Kulturë

“La Traviata” – testi i Operës së Kosovës për ta vulosur emrin

Jetësimi i kryeveprës së Giuseppe Verdit ka tjetër peshë: ia vulos me operë emrin që ka – Opera e Kosovës. Premiera është sonte prej orës 19:00 në sallën “1 Tetori” dhe nëse çdo gjë shkon ashtu siç është paraparë, publiku do ta ndiejë magjinë e skenave të njohura. Prapaskena e rrugëtimi deri këtu janë tjetër histori e institucionit, që para një viti e ca hodhi hapat e parë, ende pa shtëpi të veten

Pavarësisht sfidave me të cilat përballet, “La Traviata” do të shënohet në historinë e kulturës në vend si e para operë e inskenuar prej Operës së Kosovës, ende pa shtëpi të veten, e themeluar në gushtin e vjetëm, e inauguruar me koncert në fund të tetorit të atij viti. Por jetësimi i kryeveprës së Giuseppe Verdit ka tjetër peshë: ia vulos me operë emrin që ka – Opera e Kosovës. Premiera është sonte prej orës 19:00 dhe nëse çdo gjë shkon ashtu siç është paraparë, publiku do ta ndiejë magjinë e skenave të njohura. Prapaskena e rrugëtimi deri këtu janë tjetër histori.

Të mërkurën mbrëma, në provën e përgjithshme, ekipi po merrej me detajet e fundit. Vjen në një formacion të kompletuar profesionalisht. Nga Bullgaria përkrah ka Operën Shtetërore të Stara Zagorës, nga Shqipëria Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës dhe Filharmoninë e Kosovës. Bëhen bashkë për të sjellë një prej veprave më ikonike. Vetë vepra është madhështore. Prej të tillave që ka kumbuar nëpër skena prestigjioze operistike. Madje cilësohet si prej operave që ka rrugëtuar më së shpeshti nëpër botë. Është komplekse edhe për nga interpretimi, ku përfshin njëmbëdhjetë role. Ndërkaq ngjarja bazohet në dramën e Alexandre Dumas, “La Dame aux camelias”. Në jo pak vështirësi ka hasur institucioni që nga fillimi i provave gati para një muaji. Infrastruktura e papërshtatshme, mungesa e stafit dhe improvizimet janë veç disa nga to. Ato që po e kompletojnë premierën janë bashkëpunimet, të cilat po e shpëtojnë Operën e Kosovës nga skenografia e kostumografia, si një ndër elementet bazike të premierës.

Pavarësisht vështirësive, salla “1 Tetori” mbrëmjen e fundit para premierës ka marrë pamje krejt tjetër. Gjysma e hapësirës është zënë me skenografi, solistët në skenë e instrumentistët poshtë tyre. Pjesa e mbetur janë 910 ulëset e publikut, me bileta të cilat janë shitur plotësisht që në ditën e parë të nxjerrjes në treg. Është moment historik për kulturën në Kosovë, dhe kjo vërehet që nga kthinat e sallës. Në secilën prej dyerve të dhomave të prapaskenës janë vendosur emrat e solistëve të cilët i jetësojnë rolet. Kur përfundojnë korridoret, në dalje direkte në pjesën e skenës, ajo që shihet u ngjan pamjeve të cilat publiku vendës ka pasur rastin t’i shohë veç kur ka dalë jashtë vendit. E solistët vendës kanë pasur rastin ta përjetojnë në skena të huaja.

Instrumentistët e Filharmonisë së Kosovës me vëmendje marrin udhëzimet e dirigjentit Nayden Todorov. Heshtja kaplon sallën dhe nisin të dëgjohen tinguj të lehtë. Dritat bien mbi solistët, të cilët sjellin një atmosferë mondane me kostumografi tejet të veçantë. Nëse po shkon mirë, kontrollohet nga regjisori Ognian Draganoff.

Përderisa vepra është në tri akte, rrëfimi në pjesën e parë koncentrohet në lojë dashuriçkash. Kryeprotagonistja Violetta Valery (e sjellë mjeshtërisht nga sopranoja Besa Llugiqi), në një festë ku tubon shoqërinë, takon Alfredo Germontin (të interpretuar nga Emanuele D’Aguanno). Interesimi i tij për gjendjen e saj të rënduar shëndetësore ia merr vëmendjen. Dashuria në formën e kujdesit arrin që t’ia kthejë besimin Violettës për dashuri.

Rrëfimi ndryshon krejtësisht në pjesën e dytë pas tre muajve të bashkëjetesës së çiftit. Violetta detyrohet të ndahet nga i dashuri i saj me kërkesë të babait të tij, Giorgio Germont, luajtur nga Gëzim Myshketa. Arsyet janë familjare dhe qëndrojnë te kërcënimi që i bëhet fejesës së vajzës së tij. E gjithë rrjedha vazhdon me intensitetit të shtuar dramatik.

Në fund, Violetta, vuajtjen fizike dëshiron ta zëvendësojë me shërimin shpirtëror me fe. Por pikërisht në momentin kur festat e fundvitit ia rikthejnë në krah të dashurin Alfredo, fati përfundon në një tjetër mënyrë. Vdekja e bën që të prehet me një lumturi të pashijuar.

Në lojë përfshihen edhe Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari e Urta Haziraj (Annina), Denis Skura (Gastone), Shaban Behramaj (Baroni Douphol), Dragan Ampov (Markezi D’Obingy), Harris Bajraktari (Doktor Grenvil), Riza Jahaj (Giuseppe – Shërbëtori i Violetës), Jon Kosumi (Shërbëtori i Florës) dhe Arbër Maliqi e Etrit Nura (Komisioneri).

Besa Llugiqi në prova është e jashtëzakonshme. E veshur me kostumin e bardhë e shkëlqyes, e zotëron skenën mjeshtërisht. Ka një elegancë të përkryer në mënyrën se si e interpreton rolin. Të pakta janë rastet kur duhet të ndërpritet për ndonjë gabim.

“Deri tash sigurisht s’ka qenë e lehtë, por kemi me vete një ekip me shumë eksperiencë që e ka lehtësuar gjithë procesin. Kam qenë shumë skeptike për shkak të vështirësive që kemi pasur në proces. Jam shumë e lumtur që një produkt i tillë po vihet në pah dhe besoj që për njerëzit ka me qenë një eksperiencë e paharrueshme”, thotë ajo në mes të pauzave gjatë provave.

Roli i Violettës për të qëndron mes përgjegjësisë e kënaqësisë. Veçmas kur në aspektin dramaturgjik roli kërkon ndjeshmëri dhe fleksibilitet të zërit.

“Zhvillohet në tri faza që teknikisht realizohen jashtëzakonisht vështirë. Në zë përveçqë duhet të jetë me agjilitet dhe teknikë të lehtë në koloraturat që ka si karakteristikë të saj, ka edhe nota të plota dramatike”, thotë ajo.

Veçon fundin e operës, atëherë kur Violetta vdes. Pikërisht në ato momente kritike të protagonistes, Llugiqit i duhet të japë maksimumin nga vetja.

“Duhet që në një person të jenë tri ngjyra të ndryshme të zërit që e ngërthejnë. Është sfidë për çdo soprano”, shprehet ajo.

Por, sipas saj, i rëndësishëm është jetësimi i operës, edhe si hapje rruge për artistë të tjerë në produksionet e radhës të institucionit.

“Po shpresoj që me u ndërtu edhe objekti edhe gjithçka me qenë më e lehtë dhe me pasë më shumë mundësi për të gjithë artistët që janë prapa nesh dhe dëshirojnë të jenë pjesë e këtij produksioni”, thotë Llugiqi.

Meriton Ferizi, zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës, për operën e parë që jepet pas inaugurimit të institucionit, thotë se është nder të luhet në Kosovë dhe të përmbyllet viti me të.

“Vështirësitë janë së pari me infrastrukturë. S’e kemi shtëpinë tonë. Bart karriga, shko për prova prej njërës sallë në tjetrën. Filharmonia na është gjendur me infrastrukturë, prova, adaptim. Palestra ‘1 Tetori” që na i hapi dyert për nëntë ditë me qëndru këtu”, thotë ai teksa tregon se një pjesë të provave e kanë mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Përmend si problematikë tjetër numrin e vogël të stafit të Operës së Kosovës. Lehtësues të procesit kanë qenë skenografia, mjeshtrit e ndriçimit e zërimit dhe kostumografia e ardhur nga Opera Shtetërore e Stara Zagorës. Nga Teatri i Operës dhe Baletit të Tiranës kanë ardhur 14 instrumentistë dhe një solo këngëtar.

“Kjo vepër është zgjedhur me qëllim, si më e popullarizuara në botë, e luajtur nëpër të gjitha teatrot e shtëpitë operistike, në kalendarë vjetorë non-stop. Kjo është shumë e dëgjueshme dhe e kapshme për publikun. Do ta pranojnë jo veç për një shtresë të artistëve, por do të kënaqet i gjithë publiku se të mban non-stop me muzikë të mirë, ka korale e arie të bukura”, përfundon Ferizi.

Dirigjenti Chris McCracken, i cili para pak ditësh dirigjoi koncertin e Filharmonisë së Kosovës në kuadër të “16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës”, kësaj radhe ndodhet edhe në përgatitje të koncertit të Operës. Ka qenë trajner zëri apo dirigjent përgatitës gjatë pesë javëve të provave.

“E kam pasur kënaqësinë që me Orkestrën të punoj në të kuptuarit e stilit të Verdit. Disa herë kam punuar ndaras me Orkestrën harkore, disa herë me atë frymore”, shprehet McCracken.

Me Korin thotë se ka punuar në theksimin e tekstit italian. Pranon se i gjithë procesi është fokusuar që t’i sjellë jetë performancës. Stilet e gjuhës dhe mënyra e të kënduarit kanë qenë pjesët bazike.

“Pjesa më e vështirë ka qenë familjariteti me gjuhën. Ata s’e kuptonin kuptimin e asaj që interpretonin dhe natyrisht është shumë e rëndësishme ta kuptosh atë që do ta aktrosh apo të luash në skenë”, shprehet tutje dirigjenti me përvojë në drejtimin e 40 operave dhe disa orkestrave profesionale në 10 vende të ndryshme.

E krahason përgatitjen e Operës së Kosovës me shtëpi operistike me përvojë.

“Është fantastike, s’mund ta them sa e bukur është kjo. Janë standarde tejet të larta, njësoj si në shtëpi të ndryshme operistike. Solistët janë prej më të mirëve, dirigjenti është i mrekullueshëm, e gjithë skenografia dhe gjithë produksioni është maestral. Skenografia është vendosur për dy tri ditë, kjo është e mrekullueshme”, përfundon dirigjenti anglez.

“La Traviata” do të reprizohet edhe të shtunën mbrëma.

Image
Salla “1 Tetori” në mbrëmjen e fundit para premierës ka marrë pamje krejt tjetër...