Kulturë

Lule në Lumbardh e thirrje për të mos e harruar figurën e Bekim Fehmiut

Amaneti i tij kishte qenë që urna me hirin e tij t’i hidhej në Bistricën e Prizrenit, në atë që sot njihet edhe si Lumbardhi. Pikërisht në breg të lumit të martën, në 11-vjetorin e vdekjes së Fehmiut, janë mbledhur miq, bashkëpunëtorë e artdashës. Kanë hedhur lule, aty ku u mblodhën për ta plotësuar amanetin e aktorit. Por, edhe kanë bërë thirrje që figura madhore e tij të nderohet edhe nga shteti

Në ditën e 15 qershorit të vitit 2010, nga rruga “Zvezdara” në Beograd do të dilte një lajm i madh. Në banesën e tij ishte gjetur i vdekur një prej yjeve kryesore të filmit jugosllav, i cili më vonë do të merrte nam botëror. Kumti se Bekim Fehmiu ishte vetëvrarë u shoqërua edhe me një lajm që si amanet zbërthente fort ndjesinë që aktori me nam kishte për vendin e tij. Fehmiu kishte porositur që urna e tij të hidhej në Bistricën e Prizrenit, në atë që sot njihet edhe si Lumbardhi.

Pikërisht në breg të lumit të martën, në 11-vjetorin e vdekjes së Fehmiut, janë mbledhur miq, bashkëpunëtorë e artdashës. Kanë hedhur lule, aty ku u mblodhën për ta plotësuar amanetin e aktorit.

I lindur në Sarajevë më 1 qershor të vitit 1936, Bekim Fehmiu kishte një lidhje të fortë me Prizrenin. Aty kaloi një pjesë të fëmijërisë. Pavarësisht që shëtiti botën dhe nuk la ekran kinemaje pa u shfaqur, lidhje e tij me Prizrenin, nuk u zbeh asnjëherë. Veç sa u forcua. Njëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, shteti planifikon ta forcojë kujtimin për Fehmiun dhe trashëgiminë që ka lënë prapa. Për dallim nga koha kur vdiq – kur në Kuvendin e Kosovës u refuzua të mbahej një minutë heshtje – sivjet është emëruar një grup punues që do të hartojë konceptin për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë së aktorit. Kjo u bë e ditur në 80-vjetorin e lindjes Fehmiut në ditën e parë të këtij muaji.

Por në ditëvdekjen e tij institucionet heshtën. Fondi arkivor “Bekim Fehmiu” që udhëhiqet nga gazetari Fahri Musliu, organizoi shënimin e 11-vjetorit të vdekjes. Rreth 50 veta janë mbledhur tek ura e njohur si Ura e Gani Tadës dhe kanë hedhur lule në lumë.

Miku i aktorit i Fehmiut, Milazim Salihu ka thënë se ceremonia ka shkuar shumë mirë.

“E kujtuam aktorin tonë të madh, hodhëm lule, pimë nga një kafe e folëm për të”, ka thënë Salihu. Në të gjallë të tij sa herë vizitonte Prishtinën, ishte i pandashëm me Salihun. Bile, pas vdekjes së Fehmiut, në përvjetor të lindjes dhe të vdekjes, ai simbolikisht kujtohej në Kinemanë ABC në Prishtinë. Derisa institucioni udhëhiqej nga Salihu, deri më 2014, në atë që ishte “Këndi i Bekim Fehmiut” vendosej pakoja me cigare, kafeja e një taketuke. Por tradita nuk u vazhdua.

“Ditëlindja u shënua në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Salihu, duke iu referuar ditës kur u nda çmimi kombëtar për vepër jetësore në kinematografi, “Bekim Fehmiu” dhe Çmimi vjetor për kinematografi.

Më 1 qershor udhëheqësit shtetërorë në “Kino Armatë” bënë të ditur një nismë të madhe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta përshkruante e ka përshkruar Fehmiun si figurë qendrore të identitetit kulturor.

“Ai me rolet e tij shpaloste talent të rrallë artistik. E ndiej obligim personal dhe shtetëror nderimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut. Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës me kujdes do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”, kishte thënë ai. Sipas Kurtit, duke e mbrojtur figurën e Fehmiut, Kosova nderon kombin dhe e promovon kulturën e vet në botë.

{gallery}

Në ceremoni ishte bërë me dije se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka marrë vendim për emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore. Fadil Hysaj, Milazim Salihu, Fahri Musliu, Melihate Qena, Agon Fehmiu, Vlora Nikqi, Jehona Shyti, Bislim Bislimi, Ilir Gjocaj, Lum Çitaku dhe Burim Susuri, janë anëtarët e grupit punues.

Por Milazim Salihu, ka treguar se grupi ende nuk ka mbajtur ndonjë mbledhje.

“Shpresoj që do të mblidhemi dhe t’i japim disa ide që të bëjmë diçka të mirë për Bekimin. Duhet të blihen të drejtat për filmat ku ka luajtur dhe të jenë në muze të shihen nga të gjithë. Është trashëgimia jonë më e madhe kulturore”, ka thënë Musliu për aktorin që me filmin “Mbledhësi i puplave” shkoi edhe në Cannes.

Fahri Musliu, i cili organizoi ceremoninë e së martës, ka thënë se qëllimi ishte që në mënyrë të thjeshtë të kujtohet aktori. Musliu, që ka përgatitur monografinë për Fehmiun, ka thënë se në fjalën e tij të shkurtër, ka pasur qëndrime kritike për shpërfilljen që po ia bën pushteti lokal dhe ai qendror figurës së Bekim Fehmiut. Ka përmendur nismën e Qeverisë për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë së Fehmiut.

“Kritikova mospjesëmarrjen e zyrtarëve të Prizrenit as në këtë datë të përvjetorit të shuarjes së Bekimit e as në ditëlindjen tij, ku për herë të parë u kujtua nga Qeveria. Kritikova edhe shpërfilljen totale të pushteteve të Prizrenit që në 10 vjetët e fundit u kam dërguar me dhjetëra kërkesa propozime dhe nisma që kanë të bëjnë me figurën dhe veprën e Bekimit, por kam hasur në vesh të shurdhër”, ka thënë ai. Ka treguar se ka plot tre vjet që është duke kërkuar një hapësirë për ekspozitë të përhershme të posterëve dhe fotove të filmave, videokasetave e të librave të Fehmiut dhe për Fehmiun, përfshirë shkrimet e gazetave vendore dhe ndërkombëtare, pikturave kushtuar atij dhe gjësendeve private të aktorit.

“Për fat të keq, pushtetarët lokalë nuk e kuptojnë vlerën e Bekimit që do të shërbente edhe për zhvillimin e turizmit kulturor në nivel lokal dhe për diplomaci kulturore në nivel qendror”, ka thënë ai. Nismë tjetër e Musliut është edhe përkthimi i monografisë për Fehmiun dhe dy vëllimeve të autobiografisë “Shkëlqim dhe tmerr”.

“Shpresoj që Ministria e Punëve të Jashtme do të ketë mirëkuptim që të përkthej këto vepra”, ka thënë midis të tjerash ai.

E drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, Fetah Paçarizi, ka thënë se institucioni që ai udhëheq, në ditën e lindjes së aktorit Bekim Fehmiu dhe Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, për nder të figurës së Fehmiut dhe me rastin e shënimit të 1 qershorit, kishte realizuar premierën e shfaqjes për fëmijë “OK natyrë”.

“Teatri i Prizrenit ka nderin dhe privilegjin që mban këtë emër, njëherësh në emrin e stafit falënderoj të pranishmit”, ka thënë ai.

Për dallim nga Prizreni, pas ceremonisë të mbajtur në Prishtinë para 15 ditësh, është shfaqur filmi “Mbledhësi i puplave” nën regji të Aleksandar Petroviqit, fitues i çmimit “Grand Prix” në Festivalin Cannes, 1967. Me Bekim Fehmiun si protagonistin kryesor (Beli Bora), filmi ka shpalosur tensionet e një komuniteti rom, ku një shitës lokal i puplave dashurohet me një vajzë shumë më të re në moshë.

Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë, nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 pikërisht me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filmat si: “Aventurieri”, “Të kuq dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës. Në vitin 1987, Fehmiu braktisi në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, duke ia dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Në vitin 2010, ai kishte kryer vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë, patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumbardhin e Prizrenit.