Kulturë

Lindita Ahmeti – poetja që zhytej në mitologji, kapërcente realitete

Lindita Ahmeti (26 prill 1973 – 8 prill 2024)

Lindita Ahmeti (26 prill 1973 – 8 prill 2024)

Letërsisë shqipe ka kohë që ia ka dhënë vargun e veçantë të saj, e te komuniteti i shkrimtarëve lajmi për vdekjen e saj në moshën 50-vjeçare lë dhimbje të thellë. Lindita Ahmeti ishte poetja që luante me mitet, i zbriste në vargun e saj, u jepte tjetër jetë. “Ajo në poezinë e vet familjarizohej me gjithësinë, me mitologjinë, me perënditë edhe në poezi shkonte përtej”, ka thënë akademik Ali Aliu. Si zë të veçantë të poezisë shqipe e ka kujtuar shkrimtari Ag Apolloni. “E pasun me dije, kulturë, lexime, por mbi të gjitha e mbushun me mirësi, dëlirësi, shpirtbardhësi, kjo ishte Linda”, ka thënë poetja Donika Dabisheci e poetja Naime Beqiraj ka kujtuar bisedat për një mbrëmje poetike që mbeti e parealizuar

Gërshetimi atipik i mitikes me vargun dhe sensi unik me të cilin zgjidhte të shprehte ndjenjat, ishin vetëm dy nga karakteristikat që e veçojnë veprimtarinë poetike të Lindita Ahmetit. Individualiteti i saj poetik i formuar nga një veprimtari dekadëshe paraqitet si potpuri veprash të jetësuara në vargun e poezisë së saj. Të tilla që pasqyrojnë raport të ngushtë me mitologjinë greke dhe frymëzime të sinqerta lirike, që shtrihen deri te figurat letrare tek përdorte në maksimum kapacitetet shprehëse të gjuhës shqipe. 

Poetja e studiuesja Lindita Ahmeti vdiq të hënën mbrëma. Ishte 50 vjeçe. Lamtumira e fundit iu dha të martën në Shkup. 

Ahmeti u lind në Prizren në vitin 1973, por formimin e saj akademik do ta niste në Shkup, në shkollën fillore “Rajko Zhinzifov”, pastaj studioi për filologji, e për ta kurorëzuar si udhëtim edhe me studimet e doktoratës, në universitetin “Kirili e Metodi” në Shkup. 

Pas vetes ka lënë një mori veprash, si përmbledhjet me poezi: “Mjedra dhe bluz”, Shkup (1993), “Ishulli Adular”, Shkup (1996) “Brezi i Zonjës”, Tetovë (2000), “Vetë përballë Erosit”, Tetovë (2004), “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”, Shkup (2015), “Dhoma pa derën dalëse”, Shkup (2015), “Lulja Alba”, Tiranë (2015), si dhe e fundit, “Mbrojtja e Hekubës”, Prishtinë (2020). Sipas Fjalorit Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vjershat e saj janë botuar në faqet e revistave letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. Me poezi u përfaqësua në shumë antologji në gjuhët shqipe, maqedonase dhe në gjuhë të tjera.

Por, furia në veprimtarinë e saj do t’i ndalej në mbrëmjen e 8 prillit, duke i lënë përgjysmë planet e vargjet e papërfunduara. Komunitetin letrar shqiptar – të pikëlluar nga një ikje e papritur. 

Të shumtë qenë ata që kanë zgjedhur të ndanin dhimbjen me rikujtime të momenteve të kaluara me të. 

Ndër ta edhe akademiku Ali Aliu, të cilin mëngjesi i 9 prillit e ka gjetur të trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të poetes Ahmeti. Ka kujtuar po ashtu lidhjet e afërta që ai ka me babanë e së ndjerës, shkrimtarin Xhabir Ahmeti.

“...dhe sytë e saj sikur depërtonin përtej realitetit”

“Babanë e së ndjerës e kam mik dhe koleg pune, e kam njohur dhe vëllain e saj po ashtu të talentuar. Dy fëmijët e Xhabirit ishin jashtëzakonisht të talentuar dhe nëse ka në këto raste ndonjë ngushëllim për prindërit, ai ngushëllim është fakti që të dy këta që shkuan përtej kësaj bote në zenitin e moshës, ata lanë në trashëgiminë shpirtërore tonën gjurmë të përjetshme. Lindita për mua është një nga 4 a 5 poetet më të mira bashkëkohore që ka hapësira shqiptare. Atë mbase natyra e la në aspektin fizik të mbërthyer në karrocë, por krejt këtë e kompensoi me talent krijues”, ka thënë akademik Aliu në një prononcim për KOHËN.

Figurën e saj e ka çmuar edhe për nga karakteri, duke e vlerësuar si të veçantë dhe rrezatuese. 

“Ajo për mua është një poete e veçantë dhe sytë e saj sikur depërtonin përtej realitetit, përtej atij kufiri që për ne të zakonshmit na është kufizuar shikimi i dritës së mendjes, ajo kalonte përtej. Ajo në poezinë e vet familjarizohej me gjithësinë, me mitologjinë, me perënditë edhe në poezi shkonte përtej”, ka shtuar akademik Aliu. 

Për ta kujtuar jetën dhe veprën e Ahmetit, poetja Donika Dabishevci në një postim në rrjetet sociale ka ndarë pikëllimin e saj duke e vlerësuar rolin e Ahmetit në letërsinë bashkëkohore shqipe, krahas faktit se me të kishte ndarë interesime të shumta si poezia, albanologjia e letërsia. 

“E pasun me dije, kulturë, lexime, por mbi të gjitha e mbushun me mirësi, dëlirësi, shpirtbardhësi, kjo ishte Linda. Kjo do t’mbetet Linda, gjithmonë në zemrat e atyne që e njohën”, ka shkruar Dabishevci në shkrimin e saj për Ahmetin, të cilin e ka nisur me aforizmin e Hipokratit: “Ars longa, vita brevis” (Arti është i gjatë, jeta e shkurtër). E tillë është cilësuar poezia e Ahmetit, përtej jetës së shkurtër. 

Emërues i përbashkët i çdo postimi për të qe fakti se ajo iku në një moshë e cila ofron pjekuri e maturi krijuese, e cila rëndom është përkthyer në vepra të suksesshme nga shkrimtarët.

Zë i veçantë i poezisë shqipe

Këtë e ka potencuar edhe shkrimtari Ag Apolloni, i cili me rastin e vdekjes së saj ndër të tjera e ka kujtuar edhe një ndodhi të hidhur në jetën e poetes: vëllain e saj, aktorin Luran Ahmeti, i cili vdiq tre vjet më parë, në marsin e vitit 2021. Ishte 46-vjeçar. 

“Ajo ishte një zë i veçantë i poezisë shqipe dhe një person i dashur për të gjithë. Bisedat dhe bashkëpunimi me të tashmë mbesin pjesë e kujtimeve të bukura, ndërsa poezia e saj do të vazhdojë të bëjë dritë”, ka shkruar Apolloni duke i dhënë lamtumirën poetes.

Veprimtaria e saj nuk ishte kufizuar vetëm në krijimin e poezisë, Ahmeti kishte punuar edhe si përkthyese dhe lektore, ndërsa prej vitit 2019 ajo ishte angazhuar si bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ahmeti ishte edhe njohëse e mirë e latinishtes dhe greqishtes së vjetër.

Një mbrëmje e parealizuar poetike

Për veprimtarinë e saj në poezi, përkthime, recensione, punime shkencore dhe ese, ajo ishte vlerësuar disa herë. 

Kishte marrë çmimin për librin më të mirë në gjuhën shqipe për përmbledhjen “Mjedra dhe bluz” (1993), Çmimin për poetin më të mirë të vitit që e ndan PEN-Qendra e Shqiptarisë në Tiranë (2013), Çmimin për librin e vitit për përmbledhjen “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim” (2015), si dhe çmimin e madh shtetëror për vepër jetësore “11 Tetori” për vitin 2023.

Rolin e saj në skenën poetike shqiptare gjatë 20-vjeçarit të fundit e sheh si dominues poetja Naime Beqiraj. Për të veprimtaria e Ahmetit ka qenë shembull i një rritjeje cilësore ndër vite, teksa ka shtuar se vargu i Ahmetit ka qenë i dendur me emocion e me dije marrë parasysh faktin se ajo ndiqte zhvillimet letrare, krahas njohurive të formave të vjetra të poezisë. 

“Lindita e ka njohur mirë edhe mitologjinë, por nuk ka qenë e varur nga mitologjia në poezi, siç janë një pjesë e mirë e poetëve shqiptarë. Ajo ka lexuar autorët e mirënjohur në kopje origjinale”, ka thënë Beqiraj në një prononcim për KOHËN. 

Se sa i kobshëm ka qenë lajmi për vdekjen e koleges poete, Beqiraj e ka rikujtuar duke ndarë edhe planet konkrete që ato kishin për të ardhmen, tashmë të lëna përgjysmë. 

“Kemi biseduar së fundi me të, ka një kohë që kemi menduar t’ia organizojmë një mbrëmje me Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë. Kisha biseduar edhe me ambasadoren Shpresa Jusufi, kishim planifikuar që në vend të aktorëve, poezitë e saja të lexoheshin nga poeteshat. Lindita ishte gëzuar shumë, por pastaj e kishim lënë që pas festave të realizojmë këtë mbrëmje”, ka kujtuar Beqiraj, duke shtuar se, sipas saj, Ahmeti pavarësisht fatkeqësive në jetën e saj kishte ditur të ngushëllonte njerëzit dhe ta mbante moralin lart, përherë. 

Lindita Ahmeti u varros të martën në Shkup, ndërkaq në fjalën lamtumirëse, bashkëpunëtorët nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për veprimtarinë e saj kanë thënë se ka lënë gjurmë në letërsinë shqipe. 

“Ashtu si në letërsinë antike, ti erdhe, parakalove dhe na mësove se si duhet ta gjejmë njeriun e humbur të Diogjenit dhe ike duke na lënë kujtimet më të mira”, qe lamtumira në varrimin e Lindita Ahmetit.