Gabo, 17 prilli ishte përvjetori i gjashtë i vdekjes tënde dhe bota ka vazhduar si gjithnjë në të sajën, me qeniet njerëzore që sillen me vrazhdësi kreative dhe trullosëse, me zemërgjerësi dhe sakrificë sublime, dhe kushedi si ndryshe. Kemi një të re: një pandemi.
Me aq sa dimë gjer tani, rrënjët i ka në një treg ushqimesh, ku virusi kaloi prej një kafshe te njeriu. Një hap i vogël për një virus, por i madh për llojin e vet. Është një krijesë që çoi krye në kohë të pamatur nëpërmjet zgjedhjes natyrore duke u kthyer në një përbindësh të vogël grykës. Por, tani është e padrejtë t’i referohemi me këso shprehjesh dhe shpreh keqardhje nëse fjalët e mia e kanë ofenduar. Virusi, në fakt, nuk është se tani bart ndonjë sëmundje të veçantë në trupin tonë. Ndryshon gjendjen pareshtur, sepse mundet. Sigurisht, ne mund të rrëfejmë. Nuk ka kurrgjë personale. Nuk kalon një ditë e vetme pa iu referuar romanit tënd “Dashuria në kohërat e kolerës”, ose pa i rënë për rreth titullit të tij, ose pandemisë së pagjumësisë në “Njëqind vjet vetmi”.
Është e pamundshme të mos spekuloj se çfarë do të nxirrje prej gjithë kësaj hataje. Ti gjithnjë je mahnitur me pandemitë, me të vërtetat ose me ato të imagjinatës letrare, si dhe me gjërat dhe njerëzit që kthehen. Ti nuk ishe lindur ende kur pandemia e gripit spanjoll mbërtheu planetin, por ti u rrite në një shtëpi ku mbizotëronte rrëfimtaria dhe ku murtaja, si fantazmat dhe pendimet, do të ktheheshin në brumë të mirë letrar. Ti thoshe se njerëzit do të flisnin për ndodhi të kaluara si për gjërat që kishin ndodhur në ditët e kometës, mbase duke iu referuar kalimit të kometës Halley në fillimshekullin njëzetë.
Më kujtohet si sot se sa i etur ishe ta shihje me sytë e tu derisa po afrohej kapërcyelli i mijëvjeçarit. Të kishte magjepsur një orë misterioze që kumbueshëm thyente heshtjen një herë në 76 vjet, një cikël që po përafronte kohën e ndarë për qeniet njerëzore. Rastësi? Mbase një harengë e kuqe. Ishe ateist, por a të kujtohet se gjithnjë thoshe se nuk ishte e udhës të mos kishte një plan të madh? Ama, rrëfim pa rrëfimtar. Në këtë aspekt, mbase i di gjërat larg më thuktë sesa unë. Një pandemi na është ngjallur.
Pavarësisht avancimeve të mëdha të shkencës dhe zotësisë së ngritur në qiell të specieve tona, mbrojtja më e mirë gjer tani është ngujimi në shtëpi, që të fshihemi në shpella nga grabitqari. Është një moment përulësie për ata me një grimë prirje për përulësi. Dy shtete, të dashura për ty, Spanja e Italia, janë ndër më të goditurat.
Disa prej miqve tuaj të moçëm po mundohen ta kalojnë më së miri duke qëndruar brenda mureve të të njëjtave banesa në Barcelonë, Madrid e Milano, ku ti e Mercedesi i keni vizituar për dekada me radhë në raste panumërta. Kam dëgjuar shumë njerëz të atij brezi që thonë se janë të vendosur t’ia dalin mbanë, nëse për kurrgjë tjetër së paku sa për të shmangur vdekjen nga një grip pasi për dekada me radhë mbijetuan kanceret, tiranët, vendet e punës, përgjegjësinë dhe martesën. Nuk është puna se po na tmerron vdekja, por rrethanat.
Një ikje pa lamtumira, me pjesëmarrës të huaj të veshur si jashtëtokësorë, nën shoqërinë e makinave që vërshëllejnë pamëshirshëm, rrethuar prej njerëzve të tjerë në të njëjtën derexhe, por larg prej njerëzve tanë të dashur. Kjo është frika më e madhe e gjithsecilit, vetmia.