Kulturë

Folklori jetik për kulturën kombëtare, i goditur nga tjetërsimi

“Folkloristika dhe Etnomuzikologjia – 70 vjet pas botimit të parë” ka qenë tema e sesionit të ditës së katërt të “Javës së Albanologjisë”, të organizuar prej Institutit Albanologjik të Prishtinës e që sivjet shënon edicionin e 13-të. Shpalosja e studimeve për figura eminente shqiptare – studiues, mbledhës e këngëtarë të muzikës popullore burimore – ka qenë njëra anë e kumtesave në këtë sesion në dy seanca. Ana tjetër, kryefjalë ka pasur sfidat me të cilat përballet folklori, thirrjet e metodat për mbrojtjen e tij, pasi konstatim i kahershëm dhe i përbashkët është se folklori nuk ndahet dot nga identiteti

Folklori burimor ka kohë që është çakorduar prej tjetërsimeve, të cilat vijnë të paketuara në forma zhanresh të reja. Duke qenë se është konstatim i përbashkët se folklori është pjesë e identitetit, edhe në “Javën e Albanologjisë” është ripërsëritur nevoja urgjente për mbrojtjen e tij.

“Folkloristika dhe Etnomuzikologjia – 70 vjet pas botimit të parë” ka qenë tema e sesionit të ditës së katërt të kësaj ngjarjeje tradicionale të organizuar prej Institutit Albanologjik të Prishtinës, që sivjet shënon edicionin e 13-të. Shpalosja e studimeve për figura eminente shqiptare – studiues, mbledhës e këngëtarë të muzikës popullore burimore – ka qenë njëra anë e kumtesave në këtë sesion në dy seanca. Ana tjetër, kryefjalë ka pasur sfidat me të cilat përballet folklori, thirrjet e metodat për mbrojtjen e tij.

“Sfidat e muzikës popullore shqiptare përballë paradigmave të globalizmit” ka qenë tema në të cilën ka referuar studiuesi Bekim Ramadani. Ka thënë se ka kaos në të gjitha zhanret e artit dhe të kulturës, por se muzika mbetet fusha më e ekspozuar ndaj paradigmave të globalizimit.

“Ka një kohë të gjatë që muzikës popullore po i arnohen edhe variante të ndryshme, duke e shfaqur atë në pamje të reja, si: jazz folk, turbo-folk, pop-folk e të tjera, duke e bërë një muzikë bashkëkohore popullore”, ka thënë studiuesi nga Shkupi. Ka thënë se folku po tjetërsohet gjithandej. “Sot të gjithë këndojnë e kërcejnë në skenë pa kurrfarë droje, stisin vargje, ritme dhe melodi, gjoja popullore. Dhe krejt kjo ka imponuar mendimin se çdo gjë e re dhe e panjohur deri më tani është e mirë dhe çdo gjë e vjetër dhe e njohur është e keqe edhe e padobishme”, ka thënë Ramadani, derisa ka përmendur edhe kultivimin e formave të reja muzikore që për bazë kanë elementet popullore dhe tradicionale të kombinuara me zhanre të tjera.

Ruajtjen e folklorit e ka konsideruar urgjente edhe kompozitori e studiuesi Liburn Jupolli, i njohur edhe si inovator e shpikës instrumentesh të reja. Ka thënë se kjo trashëgimi është një pjesë e identitetit kombëtar dhe se rëndësia e folklorit është jetike për kulturën kombëtare. Por në “Javë…” ka prezantuar një studim specifik, që nëpërmjet gjuhës së teknologjisë ofron zgjidhje.

“Metodat moderne të analizës notografike të materialit muzikor folklorik përmes analizës me formë valore dhe analizës spektrografike” ka qenë tema e tij dhe me atë që trajton, mëton t’ua lehtësojë punën e studiuesve në hulumtimet e tyre përmes metodave teknologjike.

“Besoj se me disa prurje të reja në mjete dhe tipologji do të mund ta solidifikojmë njëherë e përgjithmonë një pjesë të dokumentacionit që ndoshta është vetëm i shkruar në tekst, ta shndërrojmë edhe në nota”, ka thënë Jupolli, teksa ka theksuar sfidat në hulumtimet e teksteve të folklorit, të cilat shpeshherë janë krijuar në kushte të asaj kohe. Prezantimi i tij përkon më saktë, ndër të tjera, me prezantimin e aplikacioneve në ndarjen e zërit dhe instrumentalit dhe në gjetjen e burimeve të zërit, qoftë edhe në frekuencat që me vështirësi i dëgjon veshi i njeriut.

“Në terren hasim disa sfida të ndryshme, fillimisht edhe nga incizimet që kemi, ato shpeshherë janë bërë në kushte të vështira dhe mund të kenë probleme. Një pjesë e madhe e fondusit mund të jetë në shirit magnetik, e që nëse nuk është ruajtur, sigurisht se kur kalon në digjital do të ketë probleme në dëgjim, pra kjo është një sfidë. Kjo pastaj pasohet me një problematikë të qartësisë shumë të vogël mes zërave. Nëse incizimi është i vjetër, edhe pse janë të kualitetit të dobët, kur ndahen mund të dallojmë shumë më mirë zërin”, ka thënë ai. Në studimin e tij thuhet se “pa studim, hulumtim dhe zhvillim të metodave dhe mjeteve me mundësi të dokumentimit dhe mikrointervaleve e mikroritmeve, do të na shpie në formate ku muzika jonë dokumentohet përgjithësisht dhe rrjedhimisht do të humbim veçoritë që e bëjnë muzikën tonë”.

Në kuadër të muzikologjisë, përfshihen edhe lojërat muzikore të fëmijëve, hulumtimi dhe studimi i të cilave konsiderohet me interes të madh.

Studiuesi Albin Sadiku në kumtesën e tij ka shtruar çështjen e mbledhjes dhe studimit të krijimtarisë së fëmijëve në Kosovë. Ai ka thënë së krijimtaria e fëmijëve filloi të hulumtohet dhe të studiohet e të botohet në gjysmën e dytë të shekullit 19-të dhe se mbledhësit e parë të kësaj krijimtarie kanë qenë studiuesit e huaj, edhe pse shumë të paktë në numër, ndërsa në Kosovë ka filluar më vonë.

“Më 1955 doli botimi ‘Këngë popullore shqiptare të Kosovës dhe Metohisë’ nga Vojslav Dancekoviq dhe Anton Çetta, pastaj më 1967 botimi ‘Xingli Mingli’ nga Ali Kajtazi e të tjerë. Me krijimtarinë e fëmijëve janë marrë edhe Shefqet Pllana, Mitrush Kuteli, Demush Shala, Faik Shkodra, Arnisa Rexhepi e të tjerë. Në Kosovë përmbledhja më e pasur nga krijimtaria e fëmijëve është ‘Këngë dhe lojëra të fëmijëve’, botim i Institutit Albanologjik, përgatitur nga profesori Sadri Fetiu më 1983. Me këtë përmbledhje janë prezantuar gjithsej 409 krijime nga vise të ndryshme shqiptare”, ka thënë Sadiku.

Studiuesja nga Tirana, Mikaela Minga, ka referuar në temën “Etnomuzikologjia, artefakti dhe njeriu”, ku shtjellon regjistrime arkivore nga Arkivi i Institutit të Antropologjisë Kulturore. Pjesa më e madhe e këtyre regjistrimeve ishin këngë.

Studim i është bërë edhe veprës së etnomuzikologut të parë shqiptar, Gjon Kujxhia. Nehar Arllati e ka prezantuar me kumtesën “Valle kombëtare dhe Hengu Shkodran i Gjon Kujxhisë dhe rëndësia etnomuzikologjike e saj”. Arllati ka vlerësuar se pakkush do ta kishte menduar se vepra e parë e Kujxhisë do të ishte bazament shumë i fuqishëm i muzikologjisë shqiptare. “Vetëm pak muaj pas botimit të veprës, Kujxhia kishte arritur të shpërndante pak kopje, kryesisht miqve të tij, kompozitorë të ardhshëm, që vendosën gurthemelet e muzikës shqiptare, si: Prenk Jakova, Ramadan Sokoli, Pjetër Bungu, Familja Zadea, Pashko Gjergji, me gjithsej 20-30 kopje. Qëllimisht kishte botuar kaq pak, me qëllim që t’i jepnin ndonjë sugjerim, këshillë, mendim, të cilën do ta përfillte”, ka thënë Arllati. Mirëpo, siç ka thënë Arllati, etnomuzikologu Kujxhia nuk arriti të marrë kurrë këto sugjerime, pasi vdiq pa arritur të botojë vëllimin e dytë, edhe pse e kishte lënë të skicuar. Pas vdekjes së etnologut, u bënë ndryshime të mëdha dhe shumica e valleve janë regjistruar si këngë lirike dhe jo si valle të kënduara dhe interpretuara nga këngëtarë të ndryshëm.

“Folkloristika parainstitucionale në Kosovë: Zekeria Rexha dhe botimet e mohuara” ka qenë tema që ka sjellë Arbnora Dushi, përderisa Ylberza Halili ka referuar në temën “Konceptet teorike të Myzafere Mustafës për studimin e përrallës”. Krenar Doli ka referuar në temën “Kontributi i Qamilit të Vogël në hartimin e blejve me këngë të ndryshme tradicionale”, Vlorë Fetaj – Berisha ka shpalosur kumtesën “Kontributi i Demush Shalës për folkloristikën shqiptare” e Visar Munishi atë për “Etnomuzikologjinë e aplikuar: pak teori e shumë praktikë”.

Në këtë sesion janë përmendur edhe mediat si kontribuues të lënies anash të folklorit dhe ndërlidhjes së rrymave të tjera të muzikës.