Qëllimi i rezidencës është të rrisë mbështetjen për artistët në të gjitha nivelet e udhëtimeve të tyre krijuese. Për këtë edicion përzgjedhja e artistëve pjesëmarrës do të bëhet prej listës së atyre që tashmë kanë qenë pjesë e rezidencave në “Shtatëmbëdhjetë” dhe në “Art House”, me qëllim të mbështetjes dhe krijimit të mundësive për zhvillim të mëtejshëm artistik
“Shtatëmbëdhjetë” në Prishtinë dhe “Art House” në Shkodër kanë nisur bashkëpunimin për rezidencën e artit “Matanë”. Përmes përpjekjeve të tyre të përbashkëta, ata presin të ushqejnë dhe të mbështesin një hapësirë për shkëmbime kulturore dhe artistike në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, që kontribuon në biseda kritike e të pasura.
Një artist nga Shqipëria dhe një artist nga Kosova do të identifikohen dhe do të ftohen të bëhen pjesë e programit të rezidencës. Sipas njoftimit për këtë rezidencë artistike, “Matanë” mbështet marrëdhëniet midis artit dhe hulumtimit duke u dhënë hapësirë dhe kohë artistëve të çdo disipline për të punuar në një projekt të ri me qasje burimet e ndryshme në Prishtinë dhe Shkodër. Po ashtu, krahas rezidencës, do të organizohen edhe biseda me artistë.
“Këto biseda do të bashkojnë bashkësitë lokale dhe do të shërbejnë si mjete për t'u përfshirë në dialog mbi idetë dhe praktikën artistike, duke ushqyer dhe mbështetur kështu një hapësirë për shkëmbim kulturor dhe artistik”, është shkruar në njoftimin për media.
Sihana Klisurica, zyrtare për media në “Shtatëmbëdhjetë”, ka thënë se qëllimi i rezidencës është të rrisë mbështetjen për artistët në të gjitha nivelet e udhëtimeve të tyre krijuese.
“Për të arritur këtë ‘Shtatëmbëdhjetë’ dhe ‘Art House’ do të krijojnë dhe provojnë një model bashkëpunimi që përqendrohet në rritjen e lëvizshmërisë rajonale të veprave krijuese dhe artistëve për të arritur audienca të reja”, ka thënë ajo.
Ka theksuar se kjo rezidencë artistike mëton të mbështesë marrëdhënien midis artit dhe hulumtimit duke u dhënë hapësirë dhe kohë artistëve të çdo disipline për të punuar në një projekt të ri, duke ofruar qasje në burime të ndryshme në Prishtinë dhe Shkodër. Ka treguar se përmes kësaj rezidence artistët pjesëmarrës do të kenë mundësi të tregojnë punën e tyre në progres në “Shtatëmbëdhjetë Project Space” në Prishtinë dhe “Art House” në Shkodër.
Klisurica ka thënë se si vazhdimësi e krijimit të mundësive për mbështetje të artistëve në kuadër të programit të artit dhe kulturës, vjen edhe kjo rezidencë. Ka treguar se për këtë edicion përzgjedhja e artistëve pjesëmarrës do të bëhet prej listës së artistëve që tashmë kanë qenë pjesë e rezidencave në “Shtatëmbëdhjetë” dhe në “Art House”, me qëllim të mbështetjes dhe krijimit të mundësive për zhvillim të mëtejshëm artistik.
Sa u përket bisedave, ka thënë se qëllimi i këtyre ngjarjeve është që të sigurojnë vendin për artistët për të prezantuar punën e tyre para publikut, e cila gjithashtu pasohet nga diskutimi mbi përvojën dhe rezultatet e rezidencës së artit.
“Në këtë format të ngjarjeve të shkurtra, bisedat e artistëve jo vetëm që janë të realizueshme, por gjithashtu na mundësojnë që të ofrojmë një sërë mundësish për të formuar kornizën e aktiviteteve kulturore dhe promovimin dhe shpërndarjen e njohurive”, ka thënë ajo. Sipas Klisuricës, këto biseda do të bashkojnë bashkësitë lokale dhe do të shërbejnë si mjete për t’u përfshirë në dialog mbi idetë dhe praktikën artistike, duke ushqyer dhe mbështetur kështu një hapësirë për shkëmbim kulturor dhe artistik që kontribuon në ligjërimin e pasuruar kritik.
“Shtatëmbëdhjetë” është organizatë joqeveritare e themeluar në Prishtinë në vitin 2018. Në ueb-faqen zyrtare është shkruar se “Shtatëmbëdhjetë” fillimisht nisi si duo bashkëpunuese me qëllim të krijimit të veprave artistike vizuale dhe intelektuale të cilat eksplorojnë perspektivat psikologjike dhe sociale nëpërmjet videoartit eksperimental. “Duke u bazuar në këtë eksperiencë dhe nevojën për të rifunksionalizuar hapësirat publike alternative, SHTATËMBËDHJETË, është regjistruar si fondacion i cili mëton të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri nëpërmjet mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit”, është shkruar tutje aty. Tregohet se misioni i tyre është të nxisim aktivizmin kulturor për zhvillimin shoqëror. “’Shtatëmbëdhjetë’ është i dedikuar që të krijojë një ambient edukues për të gjithë qytetarët e të gjitha gjinive dhe moshave në të gjitha nivelet e rrugëtimit të tyre, inkurajimin për pjesëmarrje në jetën publike nëpërmjet artit, kulturës, edukimit dhe përfshirjes, e po ashtu edhe të shërbejë si burim vital kreativ për komunitetin”, vazhdon tutje përshkrimi i fondacionit.
Në anën tjetër “Art House” është një projekt përmes të cilit synohet të ndërtohen ura të komunikimit dhe dialogut në mes të skenës lokale dhe kontributit të personaliteteve ndërkombëtare të artit dhe kulturës.
“’Art House’, lindi nga dëshira me ba bashkë eksperiencën e shpisë si vend ku njerëzit rrinë afër njeni-tjetrit e ndajnë kohën dhe hapësinen e tyne intime, me eksperiencen e artit si nevojë e njeriut me i dhanë shprehje e formë përjetimeve të veta”, është shkruar në ueb-faqen e tyre zyrtare. Aty tregohet se ky vend kërkon që të jetë një pikë ku familja i hapet komunitetit e ku komuniteti i qytetit të vogël pasurohet nga prezenca e kontributeve që vijnë nga bota e madhe, pa e humb përjetimin intim dhe natyrën miqësore të marrëdhënies mes njerëzve.
“Na nuk e shohim artin si dekoracion as për muret e vilave luksoze e as për sallat e pushtetit, por si nji hapsinë ku marrin formë vizionet krijuese e mendimi vital”, është shkruar në ueb-faqe. Aty tregohet se “Art House” është më shumë një laborator ku arti vihet në diskutim dhe një vend që synon, ku gjallon mendimi e ku kultura nuk është thjesht akumulim librash, por eksperiencë e gjallë njerëzore.