Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Martesa” premierë në Cineplexx, rrëfim dashurie që provokon

Një rrëfim dashurie, që planifikohet të kurorëzohet me martesë, është prezantuar në filmin e metrazhit të gjatë të regjisores Blerta Zeqiri. Ky projekt të mërkurën pasdite u shfaq premierë për media në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë.

Fimi që është bashkëfinancim nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, përpos që trajton shkurtazi temën e të pagjeturve, poashtu i paraqet përpjekjet e komunitetit LGBT për t’u përshtatur me rrethin konservativ.

Regjisorja Zeqiri deklaroi se dëshira e saj ishte që përmes filmit “Martesa”, të prezantohej një histori reale e cila është prezente edhe në vendin tonë.

Sfiduese dhe tejet nxitëse e ka konsideruar përvojën e tij të parë filmike, këngëtari Genc Salihu, i cili te filmi “Martesa” e sjell personazhin e Nolit. Ai e kishte nisur një aventurë me Bekimin, i cili pas disa ditësh planifikonte të martohej me Anitën.

Nga ana tjetër, aktorët në rolet kryesore të filmit, Alban Ukaj dhe Adriana Matoshi, për shkak të temës provokuese që e përmban ai, presin të ketë reagime nga publiku.

Edhe Kosova me “Martesën” për herë të pestë synon “Oscarin” Kulturë Kosova me “Martesën” për herë të pestë synon “Oscarin”

Filmi “Martesa”, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, premierën botërore e pati në festivalin e filmit “Tallin” të Estonisë, ku u shpërblye me dy çmime: “Çmimin special për ansamblin e aktorëve” dhe “Çmimin e kritikës”.

Regjisorja Zeqiri theksoi se filmin e saj e pret një rrugë e gjatë e pjesëmarrjes në tetë festivale filmike në botë. Nga mbrëmja e 31 janarit “Martesa” do të jetë në repertorin e Cineplexx Kosova, të enjten do të shfaqet në “Doku Kino” të Prizrenit dhe me 2 shkurt do të prezantohet edhe përpara publikut të Tiranës.