Nata e tetë e “Chopin Piano Fest” solli para publikut pianistin e njohur Peter Donohoe. Bashkë me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Robert Guy, para publikut u shpalosën dy vepra të njohura: “Finlandia” e Jean Sibeliusit dhe “Koncert nr. 3 për piano dhe orkestër” e Sergei Rachmaninoffit. Gjatë tërë koncertit meloditë e pianos së Donohoe dhe orkestrës së Filharmonisë kanë qëndruar në një kryqëzim midis teknikës virtuoze dhe thellësisë emocionale
Për pianistin e njohur britanik, Peter Donohoe, skena e Kosovës nuk është e panjohur. Debutoi para një dekade, e sivjet në kuadër të “Chopin Piano Festit” ka ardhur i shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës, nën dirigjimin e Robert Guy.
“Koncerti nr. 3 për piano dhe orkestër” nga Sergei Rachmaninoff ka qenë vepra që u luajt nga Donohoe dhe orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Për publikun kosovar erdhi premierë, kurse për pianistin e njohur, hera e 188-të e interpretimit skenik. Në fakt, koncerti ka qenë edhe festë në 150-vjetorin e lindjes së Rachmaninoffit.

Në sferën e gjerë të muzikës klasike, “Koncerti nr. 3 për piano dhe orkestër” e Rachmaninoffit vlerësohet si kompozim që i kapërcen kufijtë e kohës dhe të hapësirës. Donohoe e zbërthen mjeshtërisht kompleksitetin e saj. Me të filluar, melankolia del nga thellësia e pianos dhe vazhdon e tillë gjatë tërë koncertit. Në disa raste, është akustika e sallës “Klan Arena”, ku u mbajt koncerti të hënën mbrëma, ajo që e penalizon interpretimin. Por detaje të tilla mbulohen nga niveli i performancës në tërësi.
Donohoe ka kohë që është dëshmuar në skenën botërore. Para gati një gjysmëshekulli doli në skenë me veprën, e cila ka peshë në repertorin pianistik. Ka lavdëruar punën e Filharmonisë e të dirigjentit.
“Dirigjenti është një mik i imi nga Anglia, edhe pse ne asnjëherë në fakt nuk kemi luajtur bashkë, por e njoh tash e disa vjet si një dirigjent me shumë potencial dhe mendoj se sonte e dëshmoi këtë. Kur je në moshën që jam unë, sigurisht që mund të mendosh për të rinjtë që premtojnë shumë. Por më të vërtetë është një kënaqësi e madhe, sepse me sa e di është hera e parë që kjo vepër po luhet në Kosovë, hera e parë edhe për dirigjentin e orkestrën, kurse për mua ishte performanca e 188-të. Po ndihem goxha si veteran. Me sa më kujtohet hera e parë që e kam luajtur këtë vepër, ka qenë viti 1976”, ka thënë Donohoe.
Peter Donohoe u lind në Manchester në vitin 1953. Ka studiuar në shkollën e muzikës së Chethamit për shtatë vjet, dhe ka diplomuar për muzikë në Universitetin e Leedsit duke vazhduar studimet në Kolegjin Mbretëror të Muzikës me Derek Wyndham dhe më pas në Paris me Olivier Messiaen dhe Yvonne Loriod. Ai është vlerësuar si një nga pianistët më të shquar të kohës së tij, për shkathtësinë stilistike dhe teknikën.
Donohoe ka interpretuar me orkestra te ndryshme nga e gjithë bota. Turnetë e tij globalë e kanë çuar në shumë vende, nga Amerika e Jugut në Evropë, Azi e SHBA.
Ka thënë se rikthimi në Kosovë ia ka dhënë ndjenjën se çdo gjë është zhvilluar për të mirë.
“Është një vepër shumë e rëndësishme në repertorin e pianos dhe çdoherë më ka pëlqyer ta luaj, dhe shumë shpesh e kanë kërkuar nga unë. Është shumë mirë që jam kthyer edhe një herë në Kosovë. Siç thatë edhe ju, unë kam qenë këtu tri herë të tjera më parë që të luaj solo në secilën herë e në të njëjtin festival. Është e mrekullueshme që të kthehem e të luaj me orkestrën. Ta jep ndjenjën që çdo gjë është duke u zhvilluar dhe është perfekte”, ka thënë Donohoe.
Koncerti shpaloset si një rrëfim prekës, ku çdo lëvizje zbulon një aspekt tjetër të përvojës njerëzore. Pjesa e dytë duket sikur shërben për një pushim të butë nga turbulencat e së parës. Mjeshtëria e Donohoe e transporton audiencën në një vend ku kujtimet lindin rishtas dhe ku tingujt udhëheqin mendimet e tyre.
Maestro Donohoe ka thënë se në njëfarë mënyre ky kompozim i përshtatet audiencës në Kosovë.
“Audienca këtu çdoherë është shumë e vëmendshme. Për çfarëdo arsye. Mund të jetë historia, nuk e di. Sigurisht që nuk mund të dimë aq sa ju për historinë tuaj, por jemi mjaft të vetëdijshëm që situata është e vështirë. Ka qenë tash e një kohë të gjatë dhe kjo duket se ka tendencë t’i bëjë njerëzit bashkë. E ndiej këtë shumë fort dhe çdoherë e kam ndier. Hera e parë që erdha këtu ishte viti 2013 dhe edhe në atë kohë të jepte ndjenjën e rilindjes dhe është e mahnitshme të jesh pjesë e kësaj skene”, ka thënë Donohoe.

Performancës së jashtëzakonshme të Donohoe i parapriu vepra “Finlandia” e kompozitorit finlandez, Jean Sibelius, luajtur nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Robert Guy. Vjen ashtu siç është shkruar 125 vjet më parë, si shenjë proteste ndaj censurës prej Perandorisë së Rusisë.
Sipas dirigjentit Guy, përfshirja në repertor e kësaj vepre ka edhe një arsye shtesë.
“E filluam me një vepër nga Sibelius dhe kjo ishte vetëm sa për të treguar se çka kjo orkestër është në gjendje të bëj. Pastaj e patëm ‘Koncertin për piano’ të Rachmaninoff dhe jam shumë i nderuar që patëm rastin ta luajmë bashkë me Peterin, i cili në fakt më ka rekomanduar mua të vija këtu, gjë për të cilën jam shumë falënderues, sepse kalova kohë shumë të mirë dhe shumë speciale”, ka thënë Guy.
Guy është i vlerësuar si një nga muzikantët e shquar të brezit të tij. Repertori i tij shtrihet nga klasikja e hershme në atë bashkëkohore, duke punuar me orkestra, ansamble, kore dhe opera. Ka drejtuar 47 premiera botërore.
Për të kjo ishte hera e parë në Kosovë. Dashuria dhe pasioni që muzikantët dhe publiku në Kosovë kanë për muzikën, ka thënë se janë diçka që do ta marrë prej këtu. Teksa ka krahasuar skenat botërore me atë të Kosovës, ka thënë se diçka të tillë gjen rrallë.
“Ajo çfarë mua më ka habitur është se muzikantët e duan muzikën që e bëjnë. Po ashtu edhe audienca. Edhe pse tingëllon si diçka që tashmë dihet, por nëse mund të jem i sinqertë, nganjëherë në Mbretërinë e Bashkuar njerëzit harrojnë që ne duhet ta duam muzikën. Kjo është diçka që do ta marr me vete, sepse ka qenë e mrekullueshme të shohësh njerëzit duke e dashur muzikën me shumë pasion dhe duke u munduar që ta japin më të mirën”, ka thënë Guy.
Koncerti i së hënës mbrëma në sallën e “Klan Arenës” e shënoi edhe rikthimin e bashkëpunimit midis “Chopin Piano Festit” dhe Filharmonisë së Kosovës.
Dardan Selimaj, organizator në Filharmoni, ka thënë se ky koncert ishte paraparë të mbahej në prill të vitit 2020, por si pasojë e pandemisë ishte shtyrë, ashtu si edhe bashkëpunimi midis tyre.
“Bashkëpunimi me partnerët tanë tradicionalë, festivalet, garat e talenteve të reja u pati ndërprerë në kohën e pandemisë dhe tash gradualisht kemi filluar t’u rikthehemi. Jemi të lumtur që tash do të kemi mundësi ta rikthejmë një agjendë të cilën e kemi ndjekur dikur, por për rrethana të caktuara nuk kemi pasur mundësi. Koncerti, i cili sonte u prezantua për publikun e Prishtinës, ka qenë i paraparë të realizohet në prillin e vitit 2020. Kanë kaluar 3 vjet dhe më në fund arritëm t’i bashkojmë të gjithë ato gjërat e nevojshme për të ardhur deri te ky moment”, ka thënë Selimaj.
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Festit”, Lejla Pula, ka thënë se është privilegj që maestro Peter Donohoe është pjesë e festivalit të tyre. Nata e tetë e festivalit erdhi me shumë entuziazëm si nga publiku, ashtu edhe nga artistët.
“Vërtet kjo ishte një mbrëmje fantastike, e veçantë. Unë i jam shumë falënderuese maestros Petet Donohoe, sepse në jemi marrë vesh para 4-6 vjetësh që ai ta luajë këtë koncert, sepse kjo ishte hera e 188-të që ai e ka performuar. Në të gjitha skenat botërore, nga Britania e Madhe, Evropa, Amerika, Kina e Amerika e Jugut, do të thotë është legjendë e pianizmit, është një pianist i përmasave botërore. Për ne është privilegj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme ta kemi në Prishtinë. Jam shumë e lumtur që e kemi rifilluar bashkëpunimin me Filharmoninë e Kosovës. Është një orkestër në ngritje çdoherë dhe mund t’ju them se shumë kohë të gjatë nuk i kam parë kaq të entuziazmuar dhe të lumtur”, ka thënë Pula.
Donohoe, të mërkurën në mbrëmje do të vijë me një tjetër program me koncert edhe në Tiranë në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Chopin Piano Fest” do të vazhdojë me “Edu week”, ngjarje kjo tradicionale e festivalit, e cila u jep hapësirë instrumentistëve të rinj.