Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Lost New York” kujton monumentet e veçanta, por të harruara të qytetit

Ekspozita Lost New York

Manhattan, Hipodromi, Avenyja e Gjashtë, midis “Rrugës 43” dhe “Rrugës 44”, më 1905

Një ekspozitë e re e hapur në muzeun “New-York Historical Society” kujton vitet e ndryshimeve rrënjësore në qytet, për mirë e për keq. Ekspozita nxjerr në dritë shtresa të historisë që përgjithësisht janë harruar, duke treguar se si monumentet, zakonet dhe komunitetet kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e qytetit, edhe pse ato mund të mos mbahen në mend

Në dekadat e fundit qyteti i New Yorkut ka ndryshuar drastikisht duke u transformuar nga nivelet më të ulëta të krimit dhe epidemive të drogës që rrënuan qytetin në vitet ‘70 dhe ‘80, në ringjalljen dhe optimizmin që tipizoi vitet ‘90 dhe rritjen e banorëve të klasave më të larta shoqërore, që ka qenë një burim debati kohët e fundit.

Pavarësisht këtij transformimi, dikush mund të supozojë se këto janë forca të reja me të cilat njujorkezët po detyrohen të përballen.

Në fakt, një nga pikat që trajtohen në ekspozitën mahnitëse “Lost New York” është se këto forca e kanë transformuar qytetin për një kohë shumë më të gjatë. Ekspozita nxjerr në dritë shtresa të historisë që përgjithësisht janë harruar, duke treguar se si monumentet, zakonet dhe komunitetet kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e qytetit, edhe pse ato mund të mos mbahen në mend.

E përbërë nga rreth 100 eksponate historike – mes tyre piktura, fotografi, objekte dhe litografi –  ekspozita i transporton vizitorët në një kohë kur derrat bredhin rrugëve të New Yorkut, pazari ishte një akt radikal dhe njujorkezët u bënin ballë ujërave të ndotura për të notuar. Gjithashtu dokumentohen monumente të shuara prej kohësh si: stacioni origjinal “Penn Station”, shtëpia e operës “Met”, Teatri Kinez dhe të tjerë.

Gjatë gjithë ekspozitës, citate nga “pjesëtarët e komunitetit” –  duke përfshirë ekspertë, artistë, atletë –  i shtojnë thellësi dhe nuancë historisë së paraqitur në të.

Edhe Historia 250-vjeçare e SHBA-së nëpërmjet artit indigjen Kulturë Historia 250-vjeçare e SHBA-së nëpërmjet artit indigjen

Dipas kuratores, Wendy Nālani E Ikemoto, “Lost New York” flet për rëndësinë dhe ndikimin e ruajtjes së asaj që ka humbur në kujtime. Ajo mendon që ekspozita nuk fokusohet vetëm te monumentet e zhdukura, por edhe te rimëkëmbja e qytetit bashkëkohor.

“E kaluara ka kuptim vetëm në marrëdhëniet me të sotmen”, ka thënë Ikemoto në një intervistë. “Ne duam që publiku të largohet me pyetje të thella mbi nxitësit dhe pasojat e ndryshimit, përmes shtresave të shumta të së kaluarës së qytetit”.

Një monument që festohet në ekspozitë është stacioni i vjetër “Pennsylvania Station”, i cili u rrënua në vitet '60 duke shkaktuar zemërim në mesin e banorëve të qytetit. Po ashtu ekspozita përmban vizatime arkitektonike që japin një pamje të brendshme të stacionit të vjetër, si dhe një fotografi bardhezi të rrënimit.

Ikemoto theksoi se ky stacion ishte monument madhështor dhe historik, duke cituar historianin e arkitekturës, Vincent Scully, i cili kishte thënë: “Dikush hyri në qytet si Zot. Tani dikush futet brenda si mi”.

Rrënimi i stacionit ishte i rëndësishëm vetëm për faktin që nxiti krijimin e Komisionit për Ruajtjen e Monumenteve të New Yorkut. Sipas Ikemotos, ky ishte një hap i rëndësishëm pasi ajo i sheh monumentet si thelbësore për gjallërinë e komunitetit dhe mirëmbajtjen e tyre, si një pjesë të vlefshme të ruajtjes së identitetit të një vendi dhe ndjenjës së historisë.

Edhe Ekspozita që feston artin amerikan nga viti 1900 deri në vitet ‘80 Kulturë Ekspozita që feston artin amerikan nga viti 1900 deri në vitet ‘80

“Monumentet janë qendra për komunitetin. Janë vende ku njerëzit lënë vendtakime. Ato bëhen edhe lokacione që ndihmojnë në identifikimin e një qyteti”, ka thënë ajo.

Prandaj “Lost New York” nuk ka të bëjë vetëm me përkujtimin e vendeve nga e kaluara, por edhe për të kuptuar rëndësinë e monumenteve që ekzistojnë aktualisht dhe arsyet e nderimit dhe ruajtjes së tyre.

Ikemoto shpreson që vizitorët të largohen nga ekspozita duke menduar më seriozisht për monumentet e zhdukura dhe ato që ekzistojnë ende.

“Dua që vizitorët ta shijojnë ekspozitën dhe të kënaqen duke u thelluar në shumë shtresa të së kaluarës së qytetit”, ka thënë ajo. “Gjithashtu dua që ata të largohen me pyetje kritike për shkakun dhe pasojat e kësaj humbjeje”.

Edhe “Rilindja: memory, heritage, meaning” për “Rilindjen” si kujtim Kulturë “Rilindja: memory, heritage, meaning” për “Rilindjen” si kujtim

Ekspozita “Lost New York” qëndron e hapur në muzeun "New-York Historical Society" deri më 29 shtator. Ajo fakton dekada të momenteve kryesore të qytetit të New Yorkut, me përshkrime të qarta dhe detaje të gjalla për të krijuar një portret real të historisë së qytetit. Pikturat dhe fotografitë e saj janë mësime për të gjithë ne.

Marrë nga “The Guardian” Përktheu: Edona Binaku