Me “Tattoo” nga Loreen që mbi të gjitha i këndon dashurisë, Suedia ka triumfuar në edicionin e 67-të të garës evropiane të këngës, “Eurovision”, që sivjet ka pasur për moto “United by Music”. Ka qenë një spektakël i magjishëm në Liverpool të Britanisë së Madhe, të shtunën mbrëma. Kënga përfaqësuese e Suedisë, që ishte në krye të tabelave edhe në baste, mori vlerësimet e jurisë, por qenë votat e publikuar që ia konfirmuan fitoren. Shteti suedez e ripërsërit suksesin në “Eurovision” pas 11 vjetësh,përderisa Loreen ka bërë histori si e para këngëtare që fiton dy herë. Kishte qenë po ashtu Loreen e cila më 2012 me “Euphoria” çoi trofeun në vendin e saj. Shqipëria me “Duje” nga Albina Kelmendi dhe familja e saj përfundoi e 22-a nga 26 konkurrentë
02:10 - Suedia e ka fituar edicionin e 67-të të garës evropiane të këngës “Eurovision”. Me 583 pikë, ka lënë pas Finlandën me 526 pikë dhe Izraelin me 362. “Tattoo” e Loreen i dedikohet dashurisë e tatuazhi bëhet simbol për pandashmërinë e saj. Interpretimi spektakolar ka bërë që edhe njëherë të thirret emri i saj si fituese, pas triumfit me “Euphoria” në vitin 2012. Me këtë ajo hyn në historinë e kësaj ngjarjeje si e para këngëtare që fiton dy herë. Edicioni i sivjetmë u organizua nën moton “United by Music”.
Derisa është ngjitur në skenë për të pranuar trofeun dhe performuar këngën fituese, siç është traditë e “Eurovisionit” është shprehur e falënderuese. “Jam shumë e lumtur dhe falënderuese. Faleminderit për këtë! Kjo është për ju!”, është shprehur ajo në skenë derisa ka bërë me shenjë nga trofeu.
Shteti skandinav ka marrë pjesë 61 herë në konkursin e këngës që nga hyrja e saj e parë në vitin 1958. Prej atëherë ka fituar gjashtë herë: në vitin 1974 me këngën “Waterloo” nga ABBA, më 1984 me “Diggi-Loo Diggi-Ley” interpretuar nga Herreys, më 1991 me “Fangad av en stormvind” nga Carola e më 1999 me “Take Me to Your Heaven” nga Charlotte Nilsson. Viteve të fundit, pos Loreen, në vitin 2015 me këngën “Heroes”, Mans Zelmerlow rrëmbeu mikrofonin e kristaltë të Garës. Fitueses së sivjetme, fill pas fitores i janë gjetur ngjashmëritë. “Tattoo” është krahasuar me “Flying Free” të “Pont Aeri”.
Spektakël e solidarizim
Nata finale e “Eurovisionit” u hap me një version special të këngëssë Ukrainës,fituese e edicionit të kaluar, “Stefania”, të grupit “Kalush Orchestra”. Fillimisht si klip e më pas rap-grupi në përbërje prej reperit Oleh Psiuk, multi-instrumentistit Ihor Didenchuk, balerinit Vlad Kurochka, lojtarit të sopilkës Vitalii Duzhyk dhe vokalistët Tymofii Muzychuk dhe Oleksandr Slobodianyk kanë interpretuar edhe në skenën e “Eurovisionit”. Vargjet e saj kanë ndezur atmosferën e në disa prej tyre thuhet: “Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar”. Vitin e kaluar kur përfaqësuan shtetin në kohë lufte, për ta kjo nuk qe vetëm një garë në muzikë. Në fakt edicioni i sivjetmë ka qenë edhe dedikim për Ukrainën, me ngjyrat e flamurit ukrainas në skenë e në logo sikurse edhe me pamje monumentesh e atraksionesh të këtij vendi.
Finalen e ka hapur Austria, pasuar prej Portugalisë e Ukrainës.Në finale, Shqipëria interpretoi e dhjeta. “Duje” nga Albina Kelmendi me familje muzikalisht e si performancë skenike jep mesazhin e ruajtjes së familjes. Nis me zërin e fuqishëm të Albina Kelmendit, për të vazhduar me inkuadrim të zërave përcjellës. Nga mesi i këngës në skenë mbizotërojnë zërat e dy prindërve. E fuqishme ka qenë performanca e Shqipërisë në arenën gjigante të Liverpoolit. Por megjithatë këngae shkruar prej Eriona Rushititdhe muzikë të Enis Mullajt pos finales, nuk ka shënuar tjetër sukses. Përfundoi e 22-a prej 26 konkurrentëve me 76 vota, duke lënë prapa Portugalinë, Serbinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë. Është arritja më e dobët e Shqipërisë në finale.
“Duje” kishte ngjallur jo pak polemika në mesin e komunitetit artistik, lidhur me atë nëse kjo ka qenë kënga e duhur për përfaqësim të Shqipërisë në edicionin e 67-të të “Eurovisionit”. Edhe prestigjiozja britanike “BBC” kishte parashikuar se kënga do të përfundojë “në fund të tabelës”. Vitin e kaluar, Shqipëria nuk ka pasur të drejtë vote nëpërmjet porosive elektronike. Sivjet ka qenë i hapur edhe për Kosovë dhe secili ka pasur mundësi të dërgojë deri në 20 vota në formë elektronike.
E para që ka votuar me votat e jurive të shteteve ka qenë Ukraina dhe pikët maksimale ia ka dhuruar Suedisë. Pikët e para maksimale i ka marrë edhe nga Finlanda, Gjermania, Irlanda, Holanda, Malta e shtete të tjera. 12-pikëshet e tjera të para i ka marrë edhe Italia e Izraeli. Në pjesën e parë të votimit ka prirë Suedia me 194 vota, pas saj Italia me 109 vota dhe Izraeli me vetëm një më pak. Shqipëria ka marrë vetëm 14 vota deri atëherë. Sipas vlerësimit të jurisë shqiptare, 12 pikë kanë shkuar për Suedinë, sikurse edhe të shtetit nikoqir, Britanisë së Madhe.
Me votat e publikut, ka prirë Suedia e pas saj Izraeli e Italia. Shqipëria ka marrë 59 vota prej publikut.
Ngjarja ka qenë edhe si retrospektivë ndër vite, ku janëinterpretuar këngët e artistëve të mëdhenj. Në performancat e mysafirëve gjatë kohës së votimit, njëra prej pikave ka qenë edhe “Imagine” e John Lennonit, interpretuar nga këngëtarin italian Mahmood, e që në fakt prej vitit 1971 mbetet himn i paqes në botë.
Fituesja e “Eurovisionit”e vitin 2018, izraelitja Netta ka interpretuar “You spin me around” të “Dead or Alive”.Ndryshe prej edicioneve të kaluara kur klipet promovuese i dedikoheshin vendit nikoqir tëgarës, këtë vit janë përfshirë edhe ato të Ukrainës dhe të disa prej shteteve përkatëse që kanë interpretuar.
Organizuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), paraprakisht u mbajtën dy gjysmëfinale më 9 dhe 11 maj. Në natën e parë, Rita Ora kishte elektrizuar skenën me këngët e saj. Programi ështëprezantuar nga këngëtarja britanike Alesha Dixon, aktorja britanike Hannah Waddingham dhe këngëtarja ukrainase Julia Sanina. Në finale u është bashkuar edhe prezantuesi televiziv Graham Norton.

Festa e muzikës dhe natyra (jo)politike
Tridhjetë e shtatë shtete morën pjesë në konkurs, posBullgarisë , Malittë Zi dhe Maqedonisë së Veriut që e ndërprenë pjesëmarrjen e tyre në vitin 2021.
Është hera e nëntë që Mbretëria e Bashkuar organizon garën e këngës evropiane “Eurovision”. Aty ishte organizuar më 1960, 1963, 1968, 1972, 1974, 1977, 1982 dhe 1998 . “Liverpool Arena” ku ngjarjet janë zhvilluar ka kapacitet prej 11 mijë vendeve. Interesimi për pjesëmarrje ka qenë tejet i madh, kësisoj biletat për edicionin e sivjetmëështë bërë e ditur se janë shitur brenda 36 minutave. Ajo shërben edhe për ngjarje të tjera, duke përfshirë koncerte dhe ngjarje sportive. Më parë aty janë organizuar edhe “MTV Europe Music Awards” në vitin2008 ,“Personaliteti Sportiv i Vitit” në 2008 dhe 2017 dhe Kampionati Botëror i Gjimnastikës Artistike në vitin 2022.
“Stefania” e Ukrainës ishte përzgjedhur për “Eurovision” përpara shpërthimit të luftës, por që atëherë kishte marrë kuptim më të thellë të lidhur me luftën. Qysh disa javë pas shpalljes së tyre fitues, grupi “Kalush Orchestra” kishin bërë të ditur se do ta vërë në ankand trofeun për t’i rritur fondet për ushtrinë ukrainase. Po atë kohë ishte bërë e ditur se bendi ka mikrofonin e kristaltë në një ankand në Facebook për 900 mijë dollarë me qëllim të blerjes së dronëve për ushtrinë.
Në natën finale, nga mediat e huaja është bërë e ditur se pak para se të dilte në skenë përfaqësuesi i sivjetmë i Ukrainës, Tvorchi, qyteti ukrainas Ternopil është sulmuar.
Sikurse edicionin e kaluar, edhe sivjet i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes Federatës Ruse. Unioni i Transmetuesve Evropianë, që e organizon “Eurovisionin”, ka vendosur sanksione kundër shtetit rus vitin e kaluar. Shkak për këtë vendim ishte bërë lufta që Rusia po bënte në Ukrainë. Në shkurtin e kaluar, bordi ekzekutiv i Unionit do të merrte vendimin pas një rekomandimi nga organi drejtues i festivalit, bazuar në vlerat e Unionit Evropian të Transmetuesve.
Shumë politikanë ukrainas kërkuan që Gara të zhvillohej në vend, duke përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili kishte kërkuar të bëhej pjesëmarrës në natën finale, por organizatorët e kishin refuzuar kërkesën e presidentit ukrainas me arsyetimin se kjo “do ta shkelte natyrën jopolitike të ngjarjes”. Synonte të nxiste botën të vazhdonte të përkrahte luftën e Ukrainës për ta zmbrapsur Rusinë.

I themeluar në vitin 1956 për të ndihmuar në shërimin e një kontinenti të shkatërruar nga lufta, “Eurovisioni” përpiqet ta mbajë të ndarë muzikën nga politika. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe Italia të cilësuara si “Pesëshja e Madhe” kualifikohen automatikisht për në finale, si shtete themeluese të festivalit të këngës në Evropë.
Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top-10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017, e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World”. Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012. E vitin e kaluar, shtetin e përfaqësoi Ronela Hajati me “Sekret”.
Festivali Evropian i Këngës është garë ndërkombëtare që organizohet çdo vit nga Unioni Evropian, pjesëmarrësit e të cilëve janë kryesisht vendet evropiane, por viteve të fundit i është bashkuar edhe Australia, duke e bërë vendin e dytë pjesëmarrës që nuk është pjesë e Evropës, sikurse edhe Izraeli. Vendet pjesëmarrëse paraqesin një këngë origjinale për t'u interpretuar drejtpërdrejt në televizion dhe radio.
Gara Evropiane e Këngës mbahet çdo vit që nga viti 1956, përveç në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19. Është bazuar në festivalin e muzikës “Sanremo”, që mbahet në Itali prej vitit 1951. Gjermania ka konkurruar më shumë se çdo vend tjetër, duke marrë pjesë në të gjitha edicionet përveç njërit. Sivjet përfundoi e fundit.Deri tash Irlanda mbajti rekordin për më shumë fitore, me shtatë sosh në total sa ka tash edhe Suedia.
Disa nga artistët më tënjohur të muzikës në botë kanë dalë prej “Eurovisionit” e kanë marrë pjesë në këtë garë si grupi ABBA, Celine Dion, Julio Iglesias , Cliff Richard dhe Olivia Newton-John e të tjerë. Mbi të gjitha, “Eurovisioni” u këndon vlerave të përbashkëta evropiane e bashkimit më muzikë, siç qe motoja e sivjetme: ”United by Music”.
***
Transmetimi direkt i finales së madhe
01:05 - “Eurovisioni 2024” do të organizohet në Suedi. Me 583 pikë, Suedia ka fituar vendin e parë të edicionit të sivjetmë, duke lënë prapa Finlandën që edhe pse mori më së shumti vota të publikut, në fund të kombinuara me ato të jurisë u ndal në 526 pikë. Në vend të tretë doli Izraeli me 362 pikë.
Shqipëria me Albina Kelmendin dhe familjen e saj mori 76 pikë në total dhe u rendit e 22-a.

00:52 - 59 vota nga publiku i ka marrë Albina Kelmendi dhe familja e saj duke shkuar në total të 76 pikëve. Me kaq përfundon shifra e pikëve të Shqipërisë këtë edicion. Albina Kelmendi dhe familja e saj me këngën “Duje” mbyllin edicionin në pozitën e 22-të.

Nis shpalosja e votave të publikut në “Eurovision”
00:46 - Suedia ka fituar votat e jurive profesionale të shteteve evropiane në “Eurosong”. Loreen me “Tattoo” ka marrë deri tash 340 pikë, duke ikur larg nga Izraeli që ka 177 pikë dhe Italia që ka 176.
Shqipëria ka marrë 17 pikë nga juritë.
Tash pritet shpalosja e votave të publikut.

00:44 - Publikohen votat e jurisë së Shqipërisë. Shqipëria ka vlerësuar me pikët maksimale Suedinë.

00:43 - Pikët e radhës për Shqipërinë. Juria e Greqisë ka vlerësuar këngën “Duje” me 3 pikë për ta çuar totalin e pikëve të Shqipërisë në 17.
00:39 - Juritë e 30 shteteve i kanë publikuar votat tashmë. Suedia vazhdon të prijë dukshëm me 277 pikë, e ndjekur nga Italia me 148 dhe Izraeli me 142.
00:28 - Pas votimit të jurive të 20 shteteve deri tash, Suedia prin me 194 pikë, e ndjekur nga Italia me 109 dhe Izraeli me 108. Estonia ka 78 dhe Finlanda 75 në top pesëshe.

00:26 - Rumania e ka vlerësuar me pesë pikë Shqipërinë, që tash ka shkuar në nivel të 14 pikëve.
00:23 - 15 shtete kanë publikuar votat e jurisë. Deri tash prin larg Suedia me 145 pikë. Italia është e dyta me 74 e Izraeli e treta me 68. Shqipëria ka marrë nëntë pikë deri tash.
00:18 - Pas votimit të jurive të 10 shteteve, Suedia prin me 102 pikë. Në vend të dytë është Italia me 55 dhe Izraeli i treti me 46.
00:16 - Juria profesionale e Azerbajxhanit ia ka dhuruar 8 pikë Shqipërisë që deri tash ka në total nëntë.
00:15 - Juria e Moldavisë ia ka dhënë pikën e parë Shqipërisë. Pas publikimit të votave të jurive të shtatë shteteve, Suedia prin me 78 pikë e ndjekur nga Izraeli me 34 dhe Estonia me 30.
00:12 - Pas publikimit të votave nga juritë e tri shteteve, po udhëheq Suedia me 30 pikë. Në vend të dytë aktualisht është Estonia me 23 pikë.
00:10 - Nis publikimi i votave. Ka qenë Ukraina që ka hapur sistemin duke i dhënë pikët maksimale (12) Suedisë.
00:04 - Mbyllet votimi
Ka përfunduar procesi i votimit për shikuesit. Pas pak pritet të nisë publikimi i votave të jurisë e në fund ato të publikut.
23:20 - Hapet procesi i votimit
“Eurovisioni” i sivjetshëm na sjell ndryshime në sistemin e votimit dhe më në fund mund të thuhet se i është “hapur” për të gjithë botën. Për herë të parë në historinë e garës, shikuesit nga vendet jo-pjesëmarrëse, përfshirë Kosovën, mund të votojnë për të preferuarin e tyre.
Të gjithë shikuesit mund të votojnë përmes aplikacionit zyrtar “Eurovision Song Contest”, që është në iOS dhe Android, dhe në faqen www.esc.vote, përfshirë edhe nga vendet jo-pjesëmarrëse.

LIVE EUROVISIONI:
23:15 - I vjen fundi performancave. Sllovenia me “Carpe Diem” të Joker Out ishte e 24-a në garë. Pas saj performoi Kroacia që është bërë po ashtu trend në rrjetet sociale me paraqitjen e veçantë të Let 3, në një këngë që i dedikohet luftës së Vladimir Putinit në një stil tejet të pazakontë. Titulli i këngës së kroatëve është “Mama SC”.

Kënga e fundit e interpretuar këtë edicion ka qenë ajo e Britanisë së Madhe, që ishte nikoqire.
23:05 - Noa Kirel e Izraelit është një nga favoritet e edicionit të sivjetmë. Kënga “Unicorn” dhe vallëzimi i këngëtares në fund të interpretimit kanë pushtuar rrjetet sociale ditëve të fundit. ajo interpretoi si e 23-a. Kanë mbetur edhe tri këngë deri në përfundim të performancave.

23:00 - Gjermania, me Lord of the Lost që kanë interpretuar “Blood & Glitter”, ishte performanca e 21-të. Pas Gjermanisë ka interpretuar edhe Monika Linkyte e Lituanisë që përfaqësoi këtë shtet me “Stay”.
22:51 - “Future Lover” titullohej kënga që ka përfaqësuar Armeninë në këtë edicion të “Eurovisionit”. Ajo u interpretua nga Brunette. Pas saj në skenë ka dalë Pasha Parfeni nga Moldavia që ka kënduar “Soarele si Luna”. Ishte kjo performanca e 18-të nga 26 këngët pjesëmarrëse.
19) Ukraina. Shteti që fitoi vitin e shkuar e që s’po mund ta organizojë sivjet “Eurovisionin” pasi gjendet në luftë, Ukraina është përfaqësuar me këngën “Heart of steel” (Zemër prej çeliku). Kënga u interpretua nga Tvorchi. Kënga i dedikohet rezistencës në Mariupol.

Pas Ukrainës ka performuar Norvegjia me Alessandran që ka interpretuar “Queen of Kings”. Edhe kjo është ndër këngët favorite sivjet.
22:31 - “Cha Cha Cha” është titulli dhe refreni i këngës përfaqësuese të Finlandës në “Eurovision”. Kënga është interpretuar nga Kaarija. E 14-a që performoi ishte Vesna që përfaqësoi Çekinë me “My sister’s crown”. Edhe pse s’është pjesë e kontinentit evropian, Australia ka kënduar si e 15-a në finale. Ajo u përfaqësua nga Voyager që këndoi “Promise”. E 16-a performancë ka qenë ajo e Gustaphit që përfaqësoi Belgjikën me “Because of you”.
22:20 - Në prapaskenat e publikuara nga “Eurovisioni” në Instagram, Kelmendi është parë e emocionuar pas performancës.

22:15 - Italia me Marco Mengonin që ka interpretuar “Due Vite” dhe Estonia me “Bridges” të interpretuar nga Alika zunë performancat 11 dhe 12 të finales.
22:00 – KOHA PËR NUMRIN 10. Shqipëria ka nisur performancën e saj në finale. “Duje” është kënga që interpretohet nga Albina Kelmendi dhe familja e saj.
“Duje” vjen në një formacion ku përfshihet e gjithë familja Kelmendi, teksa muzikalisht e si performancë skenike jep mesazhin e ruajtjes së familjes. Teksti është shkruar nga Erjona Rushiti, ndërsa është kompozuar nga Enis Mullaj. Kënga nis me zërin e fuqishëm të Albina Kelmendit, për të vazhduar me inkuadrim të zërave përcjellës. Nga mesi i këngës në skenë mbizotërojnë zërat e dy prindërve. Gjatë interpretimit dëgjohen edhe ca dridhje zëri, të cilat ia japin frymën popullore.
“The Guardian” ka shkruar për performancën e Shqipërisë se, sikur këngë të tjera, është “formula evropiane e të qenit me tinguj modern të vallëzimit, që shtrihet në muzikë folk”. Ky medium ka kujtuar se Shqipëria s’ka përfunduar kurrë më lartë se në pozitën e pestë, kur Rona Nishliu interpretoi “Suus” më 2012.
21:56 - Bëhuni gati: Suedia ka nisur performancën si shteti i nëntë, e pas saj në radhë është Shqipëria që përfaqësohet nga këngëtarët nga Peja, Albina Kelmendi dhe familja.
Suedia përfaqësohet nga Loreen që këndon “Tattoo”. Ajo është favoritja për të fituar edicionin e sivjetmë.
20:51 - Ka nisur interpretimi i këngës së tetë. Blanca Paloma po këndon “Eaea” për të përfaqësuar Spanjën.
21:49 - “Break a brokën heart” është kënga që ka kënduar Andrew Lambrou që ka përfaqësuar Qipron, si shtetin e shtatë në listën e performancave.

21:46 - Siç shkruan The Guardian, punëtorët e skenografisë kanë kohë vetëm 45 sekonda për të rregulluar gjithçka për paraqitjen e çdo kënge.
21-42 - Franca është paraqitur e gjashta në skenë. La Zarra ka interpretuar “Evidemment”.
21:38 - Përfaqësuesit të Serbisë “Vetëm i flihet” në “Eurovision”. Luke Black ka përfaqësuar këtë shtet nën numrin pesë në finale. Kënga titullohej “Samo Mi Se Spava”.
21:33 - “Solo” titullohet kënga e katërt e finales së “Eurovisionit”. Ajo performohet nga Blanka që përfaqëson Poloninë.

21:29 - Shteti i tretë që performon në finale është Zvicra. Ky shtet përfaqësohet nga Remo Forrer që performon “Watergun”.

21:25 - “Ai Coraçao” titullohet kënga e dytë në finale. Kjo këngë përfaqëson Portugalinë. Interpretuese Mimicat.

21:21 – Nisin performancat. E para që del në skenë është dyshja Teya dhe Salena me këngën “Who The Hell is Edgar?”

21:20 - Kjo është lista e këngëve garuese sivjet në finale:

21:12 - Superbefasia mbretërore
Në paraqitjen speciale në fillim të edicionit të ri të “Eurovisionit” ka befasuar me performancë edhe Princesha Kate.
A #Eurovision surprise ?
— The Prince and Princess of Wales (@KensingtonRoyal) May 13, 2023
A pleasure to join Kalush Orchestra in a special performance of last year's winning @eurovision entry.
Enjoy the show, Liverpool ? pic.twitter.com/y4WDuWvOvb
21:05 - Edicioni i sivjetmë ka nisur me versionin e veçantë të këngës fituese të vitit të shkuar. Përfaqësuesve të Ukrainës u janë bashkuar edhe yje të tjerë botërorë Joss Stone, Sam Ryder dhe Andrew Lloyd Webber në paraqitjen speciale. Vitin e shkuar “Eurovisionin” e pati fituar Ukraina me Kalush Orkestra, por organizimi po bëhet në Angli, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Albina Kelmendi dhe familja e saj përfaqësojnë Shqipërinë në finalen e madhe të “Eurovisionit 2023” që ka nisur në Liverpool të Anglisë. Shqipëria është e dhjeta në renditjen e 26 garuesve.
“Duje” titullohet kënga që përfaqëson Shqipërinë sivjet. Është pjesëmarrja e 19-të e shtetit shqiptar në “Eurovision” dhe e 11-ta që shkon në finale. “Duje” vjen në një formacion ku përfshihet e gjithë familja Kelmendi, teksa muzikalisht e si performancë skenike jep mesazhin e ruajtjes së familjes. Teksti është shkruar nga Erjona Rushiti, ndërsa është kompozuar nga Enis Mullaj.
Për herë të parë në “Eurovision”, sivjet votimi konsiderohet “i hapur” për të gjithë botën. Për herë të parë në historinë e garës, shikuesit nga vendet jo-pjesëmarrëse, përfshirë Kosovën, mund të votojnë për të preferuarin e tyre. Juria, e cila nuk kishte të drejtë vote në gjysmëfinale, ka të drejtë të votojë në finalen e madhe.
Si të votoni për Albina Kelmendin?
Të gjithë shikuesit mund të votojnë përmes aplikacionit zyrtar “Eurovision Song Contest”, që është në iOS dhe Android, dhe në faqen www.esc.vote, përfshirë edhe nga vendet jo-pjesëmarrëse. Votimi hapet pas këngës së fundit dhe do të zgjasë 40 minuta. Dhjetë këngët që marrin më shumë vota nga vendet jo-pjesëmarrëse do të marrin pikë nga 1-12 (1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 10 dhe 12). Votat e vendeve jo-pjesëmarrëse llogariten si votat e një vendi pjesëmarrës.
Publiku, nga vendet pjesëmarrëse në “Eurovision”, jep gjithsej 2204 pikë (58 nga “pjesa tjetër e botës”, 2146 nga vendet pjesëmarrëse).
Në finale shënohen edhe votat e jurive kombëtare. 37 prej tyre japin gjithsej 2146 pikë. Këto pikë jepen veçmas nga pikët e audiencës, kështu që çdo vend pjesëmarrës jep dy herë pikë nga 1 në 12. Në rast se dy vende kanë të njëjtin numër pikësh në finale, vendi që ka pikë më shumë nga audienca ka përparësi.
