Komercializmi në rritje e sipër shihet si goditje për muzikën. Përderisa dikush mund të gjejë përparësi në këtë ritëm, anëtarë të industrisë thonë se qëndrueshmëria e stileve është gjithnjë e më shumë jostabile. Në Konferencën e Muzikës në Prishtinë, emra botërorë të industrisë kanë folur për lidhjet e duhura që çojnë përpara, e po ashtu kanë shpalosur përvojat e tyre
Sot muzika konsumohet, por nuk mbështetet, në kohën kur muzika anon përherë më shumë kah komercialja brezat e rinj të muzikës vështirë se i qëndrojnë besnik stilit të tyre ndërsa rrjetëzimi i duhur në industrinë që përherë ndryshon konsiderohet i rëndësishëm. Këto kanë qenë disa prej konstatimeve në dy panelet e mbajtura në kuadër të Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Me panelistë muzikantë ndërkombëtarë, ngjarja edhe e ka mbyllur edicionin e pestë.
Të shtunën mbrëma në kinemanë “Armata”, në ngjarjen që ka në qendër muzikën në dimensione të ndryshme, fillimisht është diskutuar tema “Making the right connection in a changing industry” (Të bërit lidhjet e duhura në industrinë që ndryshon). Në lidhje me të bërit lidhje të duhura në industrinë që përherë ndryshon, muzikantë të shquar të skenës ndërkombëtare kanë ndarë përvojat e tyre.
Benjamin Belaga, muzikant me bazë në Paris, ka thënë se jo çdoherë karriera e një muzikanti të ri varet nga mbështetja e një tjetri me karrierë të gjatë.
“Kur bën ciklin e parë të mbështetësve dhe lidhesh me artistë që kanë vizionin e njëjtë dhe ata pëlqejnë muzikën tënde, lidhja rritet dalëngadalë. Ne njohim shumë artistë të rinj, i mbështesim, por kjo jo gjithmonë i ndihmon ata të depërtojnë dhe kjo është e natyrshme. Ne bisedojmë me shumë prej tyre dhe është diçka që ndodh, por nganjëherë mjafton që ata të shihen në skenë”, ka thënë Belaga, themelues i një shtëpie muzikore në Paris, që, sipas njoftimit, formëson peizazhin e muzikës elektronike.
Duke bashkuar një kompani diskografike, shpërndarje fizike ndërkombëtare dhe një dyqan diskografik kryesor në zemër të Parisit, “Yoyaku” është bërë një forcë qendrore në kulturën globale të vinylit.
Meindert Kennis nga Amsterdami, me mbi dy dekada përvojë në formësimin e industrisë globale të muzikës, ka mbështetur figura të njohura të skenës botërore sot si Martin Garrix, Oliver Heldens dhe Afrojack.
“Nëse pëlqen diçka nga një kompani e caktuar dhe u thua se vërtetë të pëlqen kjo që ata po bëjnë, atëherë lidhja do të jetë më e lehtë. Dhe kjo kompani mund të jetë shumë ndihmuese për karrierën tuaj”, ka thënë ai derisa ka ndarë edhe përvojën e bashkëpunimit me DJ e njohur në botë, Martin Garrix.
“Mendoj se si artist është shumë e domosdoshme të shohësh se kush je dhe çfarë karakteri ke. Se çfarë do të shprehësh”, ka thënë në panel Kennis.
Pasi u bashkua me “Spinnin' Records” më 2008, ai ndihmoi në transformimin e saj nga një label lokal në një nga forcat më me ndikim në muzikën elektronike, duke ndërtuar praninë e saj digjitale globale dhe duke mbështetur artistë si Martin Garrix, Oliver Heldens dhe Afrojack.
Sot, Meindert vazhdon të formësojë të ardhmen e muzikës si strateg, këshilltar dhe udhëheqës krijues, duke punuar me artistë dhe marka në mbarë botën.
Britaniku Tom Leek, bashkëpronar i “OPS Enterprises LTD”, një ombrellë kulturore globale që operon në muzikë, modë, art dhe teknologji, ka thënë se shumë pak këngë nga artistët mund të preken. Pra, në formë fizike si CD a vinyl. Ka theksuar se një artist përherë duhet të sjellë risi në skenën muzikore.
“Kur shkon shpesh në festival të duhet të ndërrosh repertorin dhe të duhet një listë e veprave, sepse nuk mund të interpretosh, ta zëmë, të njëjtin repertor si këtu në Prishtinë apo pikërisht në Konferencën e Muzikës, e më pas të njëjtin ta çosh edhe në Tiranë”, ka thënë ai. Sipas tij, lidhja në industri është më e vështirë se më parë dhe e tillë po bëhet secilën herë.
E Michail Stangl, i njohur ndryshe me emrin skenik Opium Hum, i cili për mbi 15 vjet ka qenë forcë jetike për skenën globale “underground” të muzikës elektronike, ka qenë në rolin e moderatorit të dy paneleve. Ai është një nga fytyrat dhe programuesit kryesorë të “Boiler Room” dhe si një nga kuratorët e Festivalit vjetor “CTM” në Berlin.
Me të përfunduar ky panel, ka nisur tjetri me temë “The underground cannot be bought: How do we protect it”. Muzikantëve Opium Hum dhe Benjamin Belaga u është bashkuar në skenën e kinemasë “Armata” edhe Alessio Armeni, aktivist dhe një prej atyre që formësuan frymën ‘underground’ në vitet ’90.
Ameni, me emër skenik Freddy K, krejt në fillim ka thënë se është e vështirë të definohet termi ‘underground’ ngase është një frymë që nuk shihet.
“Po mendoja se për termin ‘underground’ është shumë e vështirë të gjendet një definicion sepse sipas meje është ajo që nuk shihet. Kështu që patjetër se është pjesë më spontane në çdo lloj gjërash e veçmas në muzikë dhe është pjesa më reale. Ajo nuk është ende e njohur për dinamikat e saj në kohën e komercializimit dhe është pjesa më kreative sepse ka limite dhe në të njëjtën kohë është paralele me disa ide, revolucione. Përndryshe nuk do të njihej si ‘underground’. Është e vështirë të gjendet një definicion por është art dhe pjesa më e çmuar që ka mbetur për gjeneratën e re”, ka thënë Freddy K.
Sipas tij, kjo frymë është rezistencë ndaj diçkaje që të shtypë. Ka kujtuar se në vitet ’90 mund të dallohej lehtë muzika “underground” dhe ajo komerciale.
“Kur fillova kishte mjete tjera, nuk kishte telefona mobilë, vetëm vinylë, nuk kishim mjete komunikimi. Ishte ‘underground’ në vetvete. Filluam të njoftonim me fletushka, në vitin 1993 kishim një radiostacion, vetëm. Ishte një radio e menaxhuar nga një këngëtar folklori. Në orën dhjetë shkonte live dhe aty luhej ‘techno’. Thashë ‘më lejo të luaj muzikë’ dhe aty veç sa kisha filluar dhe menjëherë, çdo dy-tri ditë më ftonin. Pas tre muajsh ishim çdo ditë për tri a katër orë, kështu nisa t’i njoftoj dëgjuesit për ditën kur do të shihemi, pa fletushka. Kjo ishte ‘underground’. Ishte thjesht një kohë e lehtë për të bërë muzikë ‘underground’. Kishte dallime midis ‘underground’ dhe komerciales”, ka kujtuar ai.
Sipas tij, kjo frymë kërkon që artisti të jetë besnik ndaj stilit.
“’Underground’ është edhe një qëndrim. Kur ndryshon muzikën, zhanrin për të pasur më shumë publik, nga kjo pikë humb respektin tim dhe këtë e shohim që e bëjnë shumë gjenerata e re”, ka thënë Freddy K, avokues i vinylit dhe mentor i artistëve në zhvillim.
Udhëtimi i tij filloi në Romë me “Virus”, një emision radiofonik dhe dyqan disqesh e gjerave festive, që u bë zemra e technos italiane. Tani në Berlin, Freddy ka ringjallur pasionin e tij për kulturën ‘rave’ përmes seteve të tij të gjata, vetëm me vinyl, ku qasja e tij 360 shkallë ndaj techno vazhdon të frymëzojë turmat në mbarë botën.
Ai ka thënë se “muzika sot konsumohet, por nuk mbështetet”.
“E kjo mbështetje mund të bëhet nëse ajo konsumohet nëpërmjet vinylëve. Sot më shumë vjen muzika nëpërmjet tyre për shkaqe estetike e jo nevoje”, ka thënë ai më tej.
Ndërsa Benjamin Belaga e ka quajtur muzikën ‘underground’ si formë të rezistencës. Sipas tij, të bësh këtë muzikë nuk do të thotë të jesh i famshëm, por të kesh një vizion që të shtynë përpara.
“Është rezistencë sepse është nën diçka por gjithashtu është e vështirë sepse i tillë është subjektiviteti i tij. Të jesh ‘underground’ sot nuk do të thotë të jesh në media sociale. Në perceptimin tim është përfshirja e botës, e pranojmë kudo, është presion për shoqërinë. Në skenën e artit e kemi si një lloj shtypje e tradicionalitetit. Duam ta shtyjmë atë përpara por në definicionin tonë personal”, është shprehur ai.
E Opium Hum e ka vënë në dyshim origjinalitetin e tanishëm të stilit ‘underground’.
“Në vitet ’90 nuk kishte fotoshop dhe posterët ishin shumë më ndryshe. Tash i kemi të gjitha, por prapë mundohemi të dukemi sikur në atë kohë”,
Ndryshe nga edicionet e kaluara ku ngjarja zhvillohej për tri ditë, sivjet Konferenca e Muzikës në Prishtinë, e pesta me radhë është mbajtur më 7 e 8 nëntor.