Krzysztof Penderecki, kompozitori dhe dirigjenti polak veprat moderne të të cilit kapërcyen nga sallat koncertale te kultura e masave, u bënë kolona zanore për filmat si “The Exorcist” dhe “The Shining”, ai që influencoi një gjeneratë të muzikantëve eksperimentalë të rockut, ka vdekur të dielën në shtëpinë e tij në Krakovë.
Ai ishte 86 vjeç. Penderecki ishte i njohur si mjeshtër i kompozimit në Poloni për më shumë se një gjysmëshekulli dhe në gjithë këto vite ai nuk ishte ndalur. Siç shkruajnë kritikët, filloi në vitin 1960 me ide radikale që e kanë vendosur atë në avangardë dhe ndërkohë realizoi me dhjetëra kompozime duke përfshirë 8 simfoni, 4 opera një requiem dhe vepra të tjera korale si dhe disa koncerte që i ka përshkruar si gati të pamundura për t’u luajtur.
Në mesin e atyre që ia dolën ishin violinistja Anne-Sophie Mutter dhe violonçelisti Mstislav Leopoldovich, të cilët me incizimet e koncerteve të cilat ai i kompozoi për ta, fituan “Grammy Awards” më 1999, respektivisht më 1988. “Ka vdekur Beethoveni i kohë sonë”, ka thënë për KOHËN kompozitori i njohur Mendi Mengjiqi, autori i himnit shtetëror të Kosovës.
Mengjiqi pati fatin të ishte në mesin e studentëve të cilët studimet pasuniversitare i përfunduan te kompozitori Penderecki. “Pa dyshim është kompozitori dhe reformatori më i madh i muzikës në gjysmën e shekullit XX e deri në shekullin XXI. Ka sjellë risi të mëdha në muzikë, si për atë avangarde e po ashtu edhe rikthimin me neo-romantizëm.
Personalisht kam qenë me fat që kam pasur mundësinë të studioj me të, pasi që ai ka qenë shumë i zënë me kompozime dhe ka pasur shumë kërkesa për të”, ka thënë ai. Mengjiqi së fundi e kishte takuar profesorin e tij, në nëntor të vitit të kaluar. E kujtimet që ai i ka me profesorin e tij janë të shumta.
“Nëse nuk ke dhunti për muzikë askush nuk mundet të të bëjë kompozitor”, kujton që t’i ketë thënë profesori i tij. “Ka pasur besim në mua si kompozitor dhe sa kam qenë atje kam kompozuar disa vepra që kanë bërë jehonë. Falë vlerësimit si student i dalluar në maj të vitit 1999, më është kërkuar që të kompozoj një vepër për 600-vjetorin e Akademisë së Krakovës”, ka thënë Mengjiqi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.