin prej incizimit. Kjo më ka ardhur shumë mirë, sepse e kam këtë vepër që është e shkruar, por edhe ka qenë improvizim i momentit”, ka thënë Jupolli për KOHËN. E Dubovci këtë vepër e kishte dëgjuar vazhdimisht qëkur ishte publikuar në vitin 2010. Ideja për ta transkriptuar i erdhi që së pari ta interpretojë vetë në piano, e pastaj ta bëjë të qasshme edhe për kolegët e tij pianistë. Procesi i transkriptimit kishte qenë delikat për të, por që është arritur me shumë përkushtim.
“Kjo shpresoj që të jetë vetëm një nismë e transkriptimit të shume veprave të tjera në mënyrë që gjithçka të jetë e dokumentuar, sidomos kjo pjesë e artit që është shumë e vlefshme për kulturën tonë”, ka shpjeguar tutje trumpetisti Dubovci.
Ai që ia mësyn interpretimit të kësaj vepre duhet t’i dorëzohet ndjesisë së tasteve të pianos. Duket se do goxha përkushtim kur nis vepra. Pastaj sikur notat rrjedhin vetë. Por “Maya” nuk është e njëtrajtshme sa u përket tingujve. Ata ndërrojnë intensitetin udhës. Si e tillë vepra në dëgjim vjen si një përzierje emocionesh e prehjeje. Kurse vetë Jupolli e cilëson si minimale, që ka karakter edhe kinematografik. Vepra cilësohet e përshtatshme për t’u luajtur prej kujtdo.
“Veprat që i kam shkruar në atë kohë kanë karakter më shumë post-impresionist modern, kurse kjo është më minimale dhe njerëzve që e dëgjojnë ua kujton ndonjë moment të filmit. Është shumë lehtë e dëgjueshme dhe nuk është vështirë për t’u performuar”, ka treguar Jupolli, që me kompozim merret që prej moshës 12-vjeçare. Që atëherë ka kompozuar për teatër, film, animacion dhe lojëra në produksione të Ballkanit, Evropës dhe Indisë prej 13 vjetësh.
Kjo është vepra e parë e botuar për piano solistike e Jupolli planifikon që t’i përmbledhë veprat e tij nga opusi i tij pianistik. Liburn Jupolli është kompozitor, pianist dhe novator në fushën e muzikës klasike dhe zhanret alternative.