Kulturë

Liria dhe improvizimi provojnë se në art nuk ka gabime

Performanca “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” dhe Ilir Bajri erdhën si shfaqje eksperimentale lëvizjesh, tingujsh dhe imazhesh teksa e shndërroi Qendrën për Praktikë Narrative në hapësirë ​​intime për eksplorim unik e individual të shprehjes artistike. Në këtë sferë spontaniteti publiku nisi një rrugëtim të udhëhequr nga notat e Ilir Bajrit, shoqëruar nga lëvizjet e Rosella Pellicciottit dhe Fjorald Docit, nën udhëheqjen artistike të Gentian Dodës. Shfaqja nuk shemb vetëm konceptin e artit, por edhe atë të vetë njeriut. Një performancë si kjo, ndër të tjera, dëshmon se në art s’ka gabime

Rruga për te Qendra për Praktikë Narrative e mbështjellë me gumëzhimën e kryeqytetit në mbrëmjen e fundit të nëntorit i jep peshë edhe më tepër përditshmërisë, rëndomësisë bashkë me të. E në hyrjen e objektit të ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, i mbrojtur si monument, bëhet shkëputja nga krejt ky përjetim gati i mësuar përmendësh. Aty atmosfera është ngarkuar me elektricitetin e spontanitetit. “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” dhe Ilir Bajri janë aty për ta orkestruar një mbrëmje me ndërthurje lëvizjesh, tingujsh dhe imazhesh e për të shpalosur një përvojë eksperimentale të krijimtarisë që kapërceu kufijtë e artit konvencional.

Për këtë sesion larg nga e zakonshmja, dhoma është shndërruar në hapësirë ​​intime me jastëkë të shpërndarë nëpër dysheme, ndriçim të zbehtë, duke krijuar një mjedis ndryshe që ftoi audiencën të përfshihej nga afër me spektaklin e shpalosur.

Çaste para performancës atmosfera ishte e tensionuar, çdo frymëmarrje dukej sikur jehonte deri në sekondat që çuan në notën e parë të goditur nga maestro Ilir Bajri. Që në atë moment gjithçka përreth nis e mbështillet me një copë tingujsh, e thurur me mjeshtëri nga pianisti e kompozitori i njohur. Ndërmjet sekondave, Bajri hedh vështrimin nga muri i bardhë në ballë të dhomës ku pas dy-tre tingujsh u shfaq një video. Është performanca e “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” me Rosella Pellicciottin dhe Fjorald Docin nën drejtimin artistik të Gentian Dodës.

Image
Kur videoja ndalet Rosella Pellicciotti në hapësirën e Qendrës për Praktikë Narrative nis performancën me gati secilën lëvizje në sinkron me akordet e luajtura nga Ilir Bajri (Foto: Flamur Qorolli / Qendra për Praktikë Narrative)

Videoja e parë shfaq Pellicciottin në një dhomë, hapësira e së cilës është e mjaftueshme për të lëvizur. Ajo ngec mes shtyllave në qoshe duke bërë përpjekje për t’u liruar. Secili tentim sjell një varg lëvizjesh që vënë në pah talentin e performueses nga një këndvështrim tjetër. Jashtë kornizave të vallëzimit me koreografi. Videoja ndalet dhe Pellicciotti në hapësirën e Qendrës për Praktikë Narrative e ulur mes audiencës nis performancën me gati secilën lëvizje në sinkron me akordet e luajtura nga Bajri.

Në videon e dytë i bashkohet Fjorald Doci dhe bashkë përçojnë një lloj përpjekjeje për të jetuar në moment duke u mbajtur në kujtimet për të shkuarën si në një fije peri. Përjetimi i sesionit si tërësi mbetet individual për çdonjërin të pranishëm.

Spontanitet të rastësishëm e ka quajtur performancën Bajri duke e bërë të ditur se në raste të tilla lejohet çdo gjë ta ketë ndikimin e vet.

“Pjesa më e madhe natyrisht ka qenë improvizim edhe spontan, por në fillim në bazë të provave që i kemi bërë i kemi vendosur disa kontura të krejt pjesës, por tash dikush sa më tha se krejt tjetër gjë ke luajtur në prova, krejt tjetër gjë tash në performancë. Dhe kjo është ajo. E lë çdo gjë të ndikojë në ty, edhe emocionalisht, kështu kam provuar”, ka thënë Bajri.

Image
“Më së shumti bazohemi te koncepti. Kur luaj kështu nuk mendoj shumë për muzikë. Çka po luaj, çfarë akordesh e shkalle. Nuk mendoj në asnjë moment se a jam duke gabuar diçka. Pikërisht si piktori kur e hedh ngjyrën në pëlhurë...”, ka thënë Ilir Bajri (Foto: Flamur Qorolli / Qendra për Praktikë Narrative)

Përjetimi i performancës së artistëve si eksperiencë krijoi një lloj pyetjeje për atë që shihet e atë që ndihet. Loja e Bajrit thekson lëvizjet e performuesve. Njëfarë marrëdhënie midis secilit të pranishëm si në rolin e artistit, si në atë të audiencës e mundëson një shprehje të lirë e pa kufizime.

“Unë mendoj që nuk janë të ndara. Mendoj që krejt njerëzit që marrin pjesë, pa marrë parasysh a janë duke dëgjuar muzikë apo a janë duke bërë muzikë prej momentit të parë kur afrohen ndikojnë emocionalisht sidomos te njëri-tjetri. Kjo është një formë që mua gjithë më ka pëlqyer e njëfarë shprehjes pak më të lirë, jo e parapërgatitur. Nëse e kishim bërë këtë shfaqje 7-8 herë, 10 herë, ajo veç fillon me qenë më pak e më pak spontane, sepse ne jemi këso krijesash, kemi dëshirë krejt me i futë nëpër kuti, me i renditë. Por, unë mendoj se duhet me i leju vetes liri me u shprehë, por duke pasur respekt vazhdimisht për tjetrin”, ka thënë Bajri.

Intuita luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e shfaqjes si tërësi. Edhe pse për këtë sesion janë mbajtur prova, tingujt, lëvizjet, performancat vijnë të atypëratyshme, të paplanifikuara duke mos lënë hapësirë për frikën ndaj gabimeve eventuale.

“Më së shumti bazohemi te koncepti. Kur luaj kështu nuk mendoj shumë për muzikë. Çka po luaj, çfarë akordesh e shkalle. Nuk mendoj në asnjë moment se a jam duke gabuar diçka. Pikërisht si piktori kur e hedh ngjyrën në pëlhurë dhe pastaj nis t’i japë formë e ta kombinojë me ngjyra tjera dhe mendoj se secili është në gjendje me ardhë në përfundimin e tij personal”, ka përfunduar Bajri.

Themeluar nga koreografi Doda në vitin 2021, “Was bleibt kollektiv” bashkon artistë ndërkombëtarë të vallëzimit dhe multidisiplinar që ndajnë nevojën për të hulumtuar dhe zhvilluar ide përmes aftësive shprehëse të trupit. Fokusi i tyre mbështetet në zbulimin e kushteve njerëzore përmes lëvizjes ose mungesës së saj, në aftësinë për ta dominuar dhe zbutur atë. Fija e përbashkët në eksplorimet e tyre është përpjekja për të gjetur elementë të qëndrueshëm që mbeten pas çdo manifestimi artistik.

Të njëjtën e kanë shpalosur para audiencës në objektin e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”.

Image
Secili hap sjell një varg lëvizjesh që vënë në pah talentin e performueses nga një këndvështrim tjetër. Jashtë kornizave të vallëzimit me koreografi (Foto: Flamur Qorolli / Qendra për Praktikë Narrative)

Doda më së thjeshti e ka krahasuar me një film pa zë, gjatë së cilit imagjinata e shikuesit krijon vetë dialogun.

“Çfarë shifshim në video ka një lloj konflikti më shumë individual dhe pastaj është vetë interpretimi i artistëve, si mund t’i përshtaten këtij lloj ambienti që prezantohet në video. Është si e kaluara dhe e tashmja”, ka thënë Doda.

Koha luajti një rol vital në formësimin e rrugëtimit mbresëlënës të “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” dhe performancës eksperimentale të Ilir Bajrit. Nga pauza përpara notës fillestare deri te rezonanca e vazhdueshme e akordit të fundit, koha u bë një entitet, duke u përkulur dhe shtrirë në harmoni me artin e shpalosur.

“Unë e shoh një proces të vazhdueshëm gjatë gjithë kohës. Po e bëmë edhe njëherë tjetër do të jetë komplet gjë tjetër dhe prandaj nuk ka një finale, sepse vetëm për faktin që koha kaloi nuk është njëjtë. Nuk pretendoj rezultat, e pretendoj një eksperiencë”, ka thënë Doda.

Videot e shfaqura gjatë performancës janë pjesë e një paraqitjeje që “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” e kanë pasur në Tiranë. Për tri ditë radhazi nëpër hapësira të ndryshme ata kanë shfaqur nga një fragment dhe në ditën e fundit për publikun që i ka ndjekur është luajtur video e plotë. Në Prishtinë ia shtuan edhe lojën fizike mes audiencës.

Rosella Pellicciotti ka folur për mënyrën se si treshja kanë ardhur deri tek ideja për ta sjellë sesionin në Prishtinë.

“Ideja e këtij jam-session lindi në Tiranë si diçka spontane më shumë si një lojë mes miqve në njëfarë mënyre. Vendosëm të mblidheshim dhe të bënim diçka totalisht eksperimentale, sepse zakonisht nëpër performanca kemi materiale të koreografuara, çdo gjë e strukturuar dhe menduam të bënim diçka më të lirë për të parë se ku mund të shkojë trupi pa i pasur ato strukturat e paradefinuara”, ka thënë Pellicciotti.

E Fjorald Doci ka veçuar lidhjen midis tyre dhe Bajrit.

“Ishte vërtet e veçantë, patëm një eksperiencë shumë elektrizuese nga ana e koneksionit që patëm me Ilirin, hapësira që vetë e krijoi një ambient shumë intim, muzika, video që ishte në prapavijë. Kjo krijoi mundësinë që të bënim këtë sesion që e formësoi një emocion shumë ndryshe për këtë natë”, ka thënë Doci.

Treshja “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” bashkë me Ilir Bajrin janë ftuar nga Qendra për Praktikë Narrative në kuadër të programit të tyre kulturor.