Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Little Richard – ikona që e definoi rock’n’rollin

Foto: Reuters

(The Guardian) - Little Richard, i cili vdiq të shtunën në moshën 87-vjeçare, ishte një mbret i vetëshpallur i rock’n’rollit. I tillë ishte ndikimi i tij shpërthyes, që shumë nga gjenerata 1946-1964 do ta kujtojnë me fort gjallëri momentin kur ata u ndeshën sefte e papritur me meloditë e tij.

Awopbopaloobop alopbamboom! Hiti i parë “Tutti Frutti” i lansuar në tetor të vitit 1955, ishte i çmendur, me çuçuritje të këndshme nga zëri njerëzor si asnjë tjetër, i zhurmshëm dhe me tinguj pa kuptim mbi tingujt e bendit si një makinë e zjarrfikësve gjatë natës. Publiku mori rreze nga një univers i ri. Të sofistikuarit e Sinatrës u vranë me një gjuajtje. Shtoi barbari, kaos dhe sex. Me disa të tjerë – Fats Domino, Bill Haley, Elvis Presley, Chuck Berry, Jerry Lee Lewis dhe Buddy Holly – Little Richard tregoi se për çka ishte rock’n’rolli – ai ishte më i zhurmshmi, më i pashmi dhe më i parezistueshmi nga të gjithë.

Richard Wayne Penniman i lindur në Macon, Georgia, ishte nga 12 fëmijët e Charles, murator, dhe gruaja e tij Leva Mae Stewart. Familja e tij ishte anëtare e degës protestante “Seventh-day Adventists”, dhe Richard mësoi të luante në piano dhe këndoi këngë kishtare në korin e kishës lokale, por ishte larguar nga familja kur ishte 13-vjeçar. Performoi nëpër spitale – me “kurat e mrekullive” si promotor argëtues – para se të shkonte në Atalanta, ku nënshkroi me kompaninë diskografike “RCA” në vitin 1951, duke përdorur emrin Little Richard.

Incizoi disa këngë të zakonshme për ta, përfshirë “Every Hour” (1951) por asnjëra nuk pati ndikim të madh. Optimizmi i tij ishte i padiskutueshëm, por stili i tij ende qe i paformuar. Provoi kompaninë e pavarur “Peacock” në Houston, në incizimet e të cilëve ai filloi që të zbulojë një stil vokal delikat, të filigranuar hollësishëm, që do të shfaqej vite më vonë në këngët e mëvonshme të ngadalshme e gospel. I njëjti stil, po ashtu, ndonjëherë do të zbukuronte anën e tij të rockut si te “She's Got It” (1957), ku “got” është ndarë në 10 rrokje.

Këto pjesë të “Peacock” nuk kanë sjellë shumë sukses, dhe në fillim të 1955-s – viti që do të përfundonte në mënyrë triumfues për të – ai kthehet në Macon e te larja i pjatave. Dërgoi një incizim te një studio tjetër incizimesh, “Specialty”, pronari i së cilës Art Rupe, shumë shpejt u sigurua se Little Richard do të definonte të ardhmen që Sam Cooke e pa si shumë të zbehtë.

Kur shkoi në New Orleans në shtator, e i dhanë të njëjtin band si Fats Dominos, Penniman shkoi në studio me producentin Bumps Blackwell dhe doli me “Tutti Frutti”. Kënga qe një hit me audiencë të bardhë e afroamerikane që shiti më shumë se 500 mijë kopje – përkundër popullaritetit të versionit cover të Pat Boones të lëshuar menjëherë pas këngës – dhe arriti në vendin e 17-të në listën pop në SHBA dhe në vendin e dytë në listën R&B.

Edhe Vdiq Little Richard, pionieri i rock ‘n’ rollit Kulturë Vdiq Little Richard, pionieri i rock ‘n’ rollit

Pasoi një ujëvarë e furishme me hite të reja, duke e vendosur Little Richard në vendin e parë në rock’n’roll. Puna e tij në piano, vendimtare për tingujt e tij, ishte e limituar me melodi përsëritëse e gjallëruese (ai as që i ka luajtur ato vetë te “Tutti Frutti”) por me zërin e tij megafon, me angullimë falceto, mbushur me energji dhe me bend të fuqishëm, incizimet e tij u bënë klasike: këngë që çdo grup lokal ka luajtur çdo vikend për vite; këngë që rockerët e tjerë të njohur do t’i interpretonin; këngë që kanë venë në zjarr ambiciet e atyre që do të ndryshonin vitet 1960 si “The Beatles” dhe Bob Dylan.

“Long Tall Sally”, “Slippin’ and Slidin’”, “Rip It Up”, “Ready Teddy”, “She’s Got It” dhe “The Girl Can’t Help It” të gjitha të lansuara në vitin 1956. Vitin tjetër Little Richard incizoi “Lucille”, “Send Me Some Lovin’”, “Jenny, Jenny”, “Miss Ann” dhe të mrekullueshmen “Keep A-Knockin’. Dhe në vitin 1958 solli këngët “Good Golly Miss Molly”, “True Fine Mama” e një grumbull me këngë të vjetra si “Baby Face”.

Është e qartë tani vetëm nga emërtimet që një formulë shumë shpejt zuri vend me këto incizime. Atëherë Little Richard ishte ashtu siç ishte: një forcë e pandalshme. Që nga flaka e zjarrtë e “True Fine Mama” ne tani njohim një set konvencional me 12 barësh në blues: në atë kohë ne dëgjonim shkrirje të deformuara galaktike. Ngjashëm, tani e shohim se prezantimi i tij ishte gjysmë “mbretëreshë e çmendur”, e fraza e tij “Oh shpirti im” një kundërshtim i pastër. Por këto ishin klishe për të ardhmen. Kur rock’n’rollit dhe Little Richard ishin të rinj, sjelljet e tij që nuk ishin në përputhje me normat morale, krenari e vetëbesim, shiheshin si diçka shumë individuale.