“Fillova të merrem me muzikë kur isha tetë vjeç. Fillova të luaj në piano dhe me mësime teorike për muzikë. Kur isha dhjetë vjeç luajta kitarë dhe për një dekadë kam luajtur vetëm kitarë klasike, pastaj fillova të zgjerohem në atë që e quajmë ‘instrumentet historike me tela të këputur’”, ka thënë Cédric Meyer, të cilin loja në llautë e ka sjellë edhe në Prishtinë. Instrumenti në të cilin luan lidh epoka e kultura të ndryshme. Publikut në Kosovë i është prezantuar me atë që njihet si “archllautë” një llautë evropiane “që u shfaq në këtë kontinent, e sjellë nga arabët nëpërmjet Sicilisë e Spanjës qysh në mesjetë”. “Pastaj evropianët e morën atë, e adaptuan për të luajtur muzikën e tyre. Nga kjo periudhë e deri në Renesancë ishte instrument shumë i rëndësishëm, sidomos në shekujt e 15-të dhe të 16-të”, thotë ai
Në njërin prej projekteve në të cilin u angazhua, llautisti zviceran, Cédric Meyer, u njoh me skenën muzikore të Kosovës. E publiku me instrumentin tejet të veçantë – “archlute”, njëri prej dy llojeve të llautës evropiane. Në oratoriumin “Messiah” të Handel qe solist me Filharmoninë e Kosovës dhe aty qe zbërthyer struktura unike e instrumentit në partiturat e veprës. Por llauta është unike në llojin e saj dhe kjo e ka zgjuar kuriozitetin e Meyer për t’iu përkushtuar, ndonëse ky nuk është instrumenti i parë për të.
Si çdo muzikant i huaj që vjen në Kosovë, edhe për të, kushtet janë kontrasti me talentin e përkushtimin e instrumentistëve në vend. Këtë konstatim e nxori pas koncertit të 9 e 10 majit.
I vlerësuar si “i shkëlqyer” në instrumentin në të cilin ka luajtur edhe në Prishtinë, edhe në këtë koncert i tillë është dëshmuar, ndonëse ngjante se pozita e tij si shoqërues në vepër e penalizon në një formë. Gjatë gjithë kohës ai luante dhe kryesisht Orkestra mbulonte tingëllimën e lehtë të instrumentit. Por ai luante vazhdimisht. Edhe si përcjellës i instrumenteve solo duke ilustruar duete të ndryshme.
I lindur në Gjenevë në vitin 1989, Cédric Meyer është muzikant i pasionuar që luan llautë dhe kitarë. Ka dy diploma masteri nga “Haute Ecole de Musique de Lausanne”, si dhe një Certifikatë Pasuniversitare për Performancë nga “Schola Cantorum Basiliensis”.
Është mjeshtër i llautës, ndonëse ky nuk është instrumenti i vetëm e primar për të.
“Fillova më merrem me muzikë kur isha tetë vjeç. Fillova të luaj në piano dhe me mësime teorike për muzikë. Kur isha dhjetë vjeç luajta kitarë dhe për një dekadë kam luajtur vetëm kitarë klasike pastaj fillova të zgjerohem në atë që e quajmë ‘instrumentet historike me tela të këputur’”, tregon Meyer në një bisedë për KOHËN.
Lloji i llautës me të cilën ka luajtur quhet “archlute”. E, një prej karakteristikave të muzikës së epokës së barokut është përfshirja e këtij instrumenti në formacionet e këtyre veprave.
“Është një llautë evropiane që u shfaq në këtë kontinent, ishte sjellë nga arabët nëpërmjet Sicilisë e Spanjës në mesjetë dhe pastaj evropianët e morën atë, e adaptuan për të luajtur muzikën e tyre. Nga kjo periudhë e deri në Renesancë ishte instrument shumë i rëndësishëm, sidomos në shekujt e 15-të dhe të 16-të. Në këtë kohë luheshin instrumente me taste, si për shembull organoja në kisha, ndërsa jashtë saj llauta përdorej shumë si shoqëruese i këngëtarëve”, thekson llautisti Cédric Meyer.
Oratoriumi “Messiah” i George Frideric Handel, i kompozuar në 1741, i përket muzikës së periudhës së barokut. Veprat karakterizohen me meloditë e bukura, kontraste dramatike e praktika e asaj që në gjuhën muzikore njihet si “basso continuo” për instrumentet përcjellëse. Llauta ka këtë pozicion në këtë vepër vokalo-instrumentale.
“‘Messiah’ e Handel i përket shekullit të 18-të. Llauta atë kohë kishte rolin që ne e quajmë ‘basso continuo’ që është shoqërim. Nëse shikon akordet, shihni një rresht bazik të shkruar nën gjithçka në literaturë. Nuk ka nevojë për shumë informacione, por ky rresht do të thotë gjithçka. Aty janë të shkruara akordet për violonçel apo ndonjë instrument tjetër. Aty patjetër do të jetë edhe llauta, çembalo, apo organo, ose ndonjë instrument harmonik. Nga kjo bazë i normalizojmë pjesët, gjë që nuk është e shkruar, por kjo është mënyra sesi funksionon”, tregon Meyer.
Familja e llautave evropiane, sipas informacioneve, u ndikua nga ato indiane. Pasardhëse të tyre njihen llautat islame, japoneze dhe ato evropiane. Si instrument, prodhon tingull relativisht të qetë.
E sipas zotëruesit të instrumentit, nuk mungon literaturë e shkruar për këtë instrument.
“Muzika e hershme e shkruar për llautë daton që nga shekulli i 15-të dhe në të tjerët pasues ka shumë vepra për llautë solo. Ka tokatë, prelude, fuga dhe gjithçka që mund të ju bie në mend për instrument solo. Ka edhe koncerte për llautë, për shembull disa prej tyre i ka shkruar Antonio Vivaldi”, shprehet llautisti Meyer, i cili me instrumentin e tij ka performuar si solist dhe si pjesë e ansambleve të ndryshme.
Është ftuar nga festivale si dhe në koncerte të shumta për të performuar, si në Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Itali, Bullgari e deri në Brazil.
Në vitin 2016, Meyer iu bashkua ansamblit “OrQuesta” si muzikant, anëtar i ekipit artistik dhe si redaktor muzikor. Me Ansamblin ka marrë vlerësime në produksione të shumta të operave baroke.
“U bashkova në ekip dhe u angazhuam për të gjetur partitura origjinale për t’i edituar sepse ishin manuskripte ose shumë të vjetra dhe ishin vështirë të kuptueshme e nganjëherë edhe të vështira për t’u kuptuar nga njollat e vjetra që janë në to. Kërkon muaj të tërë për t’i punuar”, shprehet Meyer.
Disa prej solistëve të këtij ansambli u patën bashkuar në koncertin e Filharmonisë së Kosovës. Stephanie Gurga në çembalo, pjesë e ansamblit, gjithashtu u pat bashkuar për ta jetësuar veprën të plotë në Prishtinë.
Pos me këtë ansambël, gjithashtu performon rregullisht me Orkestrën Filharmonike të Hastings në prodhimet e tyre koncertale të kantatave baroke dhe veprave vokale të Renesancës.
Në vitin 2021, Kantoni i Valais në Zvicër i dha Cédric një grant kërkimor artistik për projektin e tij mbi llautat mesjetare dhe implikimet e saj për interpretimin muzikor dhe praktikën e performancës.
Një llautist i zoti si Cédric është i përkushtuar ndaj punimit llautës punëdore dhe luan rregullisht në instrumente artizanale. Përveç aktiviteteve të tij si interpretues, ai jep mësime për kitarë klasike në “Ecole de Musique de Pully” në Zvicër.
Ndërkohë, është i angazhuar edhe në përgatitjen e botimeve të reja të operave baroke për publikim në internet së bashku me Marcio da Silva. Po muzikanti brazilian e pati drejtuar koncertin ku qe interpretuar oratoriumi “Messiah”. Solistë në këndim kanë qenë sopranoja Kaltrina Miftari, kontra-alti Nathan Mercieca, tenori Kieran White dhe baritoni Jack Lawrence-Jones.
Një vepër me sfida lehtë të kalueshme për institucionin e Filharmonisë së Kosovës sa i përket kapacitetit profesional, por jo edhe kushteve, u soll dy dekada pasi maestro Bahri Çela, dirigjenti i parë në Kosovë, do të angazhonte studentët për t’i dhënë zë e melodi veprës në Prishtinë. Koncerti qe mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, sikurse edhe koncerti në muajin maj. Midis institucioneve botërore me të cilat ka interpretuar, Meyer vlerëson muzikantët në vend.
“Orkestrat janë të veçanta sepse kërkohet individualitet. Qasja, sjelljet, përkushtimi i secilit, është impakt i fortë që i mban të gjithë të bashkuar. Këtu, secili është shumë i hapur, dëgjon, mundohet, kjo është fantastike për një ansambël të tillë të madh ku anëtarët japin më të mirën prej tyre, bëjnë gjëra të reja, është shumë pozitive”, thotë ai, derisa shprehet i magjepsur me gjithë punën, nga përgatitjet e deri te rezultati final.
“Jam shumë falënderues, sepse jemi pritur shumë mirë, gjithçka ka qenë shumë e organizuar dhe ne jemi fokusuar vetëm në muzikë. Kjo e bën diferencën, isha i magjepsur me të gjithë që ishin këtu, gjithçka ishte në rregull dhe i gjithë procesi ka shkuar siç duhet”, thotë muzikanti zviceran, Cédric Meyer.