Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Libër i ndjesive të ferrit dhe simptoma e mosrespektit ndaj historisë së Kosovës

Rastësisht pashë një emision televiziv që fliste rreth rrëfimeve të grave që kanë mbijetuar nga torturat gjatë luftës së fundit në Kosovë. Që në titull më interesoi vërtet shumë, pasi aq sa munda të dëgjoja nga programi m`u ngul në kokë si një shigjetë.

E gjitha kjo pasoi një diskutim atë natë rreth historisë së Kosovës dhe sa më shumë argumentonim, më tepër kuptoja se sa pak dija rreth historisë “sonë”. Si nxënëse fillimisht nuk mbaj mend të kemi zhvilluar ndonjë orë të mirëfilltë historie për Kosovën, e as të kemi diskutuar mbi luftën e përgjakshme e monstruoze që kjo e fundit ka përjetuar. Si studente, përveçse në rrafshin individual, sërish nuk kam pasur ngacmime për historinë e Kosovës, por edhe nëse është cekur skajshmërisht biseda ka reshtur pa filluar mirë, si të ishte me çelës paraprakisht.

Ekzistonte një libër nga ishin përzgjedhur dy historitë që u shfaqën. E meqë koha ishte disi me tepri gjatë kësaj pandemie, nuk hezitova ta kërkoja në libraritë që kam qasje, mirëpo sakaq mora përgjigje negative duke më sugjeruar romanet e reja që kishin ardhur. Pas kërkimeve të shumta e gjeta librin dhe nisa ta lexoja. Mund të them që më janë dashur plot 9 ditë për ta përfunduar, një kohë goxha e gjatë për mua si një lexuese e rregullt përkundër një numri të ulët fletësh. Dhe e gjithë kjo nuk lidhej më neglizhencën time, por me vështirësinë e të lexuarit të një libri të tillë.

Ajo çfarë përjeton gjatë leximit të tekstit është një gjendje tërësisht e papërshkrueshme në fjali, në fjali që kanë një distancë jo të madhe kohore nga kur vetë zërat kanë ardhur në fjali përmes përshkrimeve rrëqethëse, e vetëm pak më shumë distancë kohore nga kur klithmat janë dëgjuar në ndodhitë e vërteta… e kjo mua më dhemb, veçanërisht kur tentoj të shkoj drejt origjinës së saj.

Historitë janë nga më të veçantat në llojin e tyre, aty mund të lexosh shkallën e fundit të degradimit të mendjes së shëndoshë karshi brishtësisë njerëzore dhe sakaq të ndjesh radikalitetin e së keqes, që në vetvete nuk mbart kurrfarë kufiri e as kurrfarë pengese. Hidhesh mbi histori që në të kanë të njëjtë vetëm emëruesin, dhimbjen e torturën ndaj dinjitetit e trupave njerëzorë, deri në zvetënim e tëhuajsim të vetvetes. Pra, fillimisht të ndash qenien prej qenieve të tjera, e së dyti të ndash qenien prej trupit të vet, për të arritur një ndarje definitive të njeriut prej çka mbetet prej njeriut…

Kuraja të qëndrosh i fortë ndërsa lexon, të shtyn të ndalësh lotët e të shkëputesh disa herë prej rrëfimit, por njëkohësisht të tërheqë vijimi. Është një lloj ndjelljeje për t’u vetëdijesuar se kjo që po lexon ka ndodhur, por rrëfimi daton vonë dhe gjesti mbetet akoma i paidentifikueshëm si histori dhe i padënueshëm po ashtu.

Sot, në leximin tim, mundet të vijë vetëm një reflektim i dhimbshëm prej pafuqisë për ta ndryshuar historinë, ama njëkohësisht më buron një revoltë karshi zbehjes dhe pasqyrimit të saj e veçanërisht në vendin tim dhe në gjeneratën time.

Edhe OpEd Për të mbijetuarit e dhunës seksuale lufta nuk mbaron kur heshtin armët

Intimidohem nga fakti se para se të mësojmë për plagët tona ende të gjakosura, e të pashëruara ndjekim kahet e historisë së huaj. Ne vetveten e shikojmë si tjetër, historinë tonë e zvetënojmë, ia tkurrim vlerat që i bart. E kjo është vetëm simptomë e një mosrespekti ndaj asaj që ka ndodhur tashmë.

Megjithatë më vjen mirë që shkruhet një libër i tillë. Një libër i ndjesive të ferrit që ushton mbi një kohë të paqes aparente. Sa e sa heronj e heroina të tilla nuk arritën që të rrëfejnë e sa të tjerë i tremben këtij rrëfimi, veç pse nga pas ndjek një histori minore, çdoherë e më minore…

Përfundimisht, mundem të zgjatem në specifikime që dalldisin mbi ngjarjen dhe rendin drejt konceptimeve e interpretimeve ndryshe, por kuptimi dhe mesazhi mbetet po i njëjtë. Si komb duhet ta zhdukim kompleksin e inferioritetit e sakaq duhet të mësojmë ta duam veten e të lëmë të dëgjohet krejt ajo që për vite ka tentuar të na zhdukë. Të kuptohet se ajo çfarë na ka ndodhur, vërtet është e pazhbëshme, por pikërisht aty themelohet e tashmja jonë e kjo e tashme mundet të jetë më e mirë vetëm pasi ta dimë të plotë të shkuarën.

Image