Kulturë

“Kulla e sahatit” vjen online si metaforë e çrregullimit të kohës

“Mjeshtër, o mjeshtër”, e thërret aktorja Leze Qena mjeshtrin e orëve (Luan Jaha) në filmin “Kulla e sahatit” me skenar e regji të së ndjerës Arzana Kraja. Qena, e cila vdiq të mërkurën, luan rolin e një gruaje të vjetër që nuk dëgjon mirë e së cilës i është prishur ora.

Filmi i shkurtër, produksion i vitit 2006, është bërë i qasshëm online të enjten, në ditën e varrimit të aktores.

“Ta kam pru këtë sahat me ma ndreq. Ma kanë pas pru kur jam bo nuse. Ma ka ble ai dritëshumi në Stamboll. E prej asaj dite deri dje ka punuar si sahat”, i thotë mjeshtrit aktorja Leze Qena.

E kur ai i tregon se ora nuk rregullohej, aktorja, duke mos e dëgjuar, ia kthen se do të dalë në dyqan të nesërmen për ta marrë të rregulluar. Ajo nuk është e vetmja që e viziton mjeshtrin e orëve. Kushdo që ka problem me orën shkon tek ai. Dikujt orët i ecin shumë shpejt e dikujt ngadalë. E mjeshtri mendon se është ai që i rregullon punët e kohës siç dëshiron vetë.

Një ditë orët e të gjithëve ndalen dhe të gjithë drejtohen te mjeshtri për të kërkuar sqarim. Por prapa tij, një lojë më e madhe zhvillohet nga vetë koha. Rrëfimi tregohet nga këndvështrimi i kohës, e cila zemërohet nga kjo shpërfillje dhe vendos të mos punojë më për këta njerëz, raporton KOHA.

“Ky mund të jetë njëfarë fundi, dikush mundet mos me e marrë vesh, por kjo nuk është e vetmja gjë që nuk kuptohet në këtë botë. Pjesën tjetër të rrëfimit vazhdojeni ju”, thotë koha në fund të filmit përmes narratorit, aktorit Bislim Muçaj. Platforma “Vimeo”, në kanalin zyrtar të producentit të filmit, Shkumbin Istrefi, është adresa për ta parë filmin.

Istrefi ka thënë për KOHËN se kanë vendosur që filmin ta bëjnë të qasshëm online që njerëzit ta kalojnë më lehtë periudhën kur u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Filmi i cili u ofron shikuesve një pjesë të trashëgimisë filmike të Krajës e të Qenës, sipas Istrefit, korrespondon me situatën aktuale.