Kulturë

Manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan i kthehen lipsanet e shenjtorit

Mbetjet mortore të shenjtorit Gjon Vladimiri i janë kthyer Manastirit që është ngritur në shenjë nderimi për të. Kësisoj, Manastiri i Gjon Vladimirit në perëndim të Elbasanit është pasuruar me eksponate. Sipas një versioni të rrëfyer, objekti është ngritur mbi themelet e kishës së “Trinisë së Shenjtë”, e cila u shemb nga tërmeti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se është bërë kthimi i eshtrave të Shën Gjon Vladimirit në Manastirin me të njëjtin emër.

“Me kërkesën e komunitetit të zonës, kthyem lipsanet e Shën Gjon Vladimirit në manastirin me të njëjtin emër të fshatit Shijon të Elbasanit”, ka thënë ajo.

Sipas raportimit ATSH-së, lipsanet e shenjtorit Shën Gjon Vladimiri kanë qenë pjesë e fondit muzeor në Muzeun Kombëtar Historik dhe prej prillit të këtij vitit janë pjesë e Manastirit të Elbasanit, duke e kthyer këtë manastir në një atraksion më shumë për besimtarët dhe turistët.

Emri i Shën Gjon Vladimirit nuk është i njohur vetëm në zonën e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë. Gjon Vladimiri ka qenë një ndër udhëheqësit e përshpirtshëm të Ilirisë dhe sundonte mbi një hapësirë të gjerë të rajonit të Ballkanit. Ishte bamirës e ngriti shumë kisha e manastire. U vra në mënyrë të pabesë, e që atëherë u adhurua si shenjtor dhe eshtrat e tij udhëtuan nëpër kisha e manastire e u nderua nga besimtarët. Për nder të tij, në fshatin Shijon të Elbasanit u ngrit Manastiri i Shën Gjon Vladimirit. Ky monument kulture i kategorisë së parë i përket shekullit 18. Një objekt i ruajtur mjaft mirë dhe funksional, ku besimtarët ortodoksë kryejnë shërbesat fetare.

Në vitin 1381, Karl Topia ndërtoi Manastirin e Gjon Vladimirit mbi rrënojat e kësaj kishe. Në një mbishkrim me përmasa 2.20 me 0.27 metra, që gjendet i gdhendur në gurin e madh arkitra të portalit të derës jugore të kishës shkruhet: “Duhet ditur se ky tempull u shemb nga tërmeti deri në themel gjatë sundimit dhe në ditët kur zotëronte mbi të gjithë vendin e Albanit i ndrituri Karl Topia i parë, nip dhe prej gjaku i mbretit të Francës. Ky e ndërtoi këtë tempull të gjithënderuar të Shën Gjon Vladimirit dhe e ngriti prej themeli deri në mbarim nga besimi dhe zemra e përvëluar. Prej lindjes së Krishtit deri në ndërtimin e tempullit janë vjet 1380 dhe prej krijimit të botës janë vjet 6890 dhe deri atëherë vjet 22 të zotërimit të tij, indikti 5, cikli i diellit 1, cikli i hënës 14, dhe është ndërtuar tempulli që shkon katër herë më i madh se ka qenë më parë tempulli i vjetër”. Mbishkrimi ka pesë radhë dhe është shkruar me shkronja të mëdha, me shkurtime e sigla dhe me gabime drejtshkrimore e gramatikore.