Teatri “Dodona”, as në shfaqjen e vet të radhës për fëmijë, krahas marifeteve skenike që mund t’ua marrin mendjen fëmijëve duke i bërë që të habiten, nuk ka harruar një funksion me rëndësi që ka teatri te grupmoshat e reja: aspektin edukativ. Porosia e re është respektimi i të drejtës së fëmijëve për shkollim. Kjo është bërë nëpërmjet një shfaqjeje që prek thellë jetën që kanë fëmijët si shitës të gjësendeve nëpër qytet
Kur fëmijët e tjerë janë duke pikturuar në shtëpi, ose duke përfunduar detyrat e shtëpisë, Lira dhe Titi janë duke u endur rrugëve të qytetit. “Kikirikë, kikirikë për 50 centë”, thërret Lira. “Cigare, axhë a dëshiron cigare”, dëgjohet zëri i Titit. Fjala cigare tingëllon 100-fish më e rëndë, sidomos brenda sallës së Teatrit “Dodona”, ku është dhënë shfaqja “Lira dhe Titi”. Shitësit e vegjël (Armend Ballazhi dhe Vjosë Tasholli) janë dy fëmijë të cilët kanë lënë bankat shkolle për të fituar të holla rrugëve. Për ta është mënyrë e vetme për ta ndihmuar familjen. Drenusha, shoqja e Titit, e cila e ka ndarë bankën me të, nuk e di se ku është miku i tij i çmuar. Nga mësuesja e ka kuptuar se për shkak të pandemisë babai i Titi ka mbetur pa punë. Por, kjo nuk i duhet arsye që miku i saj ta lërë shkollën. Një ditë kur e takon Titin, ia bën 100 pyetje. Është e interesuar të dijë se në cilën shkollë po mëson, madje dyshon se ka bërë miq të rinj dhe prandaj e ka harruar miken e vjetër. Titi mundohet ta fshehë të vërtetën. Kështu nis rrëfimi i shfaqjes nën regji të Bashkim Ramadanit e tekst të Alba Loxhës.
Drenusha (Daniela Markaj) është e vendosur të mësojë më shumë për mikun e tij dhe shoqen e tij të re, Lirën. Kur e kupton se ata nuk mundësi të shkojnë në shollë, vendos që t’i ndihmojë. Nuk e ka të qartë se si, por është e sigurt se të rriturit do ta kenë një zgjidhje.
Drenusha, për shkak të karakterit që ka dhe për shkak të kujdesit që ka treguar ndaj mikut të saj Titit dhe shoqes së tij Lirës, u ka hyrë në zemër edhe fëmijëve. “Më ka pëlqyer pjesa kur ajo vajza u ka ndihmuar që të kthehen në shkollë”, ka thënë Ana Mulliqaj, 8-vjeçarja e cila kishte shkuar për ta parë shfaqjen të dielën në mesditë. “Lira dhe Titi” pati premierën të shtunën, më 29 maj.
Drenusha është treguar e zgjuar. Ka bërë diçka që çdo fëmijë duhet ta bëjë kur nuk arrin të gjejë zgjidhje për problemet e veta. Ka kërkuar ndihmë nga nëna e saj. Këtu nis një aventurë e re.
Nëna e Drenushës bind Titin dhe Lirën se është Zana prej së vërteti dhe se do t’ua plotësojë dëshirën për të shkuar në shkollë. E zgjedhja e regjisorit që Markaj të dalë me ashensor në skenë ishte një gjetje e duhur regjisoriale.
Aktorja Daniela Markaj, me një zë më serioz sesa kur luante Drenushën dhe me qëndrimin e seriozitetin e një të rrituri, shto këtu edhe efektin e kostumit të saj prej zane – të realizuar nga kostumografja e shfaqjes, Kreshike Osmani – ia ka dalë që t’i bindë fëmijët se në skenë erdhi një personazh i ri. Kështu, nëna e Drenushës e bën të qartë se problemet nuk zgjidhen me magji.
“Është koha t’i përvishemi punës”, ka thënë ajo, duke treguar se fillimisht do të takohet më mësuesit, në mënyrë që Lira dhe Titi ta kapin hapim me mësime. Pastaj tregon se do të takohet me personat përgjegjës në Qendrën sociale për punës, në mënyrë që prindërit e Lirës dhe Titit të punësohen. Kështu, Zana u bë personazhi më i dashur i shfaqjes për disa fëmijë, mes tyre edhe për 7-vjeçaren Buna Gashi.
“Zana është personazhi më i mirë, sepse i ka ndihmuar njerëzit”, ka thënë ajo.
Kështu, shfaqja përfundon me një fund të lumtur, që në jetën reale mund të dalë më e komplikuar. Megjithatë, Lira e Titi kthehen në shkollë dhe së bashku me Drenushën e festojnë kapitullin e ri. “Na shkoftë mbarë mësimi!”, është urimi i tyre.
“Më ka pëlqyer pjesa me shoqe në fund”, ka thënë Benjamin Beslimi, 11-vjecar, nga Hajvalia. Ka shtuar se mendon që mesazhi i shfaqjes është që fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë.
Aktorja Daniela Markaj ka thënë se është me rëndësi që shfaqja të pëlqehet nga fëmijët, ashtu që ata më pas t’i kuptojnë edhe mesazhet e fshehura brenda saj.
“Ndoshta fëmijë më të vegjël mund vetëm të kënaqen dhe kaq mjafton, por ndoshta në mendje diçka do t’ju mbesë dhe pas një kohë diçka do t’i kthejë që të thonë: ‘Oh, ndoshta ky ka qenë mesazhi i shfaqjes’. Mirëpo, ne edhe gjatë shfaqjes e cekim se, përveç lojës edhe këngëve që i kemi, e kemi një pjesë narrative, ku e cekim atë elementin kryesor të shfaqjes, që secili fëmijë ka të drejtë të shkojë në shkollë dhe të shkollohet në një ambient të sigurt dhe miqësor”, ka thënë ajo. Ka shtuar se një mesazh ekstra është që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin kur dikush ka nevojë dhe natyrisht kur munden.
Përderisa shfaqja ishte e përmbledhur bukur edhe me pika muzikore, vlen të përmenden edhe flluskat, petalet e luleve e puplat që krijonin ndjesinë se po binin nga qielli. Edhe inkuadrimi i gjëegjëzave në shfaqje ka nxitur interaktivitet mes aktorëve dhe fëmijëve.
Aktorja Vjosë Tasholli ka thënë se çdoherë kur pranon oferta për të luajtur në shfaqje për fëmijë i pranon ato pa menduar shumë.
“Shfaqjet e fëmijëve janë gjithmonë ashtu që nuk të duhet shumë të mendosh se a ta pranosh apo jo, pasi që e din që në fillim që janë edukative dhe kjo është arsyeja e parë që të bën ta pranosh një rol. Ka nisur së fundi të më pëlqejë shumë të punoj shfaqje për fëmijë. Goxha shumë përgjegjësi, por pastaj po je shumë më i përgatitur, pasi që po e din se nuk guxon të lëshosh diçka duke thënë se ajo gjë nuk vërehet. Pra, duhet të jesh shumë më i përgatitur”, ka thënë ajo.
“Lira dhe Titi” është shfaqje mysafire në “Dodonë”, produksion i organizatës joqeveritare “Integra”, realizuar në kuadër të një projekti që kjo e fundit e ka bërë për ta nxitur diskutimin për të drejtat e fëmijëve. Shfaqja njëherësh është edhe pjesë e aktiviteteve kulturore të Komunës së Prishtinës, në shënim të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Kështu, autorja e tekstit, Alba Loxha, e kishte ditur që në fillim se me këtë tekst do t’i prekte edhe të drejtat e fëmijëve.
“Jemi munduar, pasi që është shumë aktuale pandemia, të vendosim elemente që tregojnë se shumë prindër e kanë humbur vendin e punës, e këtu kemi lidhur edhe elementin me fëmijët që shesin në rrugë cigare a karamele dhe pak a shumë jemi munduar ta përçojmë te fëmijët një mesazh: që këta fëmijë në rrugë të mos shihen me një sy tjetër, pasi nuk janë aty për qejfin e vet, por një problem i ka shtyrë të dalin në rrugë”, ka thënë ajo. Ka theksuar se në një botë normale fëmijët do të duhej të preokupoheshin vetëm për shkollën.