Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Man Booker” për veprën e shkrimtarit izraelit David Grossman

Londër, 16 qershor - David Grossman me veprën “A Horse Walks into a Bar”, që zhvendoset në rutinën e një stand-up komediani brenda një klubi komedie në Izrael, ka marrë çmimin ndërkombëtar “Man Booker International” që ndahet për fiksionin më të mirë të përkthyer, transmeton sot “Koha Ditore” raportimin e Latimes.

Me ngjarjen e zhvendosur në një qytet të vogël izraelit, romani është fokusuar krejtësisht në veprimet e komedianit të quajtur Dovaleh Greenstein. Tek merr skenën për ta ngacmuar audiencën me shakatë e tij vulgare e agresive, performanca e pakënaqshme e Greenstein nis të tkurret derisa ai zbulon një vendim fatkeq e të tmerrshëm që e kishte marrë kaherë dhe e kishte ndjekur atë si hije qysh prej asaj kohe.

“David Grossman ka bërë përpjekje të shpërfaqë një veprim të lartë ambicioz të një romani, dhe ai e ka bërë këtë në mënyrë spektakolare”, ka thënë kryetari i jurisë, drejtor i festivalit ndërkombëtar të librit në Edinburgh, Nick Barley.

“A Horse Walks into a Bar” hedh dritë në efektet e vuajtjes, pa asnjë qasje sentimentale. Personazhi kryesor është sfidues dhe me të meta, por krejtësisht bindës. Ne përfshihemi nga vigjilenca e Grossmanit për të rrezikuar në anën emocionale dhe stilistike: secila fjali ka rëndësi, secila fjalë ka rëndësi në këtë shembull suprem të zanatit të shkrimtarit.

Në kritikën e publikuar në “Guardian” për këtë roman, autori Ian Sansom kishte shkruar se “ky nuk është një libër vetëm për Izraelin: është për njerëzit dhe shoqëritë që funksionojnë në mënyrë të tmerrshme”.

Edhe David Szalay fiton çmimin prestigjioz “Booker” me romanin “Flesh” Kulturë David Szalay fiton çmimin prestigjioz “Booker” me romanin “Flesh”

Grossman, një shkrimtar bestseller i librave fiktivë, jofiktivë dhe për fëmijë, që është përkthyer në 36 gjuhë të botës, do ta ndajë shpërblimin prej 50 mijë funtesh me përkthyesen e librit të tij në anglisht, Jessica Cohen.

I lindur dhe ende me seli në Jerusalem, Grossman ka qenë i njohur prej kohësh si një nga romancierët më të mirë botërorë.

Ai është shpallur fitues i “Man Booker” në një ceremoni të mbajtur në muzeun “V&A Museum” në Londër, të mërkurën mbrëma. Romani i tij është përzgjedhur si fitues në mesin e 126 titujve, që qenë reduktuar në një listë prej 13 veprash, pastaj në listën e ngushtë me gjashtë sosh. Edhe kolegu i tij nga Izraeli, Amos Oz, ishte në mesin e konkurrentëve në finale, me listën që ka përfshirë edhe shkrimtaren daneze Dorthe Nors dhe autoren debutuese argjentinase Samanta Schweblin.

Anëtarët e jurisë e kanë vlerësuar romanin e Grossman si “një rrëfim të jashtëzakonshëm që ngrihet në duart e një rrëfimtari mjeshtëror”. “I shkruar me empati, mençuri dhe inteligjencë emocionale, ‘A Horse Walks into a Bar’ është një meditim hipnotik i forcave të kundërta që formësojnë jetët tona: humori e dhimbja, humbja dhe shpresa, ashpërsia dhe dhimbshuria dhe atë se si edhe në orët tona më të errëta e gjejmë kurajën të ecim tutje”.

Edhe Kolumne Të bashkëjetosh me gjenocidin

Vitin e kaluar çmimin e kishte marrë romancieri i Koresë së Jugut, Han Kang, dhe përkthyesja Deborah Smith për “The Vegetarian”.

Më 2005 këtë çmim e kishte fituar Ismail Kadare, i cili edhe këtë vit ka qenë i përfshirë në listën e gjatë me “The Traitor’s Niche”, e përkthyer në anglisht nga John Hodgson.