Kulturë

Shkrimtari hungarez László Krasznahorkai, fitues i “Nobelit” për letërsi

nobel

László Krasznahorkai

Shkrimtari hungarez László Krasznahorkai, është fituesi i “Nobelit” për letërsi. Ai është shpallur fitues me arsyetimin:  “për veprën e tij të fuqishme dhe vizionare, e cila, në mes të tmerrit apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”.

I lindur në Gyula, Hungary, nw vitin 1954, Krasznahorkai u bë i njohur me romanin e tij debutues “Sátántangó” i publikuar më 1985, një portret i zymtë dhe magjepsës i një komuniteti rural në rrëzim. Romani do të fitonte çmimin “Best Translated Book” (Libri më i mirë i përkthyer në gjuhën angleze) gati tre dekada më vonë, në vitin 2013.

Shpesh i përshkruar si postmodern, Krasznahorkai njihet për fjalitë e tij të gjata dhe të përdredhura, temat distopike dhe melankolike, si dhe për intensitetin e pamëshirshëm që ka bërë që kritikët ta krahasojnë me Gogolin, Melvillein dhe Kafkën. “Sátántangó” u adaptua në film shtatëorësh nga regjisori Béla Tarr, me të cilin Krasznahorkai ka pasur një bashkëpunim afatgjatë.

Karriera e Krasznahorkait është formësuar po aq nga udhëtimet sa edhe nga gjuha. Ai u largua për herë të parë nga Hungaria komuniste në vitin 1987, duke kaluar një vit në Berlinin Perëndimor me një bursë, dhe më vonë gjeti frymëzim në Azinë Lindore – veçanërisht në Mongoli dhe Kinë – për vepra të tilla si “The Prisoner of Urga” (I burgosuri i Urgës) dhe “Destruction and Sorrow Beneath the Heavens” (Shkatërrim dhe trishtim nën qiejt”.

Ndërsa punonte për romanin “War and War”, ai udhëtoi gjerësisht nëpër Evropë dhe jetoi për një kohë në apartamentin e Allen Ginsbergut në New York, duke e përshkruar mbështetjen e poetit legjendar si thelbësore për përfundimin e romanit.

Adhuruesit e tij janë të fuqishëm: Susan Sontag e quajti atë “mjeshtrin bashkëkohor hungarez të apokalipsit”, ndërsa WG Sebald vlerësoi universalitetin e vizionit të tij. Në vitin 2015, Krasznahorkai u bë shkrimtari i parë hungarez që fitoi çmimin ndërkombëtar “Man Booker”.