Kulturë

Liria edhe në art e letërsi është proces i vazhdueshëm

“Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime”, kishte thënë filozofi Ludwig Wittgenstein dhe një maksimë e tillë u bë bazë për të nxitur diskutimin “Për liritë dhe për limitet”, në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Në fakt, i gjithë festivali sivjet ka në fokus gjuhën nëpërmjet motos “Ndrysho gjuhën tënde”. Përmes diskutimit të së dielës me shkrimtaren kroate Alida Bremer dhe atë gjermane Karen Köhler u shtruan çështje të ndryshme që lidhen me lirinë dhe limitet e gjuhës. Diskutimi u mbaj online njëlloj si edicioni i sivjetmë i Festivalit. Nën moderimin e shkrimtares dhe kritikes së teatrit Natasha Tripney, dyshja, ndër të tjera, ka diskutuar për letërsinë dhe lirinë e artit, për ekzistencën e kufijve e përcaktimin e tyre. Nëse artisti është i paprekshëm kur flet në emër të lirisë së artit dhe për atë se kur kritika kthehet në censurë, kanë qenë disa prej temave të tjera në këtë diskutim, një prej tri aktiviteteve në ditën e tretë dhe të parafundit të “Polipit”

Alida Bremer, e cila është një nga përkthyeset më të njohura të kulturës kroate në botën gjermanishtfolëse, në diskutimin online ka ngritur dilemën nëse ka vetëm dëshirë për liri e arritja e saj mbetet e pamundshme.

“Ashtu siç e shoh unë është se ka vetëm dëshirë për liri, pra vetëm dëshirë po jo diçka që është e mundshme që të realizohet. Mendoj se ka limite dhe censura në kokat e të gjithëve, prandaj është shumë e vështirë për të gjetur një rrugë te pjesët tona të pavetëdijshme të trurit. Dhe nëse mendon për lirinë personale e atë sociale edhe ajo është e limituar kundrejt njerëzve të tjerë, pasi që ne nuk kemi mundësi që të përdorim lirinë tonë duke prekur lirinë e të tjerëve”, ka thënë ajo. Sipas saj, njerëzit duhet të përpiqen që të jenë të lirë për të shfaqur mendimet e tyre të brendshme në mënyrën me të sinqertë, sa u përket arteve dhe letërsisë.

“Por në anën tjetër duhet që të jemi transparentë me idetë tona dhe jo të lëmë hapësirë për kuptime kontroverse nëse nuk dëshirojmë diçka të tillë”, ka thënë ajo. Pasi që, sipas saj, nëse lihet një hapësirë e tillë atëherë duhet pritur reagimet e njerëzve. Duke iu referuar temës së Festivalit, shkrimtarja 61-vjeçare ka thënë se është koha që të ndryshojmë gjuhën.