Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kultura – shtyllë në aktivizmin për mbrojtjen e planetit

Kauzat e mëdha si ajo për ndryshime klimatike bëhen shpeshherë pjesë e aktiviteteve kulturore. Organizata të ndryshme kulturore, njashtu sikurse edhe figura me peshë nga skena e kulturës, bëhen pjesë e aktiviteteve e fushatave për ndërgjegjësim.

Kësisoj ka vepruar edhe festivali ndërkombëtar të Prishtinës në edicionin e sivjetmë që vjen me temën “Tingulli i ndryshimit”. Koncertet që janë mbajtur deri tash, kanë qenë në harmoni me këtë moto, e enkas për temën që përthekon në edicionin e 21-të, të dielën paradite, në ditën e katërt “ReMusica” ka mbajtur diskutimin me “Kultura dhe veprimi klimatik”. Në teatrin “Oda” ka bërë bashkë përfaqësues institucionesh qeveritare, të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare.

Introja e diskutimit ka qenë përshkrimi të gjendjes klimatike në botë dhe asaj se çfarë po bëjnë shtetet e mëdha për ta penguar shkatërrimin e botës.

“Marrëveshja e Parisit është një traktat ndërkombëtar, obligativ sipas ligjit, ku shtetet obligohen që të vijnë me plane se si të arrihet neutraliteti i karbonit. Kjo çon te një transformim, i paparë ndonjëherë, siç është transformimi i transportit, i sektorit të bujqësisë etj. Marrëveshja i obligon shtetet të punojnë rreth arritjes së temperaturave globale në 1.5 gradë celsius. Kjo mendohet të japë rezultate tek pas pesëdhjetë vjetëve, por se a do të ketë sukses, do të mund të kuptohet pas dhjetë vjetëve”, ka thënë Lindita Xhaferi-Salihu nga United Nations Framework Convention on Climate Change (UNFCCC).

Ndonëse prania e publikut ishte shumë e vogël, aq sa ishin u informuan edhe për veprimet që ka ndërmarrë Zyra e Presidencës së Kosovës.

Edhe Osmani kërkon që Kosova të zërë vend në COP28: Ndryshimet klimatike s’njohin politikë Arbëri Osmani kërkon që Kosova të zërë vend në COP28: Ndryshimet klimatike s’njohin politikë

“Presidentja Osmani ka mundësi të jetë prezente në platforma të ndryshme ndërkombëtare në të cilat merren vendime jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin e më gjerë dhe janë pikërisht këto platforma që ajo po i shfrytëzon në baza të rregullta për të komunikuar për problemet me të cilat ballafaqohemi. Ne nuk jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara por kjo nuk do të thotë qe nuk do të jemi pjesë e diskutimeve”, ka thënë Learta Hollaj, këshilltare e presidentes së Republikës së Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Partneritet.

Gjatë vitit të kaluar presidentja Osmani kishte deklaruar se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nisur mbjelljen e një milion drurëve për mbrojtjen e ekosistemit.

“Realisht ajo çfarë po ndodh në këtë fazë është ajo që njihet si ripyllëzim dhe mbjellja e fidanëve ka mbërritur në 800 mijë. Në kuadër të kësaj nisme, në pjesën e dytë, po punojmë me Asociacionin e Komunave në mënyrë që në fazën e dytë, fidanët të mbillen edhe nëpër komuna dhe aty ku ato do të mund të vërehen edhe nga qytetarët”, ka bërë të ditur Hollaj.

Për shembuj konkretë ka folur deputetja në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli-Dalipi.

“Viti i parë ka qenë viti ku ne kemi reaguar në çështjet emergjente. Ministrisë së Mjedisit i kemi dërguar mbi tridhjetë rekomandime. Kemi arritur t’i shpëtojë disa zona për shembull Maja e Zezë që është në Komunën e Obiliqit ku ka qenë në pyetje që brenda pak javëve të zhduket komplet ajo e kjo për shkak se është bërë komplet përgatitja që të minohet zona, për nevojat e një gurthyesi. Komuna i ka dhënë leje, por ne kemi rastisur që në momentin e fundit të njoftohemi nga qytetarët, të bashkërendojmë aktivitetet tona me Ministrinë e Kulturës dhe atë të Mjedisit, sepse është zonë e mbrojtur arkeologjike, dhe së bashku të pengojmë minimin e kësaj maje”, ka thënë Pacolli-Dalipi .

Aktivistja Flutra Zymi ka alarmuar se më nuk diskutohen pasojat, por nëse do të arrihet të shpëtohet planeti. “Njëri ndër problemet kryesore ka qenë se qeveritë tona, deri më tani, nuk e kanë pasur prioritet mbrojtjen e mjedisit e veçmas atë të zonave të mbrojtura të cilat zakonisht shihet vetëm si vend për përfitime”, ka thënë Zymi e cila merret me çështje të mjedisit.

Zymi ka qenë e vetmja e cila ka treguar se çfarë impakti ka kultura në mbrojtjen e mjedisit.

Edhe Për t’i mbështetur përpjekjet e klimës, mbështesni kryetarët e komunave OpEd Për t’i mbështetur përpjekjet e klimës, mbështesni kryetarët e komunave

“Më 2010 Organizata Botërore e Qyteteve e ka shpallur kulturën si shtyllën e katërt për zhvillimin e qëndrueshëm kështu që kultura ka një impakt sepse nëse kultura nis të punojë për këtë çështje, atëherë rezultatet do të ishin shumë të mëdha”, ka thënë ajo.

Tema e ndryshimeve klimatike është ajo që “ReMusica” ka zgjedhur të trajtojë këtë vit. Përveç këtij debati, “ReMusica”, në po të njëjtën ditë, solli edhe koncertin me titull “Electroacoustic & Acousmatic Night – Earth and Wind”.