Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste tash e nëntë vjet është i lidhur ngushtë me fjalën liri. Për shumë edicione me radhë është munduar që nëpërmjet aktiviteteve të shtjellojë kuptimet e shumta që ka kjo fjalë çdo herë me shpresë që e njëjta do të mbrohet, respektohet e madje të kërkohet me ngulm, a të jetohet nga të gjithë. Tërthorazi liria ishte edhe kryefjala e ditës së pestë të “FemArtit”.
Nisi me një kërkim të thjeshtë: lirinë për t’u divorcuar. Këtë e pati si kërkesë kryesore personazhi i performancës teatrale “Deti/Gruaja”, që si pikënisje ka tekstin “The Lady from the Sea” (Gruaja nga deti), dramë e vitit 1888 e Henrik Ibsenit.
Maja Mitiq, regjisore, aktore, koreografe e dramaturge serbe, ishte në rolin e Elidës, që me ngulm kërkon të jetë e lirë për të zgjedhur e që i përsërit vetes fjalët: “Ti nuk do të kesh më fuqi mbi mua”.
Mitiq për të sjellë këtë shfaqje nën regji të Anna Furse, nuk vjen me performancë si shpalosje e rëndomtë e rrëfimit të Ibsenit. Atë e ka ndërtuar në atë formë që derisa personazhi i saj rrëfen, e kërkesa e saj thelbësore refuzohet, trajton edhe procesin se si një aktore përgatit e futet brenda një roli.
“Ibseni kishte shkruar tekstin që është përdorur për këtë shfaqje në vitin 1888. Unë dua divorc, dua divorcin pra diçka për të cilën edhe sot diskutohet. Është shumë e rëndësishme akoma për shumë gra. Por, për mua nuk ishte vetëm për historinë. Doja që ta vendosja në një situatë ku aktorja bën provat pasi që kam dëshirë që publiku të shohë se si është procesi i realizmit të një shfaqjeje, se si e krijojmë një karakter”, ka thënë Mitiq për KOHËN. Është edhe një aspekt tjetër që ajo vë në pah – ekologjia. Shfaqja është fuqishëm e lidhur me detin, ujin, por jo vetëm.
“Aspekti i tretë i kësaj shfaqjeje është ekologjia, mendoj ekologjia e shpirtit, dashurisë, lirisë, por edhe ekologjia e planetit”, ka thënë Mitiq, e cila beson se arti është një mjet për të sjellë ndryshime shoqërore, në këtë rast për të nxitur publikun në të kërkuarit e lirisë. “Përndryshe nuk do të isha përfshirë në teatër”, ka thënë ajo.
Një dimension tjetër i lirisë nga ai që u shpalos në teatrin “ODA” – ku u dha performanca teatrale – është kërkuar edhe në teatrin “Dodona” në mbrëmjen letrare “Shkrimi si një mjet për të shkatërruar patriarkatin”.
Shkrimtarja, gazetarja, e studiuesja Ilir Zajmi e nisi këtë mbrëmje me promovimin e librit të saj më të ri “Një luftë e pakryer”, në të cilin ka bërë bashkë 12 rrëfime që bazohen në ngjarje të vërteta të grave e shpalosin përjetimet e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në libër ka edhe rrëfime më të gëzuara, megjithatë ka akoma nga këto personazhe që luftojnë me vetveten, prandaj edhe libri quhet ‘Një luftë e pakryer’ pasi që është një luftë e vazhdueshme për t’i tejkaluar ato dhimbjet, traumat të cilat i kanë përjetuar. Lufta për to ende vazhdon, ndoshta është e një dimensioni, natyre tjetër e që natyrisht me kohë është zbehur, por vetëm ato e dinë se si e tejkalojnë dhe se si ta harrojnë atë që kanë kaluar”, ka thënë shkrimtarja, e cila ka shtuar se mendjen e ka shpesh te tetë gratë që në momentet e fundit hoqën dorë nga të rrëfyerit e përjetimeve të veta nga frika se identiteti i tyre do të zbulohej e ato do të bëheshin gjah i atyre që vazhdojnë t’i stigmatizojnë e linçojnë gratë që nuk ndjekin normat e patriarkatit. Personazhet e Zajmit, janë një kujtim i lirisë së munguar te personazhet që u larguan dhe i guximit që shfaqën ato që qëndruan.

Një frymë e asaj që autorja ka shkruar u bë e qasshme me leximin e disa fragmenteve të librit nga aktorja Rina Krasniqi.
“E mllefosur nga kjo botë burrash që vulosin fatin e grave si të ishin pronë e tyre, ika larg. Largësia më ndryshoi, më bëri tjetër njeri. Një njeri që s’do t’ia dijë kush ishte, çfarë bëri për këtë vend dhe vendosi të ikë larg për të harruar”, ishte një pjesë e asaj që Krasniqi lexoi duke nxitur kështu kureshtjen e publikut për të pasur në dorë librin me të ri të Zajmit, e cila si armë të veten e konsideron shkrimin.
“Luftohet edhe me shkrim dhe secili nga ne mund të bëjë ndryshimin”, ka thënë Zajmi, autore edhe e romaneve “Fashitja e ëndrrave rebele” dhe “Era”, përderisa poezitë e saj janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja.
Moderatorja e mbrëmjes letrare, gazetarja Flora Durmishi, më pas prezantoi “atë që dha një kontribut të njohur në poezinë bashkëkohore shqipe për frymën ‘skandaloze’, kundërthënëse”, shkrimtaren Rita Petro.

Poetja që i ka dalë nami si ajo që theu tabu, e që në poezitë e saj i thotë të gjitha pa censurë, e pyetur nga Durmishi se nga e merr guximin, ka thënë se kjo i vjen shumë natyrshëm.
“Shpesh më thonë: ‘Ti shkruan për emancipimin e femrës’. Të them të drejtën, mund ta quaj veten dhe e them pa mburrje këtë gjë se nuk nisem për të shkruar për emancipimin, më vjen shumë natyrshëm ajo që shkruaj, sepse mundohem që të jem e sinqertë”, ka thënë ajo. Sipas saj, çdo herë ka qenë e parimit se liria individuale nis nga vetvetja dhe në raport me njerëzit më të afërt.
“Pra, ne gratë që duam që të jemi të lira ndonjëherë e prangosim veten. Nëse në pjesën e parë, ato që kishte shkruar Ilirja ishin vërtet të dhimbshme e që kishin të bënin me një letërsi dokumentare, në rastin e poezisë sime apo edhe të letërsisë jodokumentare, erotizmi është baza e çdo lloj letërsie dhe erotizmi qëndron aty brenda dhe në fund të fundit pa qenë të sinqertë e pa i përdorur ato mjetet tona estetike, nuk mund të provokojmë dot”, ka thënë ajo. Kjo, sipas saj, vërehet edhe te shkrimet e saj ku një fije shumë e hollë e ndan vulgaritetin e anën estetike nga e cila rend edhe poetja.
“Ne, gjithmonë, tmerrohemi nga fjalët e pista dhe harrojmë që arti modern, arti i vërtetë pranon çdo lloj fjale”, ka thënë Petro, sipas së cilës duke provuar, artistët tronditin ato ujërat e ndenjura dhe njerëzit fillojnë të flasin.
“Po iki që të gjej lirinë time”, është fillimi i poezisë “Ikja” të poetes tiranase. Kjo ishte veç një nga poezitë e saj që u lexuan nga aktoret Blerta Gubetini e Zhaneta Xhemajli.
Mbrëmja u përmbyll me poezitë e shkrimtares, poetes, interpretueses, folëses publike e këshilltares gjinore, Shqipe Malushi. Ishte aktorja Safete Rogova, ajo që lexoi disa poezi nga libri i saj “Për ty”. Pikërisht ajo ishte bërë sebep për të botuar këtë libër pasi që i kishte vjedhur dorëshkrimet e saj kur kishte qenë në New York për vizitë te poetja. Me t’u kthyer në Prishtinë ajo i kishte botuar ato. Pas shumë vjetësh, Malushi atë e konsideron frymëzim për të.
“Gjithçka që më cenonte lirinë ishte e panegocieshme. Isha shumë rebele dhe nuk e di as vetë ku e kam marrë guximin për të thyer patriarkatin si fëmijë, por tani po më falënderojnë edhe burrat edhe gratë”, ka thënë Malushi para se Rogova të lexonte vargjet: “...si fëmijë të gjithë ikim, ikim nga errësira e tunelit, duke u sjellë vërdallë nga frika”.
Vetë Malushi më pas ka vazhduar të lexojë disa poezi të tjera në gjuhën angleze, pasi që, sipas saj, kishte dashur që frymën e letërsisë shqipe ta bënte më të qasshme.
Guximin e lirinë për të përdorur fjalë vulgare, porse, siç ka thënë Petro, nuk mbesin te vulgariteti por shkojnë nga arti, e ka shfaqur edhe vetë “FemArti”. “F*** seksizmit”, është motoja e sivjetme e këtij Festivali që përmbyll edicionin e nëntë të mërkurën.
