Kulturë

Luois Henderson i kundërpërgjigjet kaosit ekologjik me art që riciklon

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës po vazhdojnë diskutimet me artistë të ndryshëm. Të enjten i ftuar ishte artisti britanik, Luois Henderson, i cili shpalosi detaje për veprën e tij “All That is Solid”, e cila është e shfaqur në ekspozitën “Smogu i madh i vitit 2021”. Po ashtu, ai ka diskutuar edhe për dokumentarin e tij “Ouvertures”, që zbërthen qasjen e tij të veçantë kinematografike.

“Smogu i madh i vitit 2021”, e hapur më 8 nëntor në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e kuruar nga Engjëll Berisha godet ndryshimet klimatike. Është e ndarë në dysh. Nimon Loka dhe Blerta Hashani në një anë paraqesin natyrën e pastër, në tjetrën veprat e artistëve britanikë Ben Rivers, Charlotte Prodger, Uriel Orlow dhe Louis Henderson nëpërmjet videove “shëtitin” vizitorët nëpër tmerrin ekologjik që është duke shkaktuar ngrohja globale. Duket se tatëpjeta që ka marrë ndotja e ambientit nuk ka të ndalur.

Luois Henderson në bashkëbisedim me kuratorin Engjëll Berisha ka vënë në pah pasionin e tij për të krijuar vepra nga materiale të riciklueshme. E bën këtë për të treguar kaosin ekologjik në të cilin është kapërthyer planeti.

“Jam i interesuar jo vetëm në riciklim, por në ripërdorim të mbeturinave dhe sesi dikush mund ta zhvillojë edhe një koncept artistik mbi këto gjëra të hedhura, duke u dhënë një qëllim të ri”, ka thënë artisti, i cili jeton dhe vepron në Paris. Ka shtuar se nuk e kishte menduar një qasje të tillë edhe në filmbërje.

“Pra, si një lloj arti ku mund të përdorësh ekranin për të shfaqur imazhe dhe objekte për të rrëfyer në një mënyrë disa aspekte të historisë”, ka thënë ai.

Henderson është kineast dhe shkrimtar që eksperimenton me mënyra të ndryshme të punës me njerëzit për të adresuar dhe vënë në pikëpyetje gjendjen aktuale globale të përcaktuar nga kapitalizmi racor dhe historitë gjithnjë të pranishme të projektit kolonial evropian.

Dokumentari i tij i gjatë “Ouvertures” flet për një grup aktorësh të cilët reflektojnë mbi procesin e përkthimit të dramës “Monsieur Toussaint” të Édouard Glissant nga frëngjishtja në gjuhën kreole. Shfaqja eksploron jetën e revolucionarit nga Haiti, Toussaint L’Ouverture.

“Kur e kam realizuar më herët filmin, jam ndier shumë i distancuar nga njerëzit pasi që në fakt edhe filmi ka të bëjë për disa njerëz të cilët nuk kanë ndikim mbi mënyrën sesi po realizohet filmi. E për këtë film kam dashur që të jetë një film jo vetëm për disa njerëz, por të jetë një film ku njerëzit janë të përfshirë në të”, ka thënë ai. Veprat e tij artistike janë shfaqur në festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit, në muze dhe bienale të artit.

Prej vitit 2017, ka punuar me grupin e artistëve “The Living and the Dead Ensemble”, pasi që jetonin në mes të Haitit dhe Francës, dhe përqendrohen në teatër, këngë, kritikë, poezi dhe kinema. Filmi i tyre i parë me metrazh të gjatë u vlerësua me një përmendje të veçantë “FIPRESCI” në edicionin e 70-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 2020. Henderson është ende pjesë e këtij grupi dhe ka bërë të ditur se janë duke punuar në një shfaqje të re që së shpejti do të nisë rrugëtimin nëpër teatro. Po ashtu, ka thënë se janë duke punuar edhe në një video-instalacion të cilin e kishin punuar në vitin 2020, atëherë kur edhe nisi pandemia dhe ka shtuar se janë duke menduar që të njëjtin ta shfaqin nëpër vende të ndryshme.