Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Marrëdhënia njerëzore – mundësi e lirisë

Saksofonisti i njohur Ornette Colman (1930 – 2015) në bashkëbisedimin me filozofin francez me prejardhje algjeriane, Jacques Derrida, realizuar më 1997, flet për teknologjinë dhe globalizmin. Të dy – në këtë pjesë të dytë të intervistës – duke sjellë edhe përvojat e veta, trajtojnë edhe racizmin. Fuqia e muzikës është një prej temave për të cilën flet inovatori i jazzit. Por ai thotë se ka diçka edhe më të fuqishme. “Për mua, marrëdhënia njerëzore është shumë më e bukur, sepse të lejon që të fitosh lirinë që e dëshironi, për veten tuaj dhe për të tjerët”, thotë Colman

Jacques Derrida: Kur erdhe në New York si djalë i ri, a kishe ndonjë paralajmërim se çka do të zbuloje nga ana muzikore, hamolodikën, apo kjo ndodhi shumë më vonë?

Ornette Coleman: Jo, sepse kur arrita në New York po trajtohesha pak a shumë si dikush që arriti nga Jugu dhe nuk kupton asgjë nga muzika, i cili nuk mund të shkruajë apo lexojë, por unë asnjëherë nuk u mundova që të protestoja kundër kësaj. Pastaj unë vendosa që të filloj ta zhvilloj konceptimin tim, pa ndihmën e askujt. Mora me qira “Town Hall” më 21 dhjetor 1962, e cila më kushtoi 600 dollarë, e punësova një grup rhythm and blues, një grup klasik dhe një trio. Natën e koncertit qe një stuhi bore, dhe përveç kësaj kishin filluar grevat e gazetave, të doktorëve dhe të metrove, dhe të vetmit që erdhën në koncert ishin njerëzit që linin hotelet dhe erdhën në “Town Hall”. I kërkova dikujt që ta regjistrojë koncertin dhe personi të cilit i kërkova bëri vetëvrasje. Por dikush tjetër e regjistroi, i cili njëkohësisht me atë regjistrim e themeloi kompaninë e tij, iku dhe nuk e pashë më asnjëherë. E gjithë kjo më bëri të kuptoj, edhe një herë, se unë po bëja këtë për të njëjtën arsye me atë që i tregova nënës sime. Siç shihet, situata nga perspektiva teknologjike, financiare, shoqërore dhe kriminale ishte shumë më e keqe sesa në Jug. Unë po trokisja në dyert që rrinin të mbyllura.

JD: Çfarë ka qenë ndikimi i djalit tuaj në punën tuaj? A ka të bëjë me përdorimin e teknologjive të reja në muzikën tënde?

OC: Qëkur Denardo u bë menaxheri im, unë fillova të kuptoja se sa e thjeshtë është teknologjia, si dhe fillova ta mësoja kuptimin e saj.

JD: A e keni ndier futjen e teknologjisë si një lloj transformimi të dhunshëm të projektit tuaj, ose a ka qenë e lehtë? Në anën tjetër, projekti yt i New Yorkut mbi civilizimet a ka të bëjë diçka me atë që quhet globalizim?

OC: Mendoj se ka diçka të vërtetë në të dyja, është pikërisht për shkak të kësaj që ju mund të pyesni veten sot nëse ka “njerëz të bardhë primitivë”: duket se teknologjia vetëm se përfaqëson fjalën “i bardhë”, jo barazi totale.

JD: Ju nuk i besoni konceptit të globalizimit, dhe besoj që keni të drejtë.

OC: Nëse e shohim muzikën, kompozitorët që kanë qenë zbulues në Perëndim, në kulturën evropiane, janë ndoshta një gjysmë duzine. Ndërsa, sa i përket teknologjisë, zbuluesit për të cilët më së shumti kam dëgjuar që të flitet janë indianë nga Kalkuta dhe Bombay. Ka shumë shkencëtarë indianë dhe kinezë. Zbulimet e tyre janë sikur inversione të ideve të zbuluesve evropianë ose amerikanë. Por, fjala “zbulues” ka marrë sensin e dominimit racial që është edhe më e rëndësishme sesa vetë zbulimi – e cila është një gjë e trishtë, sepse është ekuivalenti i një lloji të propagandës.

JD: Si mund ta zhbëjmë këtë “monarki”? Duke e bashkuar krijimtarinë tënde me muzikën indiane ose kineze, për shembull, në projektin New York?

OC: Ajo që dua të them është se ndryshimet në mes burrit dhe gruas ose ndërmjet racave, kanë një ndërlidhje me arsimimin dhe inteligjencën e mbijetesës. Të qenit i zi dhe trashëgimtar i skllevërve, unë nuk e kam idenë se cila ka qenë gjuha ime e origjinës.

Të plotë e gjeni në numrin e sotëm të gazetës Koha Ditore. Klikoni për t’u regjistruar.

Artikuj të ngjashëm