Jo pak materiale të folklorit janë nëpër arkiva private, e një pjesë e tyre – në mungesë të strategjisë, projekteve e investimeve konkrete – rrezikojnë edhe të zhduken. “Muzika dhe këngët folklorike dhe ruajtja e tyre në biblioteka dhe arkiva”, ka qenë tema e ditës së tretë të “Javës së Bibliotekës”. “Institucionet përkatëse të Kosovës duhet t’i hulumtojnë të gjitha këngët e incizuara, të ruajtura në institucione dhe në koleksione familjare dhe të krijohet mundësia që ato të digjitalizohen”, ka thënë studiuesi i letërsisë popullore, Zymer Neziri
Rëndësia e muzikës dhe këngëve folklorike, ruajtja e tyre në biblioteka dhe arkiva kanë qenë kryetemë e ditës së tretë të “Javës së bibliotekës” në Kosovë. Në sesionin shkencor, që u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal në Pejë, fillimisht është theksuar rëndësia e pasurimit të fondit të këngëve folklorike në arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më pas u theksuan edhe nevoja dhe domosdoshmëria për mbledhjen, ruajtjen dhe dokumentimin e materialeve të folklorit e veçanërisht ruajtjen e koleksioneve audiovizuale dhe efemere.
Këto dy të fundit janë edhe çështja kryesore e këtij edicioni, pasi që përveç aktiviteteve të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare, gjatë kësaj jave organizohen edhe sesione shkencore që trajtojnë temën e sivjetme, “Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuale dhe efemere”.
“Java...” si ngjarje tradicionale, që nisi të hënën, pas anulimit të edicionit të vitit të kaluar është rikthyer sivjet duke iu përshtatur masave ndaj pandemisë. Një pjesë të aktiviteteve vijnë në formatin online e një pjesë tjetër me prezencë fizike. Pikërisht pandemia e shtyri BKK-në që “Javën e Bibliotekës” të mos e mbante në prill dhe ta zhvendoste në maj. Edicioni i sivjetmë, i 18-të, do të zgjasë deri më 30 maj.
Shengyl Kelmendi-Gashi, drejtoreshë e Bibliotekës publike “Azem Shkreli” në Pejë, ka thënë se kjo ngjarje përkon me vlerat e krijimit dhe të zhvillimit të sistemit bibliotekar.
“Meqenëse është edicioni i 18-të më radhë i këtij manifestimi, dhe arsyeja kryesore për organizimin e aktiviteteve edhe në qendra të tjera të Kosovës është mbështetja e këtyre bibliotekave në avancimin e veprimtarisë, me qëllim të nxitjes dhe të afirmimit të vlerave kulturore”, ka thënë ajo, duke përgëzuar kështu iniciativën për të mbajtur aktivitet të “Javës...” edhe nëpër bibliotekat e qyteteve të tjera.
E studiuesi i letërsisë popullore, Zymer Neziri, ka qenë ai që vuri në pah fondin e këngëve folklorike në arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe që nisi sesionin shkencor “Muzika dhe këngët folklorike dhe ruajtja e tyre në biblioteka dhe arkiva”. Neziri, fillimisht, ka paraqitur shkurtimisht disa të dhëna me interes për këngët e Eposit të Kreshnikëve, të incizuara në krahinën e Rugovës dhe në krahina të tjera të pesë shteteve të Ballkanit. Këto këngë ruhen në fondet arkivore të IAP-së.
“Fjala është për dy projekte të mëdha, të realizuara në terren brenda një harku kohor prej rreth tridhjetë vjetësh. I pari është kryer në Rugovë, nga viti 1979 deri më 1988, kurse i dyti është kryer në krahinat tona, nga Kraja e Tivarit, Malësia e Gjakovës e Shala e Bajgorës dhe deri në Kumanovë, Shkup e Kërçovë, si dhe nga Kurbini e Lezha e deri në Malësi të Madhe, gjatë viteve 2012 - 2016. Si i pari, ashtu edhe i dyti, kanë nga 15 vëllime material të mbledhur”, ka thënë ai. Ka treguar se sasia e vargjeve të këtyre 30 vëllimeve të incizuara është mbi 200 mijë, kurse sasia e orëve të incizuara është rreth 300.
“Këto 30 vëllime janë dorëshkrim në Institutin Albanologjik, për mungesë të mjeteve, pos tri vëllimeve që janë botuar. Këngët e projektit të parë janë incizuar në bobina magnetofoni, por duhet që sa më parë të riincizohen, për shkak të moshës së madhe të bobinave. Ato të projektit të dytë janë të incizuara me kamerë, pra, nuk janë në rrezik”, ka thënë ai.
Ka theksuar se vlerat letrare të këtyre 30 vëllimeve janë shumë të mëdha. Krahas edhe rreth 60 vëllimeve të mbledhësve të tjerë, nga viti 1897, Neziri ka thënë se ato dëshmojnë se vlera e tyre artistike është aq e lartë, sa i kalon caqet kombëtare, ballkanike dhe evropiane. Sipas tij, ato këngë të Eposit janë vlerë universale e trashëgimisë botërore të njerëzimit dhe vendin e kanë në UNESCO, ku po synojmë t’i paraqesin prej vitit 2008.
Por ka treguar se ky Institut ka edhe materiale të tjera të moshës dyzet e më shumë vjet, që presin dorën e investimeve për digjitalizim.
“Institucionet përkatëse të Kosovës duhet t’i hulumtojnë të gjitha këngët e incizuara, të ruajtura në institucione dhe në koleksione familjare dhe të krijohet mundësia që ato të digjitalizohen”, ka thënë Neziri.
Mehmet Rukiqi, studiues i letërsisë popullore, ka treguar më shumë për zhanret folklorike, si dhe ka theksuar rëndësinë për mbledhjen dhe ruajtjen e tyre.
“Tani i mbetet në dorë rinisë për të ruajtur dhe për t’u kujdesur për folklorin dhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Pasi në duart e të rinjve është Kosova, populli dhe kultura e etnologjia e popullit shqiptar. Deri tani është bërë një punë shumë e mirë, por mbetet për të punuar akoma më shumë në ruajtjen e kësaj pasurie”, ka thënë Rukiqi.
Ka shtuar se Biblioteka Kombëtare obligon që letërsia gojore të studiohet me kujdes të madh, pasi që folklori e historia janë bashkudhëtarë të pandarë. “Folklori është bazë e historisë dhe daton që nga pellazgët e këndej”, ka thënë ai.
Koleksionues i veprave të rapsodëve, Shefqet Gjoshi, ka vënë në pah sfidat të cilat i ka pasur kur ka mbledhur folklorin ndër vite.
“Kam pasur vullnetin për të mbledhur folklorin. Rapsodët e përdorën artin e vet, dhuntinë që ia ka dhënë perëndia, por edhe zemra. Ka qenë edhe një kënaqësi, pasi që në kohën kur koleksionoja ishin gjallë disa nga rapsodët me të shquar që ka pasur vendi”, ka thënë ai.
E Muharrem Gashi, koleksionues i folklorit, ka folur për disa veçori të krijimtarisë popullore.
“Populli ynë si në të gjitha fushat e jetës edhe në art ka treguar talent dhe aftësi të mrekullueshme. Vlerat që ka krijuar populli ynë gjatë shekujve janë të shumëllojshme. Mes tyre gjenden edhe shumë këngë, valle, melodi, tregime popullore, proverba, gjëegjëza, lojëra e që të gjitha këto njihen me emrin folklor. Kjo pra e bën folklorin pjesë të rëndësishme artistike të popullit”, ka thënë ai gjersa ka shtuar se nocioni i folklorit tani është zgjeruar duke përfshirë edhe më shumë pasuri të trashëgimisë brenda vetes.
Xhemajl Berisha, autor i emisioneve televizive të muzikës folklorike, ka theksuar se duhet të punohet me shumë për ruajtjen e trashëgimisë së folklorit. Sipas tij, kjo pasuri duhet që të dokumentohet dhe të mblidhet edhe nga koleksionues privatë, të cilët posedojnë materiale me rëndësi.
Sesioni u përmbyll me një historik të folklorit shqiptar, që u shpalos nga folkloristi Shaban Baksi dhe më pas nga Vehbi Shabani.
Në ditën e dytë të “Javës..” në ambientet e Bibliotekës publike “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë ishte theksuar rëndësia e digjitalizimit si zgjedhje për të shpëtuar materialet bibliotekare që po shkatërrohen dhe si mundësi për të ofruar me lehtë materiale me qasje të hapur. E vetë “Java e Bibliotekës” nisi me alarmin për zhdukjen e trashëgimisë audiovizuale.