Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kukuta e Sokratit” e “Testamenti” me letërsinë si solemnitet shpirtëror

Në mesin e shumë njerëzve që akademik Sabri Hamiti parapëlqeu t’i quajë “dashunues të letërsisë”, të enjten në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” janë promovuar librat e tij “Testamenti” dhe “Kukuta e Sokratit”.

“I ndiej të gjithë këta që janë këtu të pranishëm, shkrues të letërsisë, lexues të letërsisë, interpretues dhe më të shumtit, ndoshta më të dashurit ata që unë i quaj ‘dashunues të letërsisë’, që e lexojnë, e dëgjojnë se e duan”, u është drejtuar akademik Hamiti të pranishmëve në këtë ngjarje, e organizuar në ditën e dytë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Testamenti”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, është vepër me studime letrare, e “Kukuta e Sokratit”, përmbledhje me poezi, botuar nga “Albas” e Tiranës. Autori në përurim ka folur për rolin që duhet ta ketë letërsia. Ka thënë se ajo bashkë me kulturën është pjesa më esenciale, më e thella e njeriut që nuk dëgjohet si bubullimë, por si pëshpërimë. Ka theksuar se çka do që ka dashur të thotë për vete gjendet në librat e tij dhe të gjitha përgjigjet që ai i mendon si të rëndësishme do t’i gjejë dikush, dikur, diku në librat e tij. Hamiti ka zgjedhur ditën e promovimit të librave të tij për të kujtuar vitet ’70 për të cilat ka thënë se e merr malli t’u kthehet, sepse atëbotë çdo botim letrar konsiderohej si solemnitet shpirtëror.

“Unë mendoj që duhet të kthehet kjo atmosferë që letërsia të konsiderohet si solemnitet shpirtëror”, ka thënë ai.

Për Hamitin, kultura shqipe nuk mundet pa letërsinë, sepse edhe në fillimet e veta edhe tash, krejt ajo që është kulturë shqipe në të vërtetë e ka bazën në letërsi. Për këtë ka thënë se nuk ka asgjë të keqe, sepse letërsia është instrument për vetënjohje dhe ushtrim i vërtetë i mbrojtjes së shpirtit.

“Formula po duket pak e rëndë, por unë mendoj se edhe shqiptarët duhet të punojnë për mbrojtje të shpirtit, pikërisht si dikur edhe tash”, ka shtuar ai.

Ndërkaq pjesa e fjalimit që mori duartrokitjet më të mëdha qe ajo e fundit, ku u shpreh se nuk do të flasë diçka tjetër, sepse fundi-fundit edhe ai është njeri si të gjithë të tjerët.

“Fëmijë më ka bërë nëna, djalë më ka bërë babai, burrë më ka bërë gruaja, baba më kanë bërë fëmijët. E poet, poet jam bërë vetë”, ka thënë ai.

Akademik Ali Aliu e ka cilësuar Hamitin si shkrimtar me peshë të veçantë në letërsinë kombëtare, për faktin se është studiues dhe historian i letërsisë shqipe, prozator dhe dramaturg.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm