Opera e Kosovës me Universitetin e Prishtinës janë bërë bashkë për “Lo Speziale” (Farmacisti) të Joseph Haydn. Ngjarja zhvillohet në farmaci tip laboratori e në këtë kontekst kjo asocion edhe me një tjetër fakt. Prej aty hapet skena për yje të reja të operës. Mentoruar prej sopranos Besa Llugiqi, studentëve u jepet shansi për ta sfiduar veten. Me këtë synim edhe ishte nismuar realizimi i këtij projekti
Orkestra të rralla shihen në teatrin “Oda”. E bashkë me skenografinë prapa e bëjnë skenën të duket njëfarë hapësirë e një teatri laborator. Por, kësaj radhe bëhet fjalë për një operë laborator. Studentë të muzikës së Universitetit të Prishtinës, instrumentistë e ata të solokëndimit janë përzgjedhur për të inskenuar një operë.
Opera e Kosovës bashkë me Universitetin e Prishtinës janë bërë bashkë për “Lo Speziale” (Farmacisti) të Joseph Haydn. Është një operë komike me tri akte, ku dashuria e batutat që zhvillohen e bëjnë publikun që të jetë syhapur vazhdimisht. Qëllimi i dy të rinjve për të kurorëzuar dashurinë kalon nëpër shumë sfida që para publikut paraqiten më shumë si zbavitje shkaku i situatave komike.
Orkestra e Operës së Kosovës, që kësaj radhe është përbërë nga studentë – meqenëse Opera është veç një institucion me administratë pa asnjë punonjës artistik të përhershëm – është dirigjuar nga britaniku Chris McCraken.

Me gjithë lojën studentore, edhe shkaku i përmbajtjes së operës me libret të Carlo Goldonit, historia është shpalosur me goxha sens artistik. Të tria aktet zhvillohen në një farmaci. Situata komike bashkë me xhelozitë e kurthet që përdorën në historinë e dashurisë që shfaqet, e bëjnë këtë vepër sa komike aq edhe bashkëkohore.
E studentët e instrumenteve kanë treguar shkathtësitë e tyre të prirë nga dirigjenti britanik.
“Ata janë të mrekullueshëm. Disa prej tyre janë shumë të mirë. Janë yje në rritje e sipër. Mendoj se kjo ishte një mundësi e mirë për ata të luajnë dhe shpresoj që të kenë edhe më shumë mundësi”, ka thënë ai.
Studentët që kanë marrë rolet operistike janë të klasës së sopranos të profesoreshës Besa Llugiqi. Në sytë e saj kjo përvojë është shumë e vlefshme për ta. Madje me disa prej tyre ajo ka ndarë skenën, kur ishte roli kryesor i produksionit të parë të Operës së Kosovës në fund të vitit të kaluar, “La Traviata” të Verdit.
“Jam shumë e kënaqur për shumë arsye, por sidomos për një sfidë që e kanë pasur këta sot e në ditët në vijim do ta kenë të tjerët. Kjo ishte një shkollë për ta. Një sfidë e madhe që e kaluan me sukses. Në performancë duket se gjithçka që kemi investuar gjatë kohës në ndërtimet e karaktereve doli shumë në pah”, ka thënë Llugiqi. Sipas saj, studentët dolën pak prej vetes me shumë lëvizje dhe mimika për t’i bërë shumë të dukshme karakteret që kishin.

Opera nën regji të Elikonë Hysaj-Shalës dhe Dardan Selimajt përtej krejt situatave komike përfundon me kurorëzim të dashurisë. Në mënyrë që sa më shumë studentë të kapin këtë përvojë operistike, të enjten mbrëma e po ashtu të premten në role janë artistë të tjerë.
Katër personazhet e “Lo Speziale” personifikohen nga baritoni Harris Bajraktari si Sempronios, sopranot Elvira Mazhiqi, Urta Haziraj dhe Aurela Krasniqi në rolin e Griletës, tenori Rizah Jahaj në rolin e Mengones dhe mexosopranot Dija Sadiku, Andra Rexhepi në rolin e Volpinos.
Harris Bajraktari krejt këtë eksperiencë e ka përshkruar si diçka të pazakontë me një ndjesi të veçantë.

“Jam kënaqur shumë. Ka qenë një eksperiencë fantastike që nuk do ta harroj kurrë. Ndoshta po e ekzagjeroj pak, por meqenëse është produksioni i dytë i Operës së Kosovës, kjo më bën të ndihem shumë veçantë”, ka thënë Bajraktari. Ai ishte edhe pjesë e kastit të “La Traviatas”. Por, kësaj radhe kishte tjetër hapësirë.
“E kjo e bën më të veçantë këtë operë për mua”, ka thënë ai. Me sallën plot, “Lo Speziale” ka bërë që publiku të “prekë” pak nga talenti i një pjese të muzikantëve të ardhshëm. E po ashtu edhe Opera e Kosovës në njëfarë forme ka testuar të ardhmen e vet sa u përket kuadrove.
Me këtë synim edhe ishte nismuar projekti. Në prillin e sivjetmë, kur provat kishin nisur, sopranoja Llugiqi kishte thënë se iniciativa të tilla kishte pasur edhe më herët, por që asnjëherë nuk kishin arritur të realizoheshin. Kur performoi “La Traviatan” në Prishtinë, Llugiqi arriti të kuptonte nevojën e madhe që studentët e saj kanë për t’u paraqitur para publikut.
“Është hera e parë që studentëve të Universitetit të Prishtinës u jepet një mundësi bashkëpunimi bashkë me Operën e Kosovës. Ka pasur iniciativa edhe më herët, por që asnjëherë nuk janë realizuar. Domethënë për herë të parë realizohet në një nivel të tillë institucional. Në audicionet e operës së ‘La traviatas’ e kam parë sa kanë nevojë ata që të fitojnë më shumë vetëbesim për t’u ngjitur në skenë, për të kuptuar rëndësinë e tyre, për të kuptuar sa e domosdoshme është një skenë e tillë për ta”, kishte thënë ajo.
Për pjesën e fundit të vitit Opera synon një tjetër produksion, kësaj radhe më pak laboratorik.
Të enjten Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për angazhim në institucionin e Operës së Kosovës me qëllim të realizimit të shfaqjes operistike “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi. Sipas konkursit kërkohen 55 instrumentistë, 40 koristë e 6 solistë. Përderisa konkursi vazhdon të jetë i hapur deri në fund të këtij muaji, edhe sot (e premte) publiku ka mundësi të hyjë në botën e “Lo Speziale”.