Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Loti” pa fjalë për vuajtjen, dhembjen dhe izolimin

Është një video katërminutëshe që evokon vetminë, dhembjen dhe izolimin. Por këto thirrje e mesazhe të shtresëzuara nuk vijnë përmes fjalëve. Thirrjet e shumëfishta të saj gjuhësohen përmes tingujsh e pamjeve bardhezi. Madje në shpjegimin që ka përcjellë shpërndarjen e “Lotit” është bashkëngjitur edhe një thënie e novelistit polak Jerzy Kosinski se “parimet e artit të vërtetë nuk janë të portretizojnë, por të evokojnë”, shkruan sot Koha Ditore.

Vepra “Loti”, që përzien në mënyrë eklektike zhanrin ambiental, progresiv, new-age dhe klasik, ka bërë bashkë artiste virtuoze e profesionistë. Duke kontribuuar me shpirt e vullnetarisht, siç e thotë aranzhuesi i videos muzikore, Agron Shala, ata kanë bërë të mundur që të bëhet diçka unike në aspektin viziv dhe atë audio.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Dikush e ka përjetuar si një poezi të projektuar në eter, një tjetër si vetmi, tjetri si spastrim, e dikush edhe si dhembje e kërkim çlirimi… përmes lotit!”, thuhet në një përshkrim për videon “Loti”. E dhënë “premierë” të enjten, videoja për dy ditë ka pasur mbi 1 mijë shikime vetëm në Youtube.

Gjithçka zë vend brenda një hapësire të ngushtë e të thjeshtë: është një mur i gëlqerosur me të bardhë, një kornizë e zezë e varur dhe skajet e një qilimi. Aty performon një nga balerinat më të njohura shqiptare, Vjollca Llugiqi. E koreografuar nga vetë ajo, lëvizjet e saj përçojnë gjendje e mesazhe.

Me një ndërmjetëz brenda videos ku për disa sekonda shihen si turbullt fluturimet e shpendëve, performanca e balerinës ecën njëkohshëm me vokalin pa fjalë të sopranos së shquar Besa Llugiqi.

E jashtë performances së dy artisteve motra, është një ekip i tërë realizuesish. Konceptimi i videos është bërë nga Fahredin Spahija, përderisa Muhamet Veseli-Muha është inxhinier i zërit, kurse xhirimet janë bërë nga kameramanët Korab Basha e Pjetër Monreca.