Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Lezha mbledh rapsodë dhe instrumentistë popullorë nga hapësirat kombëtare

Tiranë,25 tetor – Qyteti i Lezhës mirëpret sot rapsodë dhe instrumentistë popullorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë në edicionin e 10-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar.

Ky edicion i cili do vazhdojë dhe nesër i kushtohet rapsodisë dhe lojës me vegla popullore muzikore. Gjithashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut duke përfshirë në këtë festival këngët kushtuar Heroit tonë Kombëtar.

Në festival marrin pjesë rreth 160 artistë popullorë të moshave të ndryshme. Nga jug – lindja në veri- lindje e veri – perëndim. Janë mbledhur së bashku lahutarë, fyejtarë, çiftelitarë nga Kurbini, Hasi, Kukësi, Lezha, Mirdita, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Shkodra, Lezha, Mallakastra, Rugova, Mati, Kamza, Gostivari etj.

Dallohet sivjet një pjesëmarrje më e madhe e talenteve të reja të cilat i sjell Ansambli i Fushë – Arrëzit, i Pukës, i Shkodrës, i Lezhës etj.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Edhe Folklori jetik për kulturën kombëtare, i goditur nga tjetërsimi Kulturë Folklori jetik për kulturën kombëtare, i goditur nga tjetërsimi

Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jo materiale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jo materiale.