Përmbledhja me poezi “Kur flet kalldrëmi” e Salajdin Krasniqit është prezantuar para publikut në Prizren, në kuadër të manifestimit “Ora e Pavarësisë – 2022”. Studiuesit e bashkëpunëtorët e poetit prizrenas kanë vlerësuar vëllimin e ri me poezi, brenda të cilit zënë vend edhe një mori poezish kushtuar Prizrenit, që sipas tyre autori e ka lajtmotiv të përhershëm në krijimtarinë e tij, që nga publikimet e para.
Në parathënien e librit, Skënder Zogaj, pos të tjerash ka veçuar se si autori Krasniqi në këtë vëllim ia kushton vendlindjes së tij disa poezi, si: “Qyteti im”, “Qyteti i fundosur”, “Porosi”, “Kënga për kullën”, “Guri im”, “Kështjella” e të tjera, derisa libri si tërësi përbëhet nga katër cikle.
Parathënia e plotë e shkruar nga Zogaj, para të pranishmëve në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” është lexuar nga Vllaznim Bytyqi.
“Kësaj ndërlidhjeje, si shumica e krijuesve prizrenas, i ka shërbyer me përkushtim edhe poeti Salajdin Krasniqi, në artin e të cilit adhurimi ndaj trashëgimisë kulturore e historike dhe traditave shpirtërore është jetik dhe i pranishëm në të gjithë krijimtarinë e tij letrare. Këtë vlerësim e shpreh edhe përmbledhja e re poetike ‘Kur flet kalldrëmi’, që përbëhet nga katër cikle: 'Lulet e poetit', 'Guri', 'Sekretet e qytetit' dhe 'Thirrjet'", ka thënë Bytyqi.
ciklin e parë “Lulet e poetit”, sipas parathënies së Zogajt, poeti ka shkruar vargje përmallimi për prindërit e tij për të vazhduar më tej me poezitë për qytetin e tij. Në ciklin e dytë “Guri”, Zogaj pohon se autori trajton ekstra preokupime të njeriut në ballafaqimet me ndryshimet e mëdha e shumë shqetësuese bashkëkohore. Sipas parathënies, aventura poetike zgjerohet dhe thellohet me observime të ngjeshura dhe të krehura mirë poetiko-filozofike edhe në dy ciklet përmbyllëse të librit, ku cikli “Sekretet e qytetit” dominohet nga temat sociale dhe ballafaqimet ekzistenciale të njeriut në jetën e përditshme, derisa cikli “Thirrjet” kapton 30 poezi të gjendjeve të ndryshme emocionale, por shumë domethënëse për pikëpamjet ideo-artistike të poetit dhe botën e tij të brendshme shpirtërore dhe në raport me të tjerët.
Në kuadër të manifestimit “Ora e Pavarësisë – 2022” të mbajtur në Prizren, të enjten është promovuar përmbledhja me poezi “Kur flet kalldrëmi” nga autori Salajdin Krasniqi. Në këtë libër zënë vend edhe një mori poezish kushtuar Prizrenit, që sipas recensentëve, autori e ka lajtmotiv të përhershëm në krijimtarinë e tij
Në këtë promovim janë recituar edhe disa poezi nga ky libër nga aktorët Xhevdet Doda dhe Alban Çela, si dhe mbesa e autorit.
Ndërsa profesori Nexhat Çoçaj ka theksuar se katër ciklet e vëllimit me poezi të Krasniqit në mënyrë simbolike paraqesin tërësinë, pa u shkëputur nga dashuria e autorit për Prizrenin.
“Është një përmbledhje me poezi, e cila numëron 103 poezi, e ndarë në katër cikle. Në fakt, ndarja në katër cikle është simbolikë që autori ka dëshiruar edhe pse është përzgjedhur nga një numër i madh i poezive që gjithsej janë rreth 360 poezi, prej tyre i ka përzgjedhur së bashku me redaktorin e librit dhe numri katër simbolizon tërësinë, që është munduar baca Salë me krijimtarinë e tij ta prezantojë në kuadër të këtij libri. Në anën tjetër, janë katër anët e botës, katër klithma, katër stinët e vitit, katër dertet, katër dyert, e të tjera që në mënyrë simbolike flet në veçanti për qytetin e Prizrenit”, ka deklaruar Çoçaj.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka uruar që në të ardhmen të ketë më shumë promovime të librave.
“Sepse qyteti i Prizrenit e ka këtë reputacion, si qytet i kulturës, kurse veprat e tilla veçse e begatojnë këtë reputacion, prandaj presim akoma më tepër shkrime nga ju edhe promovime të tilla”, është shprehur Totaj.
Vetë autori Salajdin Krasniqi i kapluar nga emocionet ka shprehur mirënjohje për Skender Zogajn, Nexhat Halimin dhe Musa Ramadanin e ndjerë që i ka dhënë kurajë për të vazhduar krijimtarinë poetike, si dhe për Berat Batiun nga shtëpia botuese “Fidani” dhe redaktorin Musa Bushrani për realizimin e librit të fundit.
Salajdin Krasniqi u lind në Prizren në vitin 1948 dhe u rrit mbi kalldrëmet e qytetit të Lidhjes. Vjershën e parë e botoi në vitin 1968. Në vitin 1986 bëhet anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. “Kur flet kalldrëmi” është vepra e dhjetë e Krasniqit.