Prishtinë, 17 qershor – Kodrat afër me gjelbërimin e muajit qershor, amfiteatri te pishina e “Gërmisë” dhe perëndimi i diellit mund të jenë fare lehtë prapaskena idilike e një koncerti filarmonik. Por kësaj radhe “Gërmia” ishte logu i adhuruesve të muzikës rock dhe heavy metal, që për thuajse shtatë orë të çmendura shijuan atmosferën e elektrizuar të disa bendeve.
Nëse në fillim të viteve ’90 në shtypin e kohës kishte polemika për rock-muzikën, Prishtina, njëzet vjet pas çlirimit, u bë nikoqirja për herë të dytë e koncertit, që bën bashkë gjithë komunitetin e dashamirëve të këtij zhanri. Koncerti i njohur i rockut, “Metal United World Wide”, të shtunën mbrëma në Prishtinë u bë pjesë e aktiviteteve që shënuan 20-vjetorin e çlirimit të qytetit të Prishtinës. Megjithëse filloi me rreth një orë vonesë për shkak të problemeve teknike, entuziazmi i të pranishmëve nuk dukej i zbehtë. Organizatori Artan Balaj ka thënë se përgatitjet për këtë koncert kanë filluar prej afro një viti.
“Gjatë kësaj kohe jemi marrë me përzgjedhjen dhe kontaktimin e bendeve, por në përgjithësi organizimi ka shkuar mirë”, ka thënë ai. Rock-këngëtari nga Tirana, Eugent Bushpepa ishte “highlight”-i i koncertit ashtu sikurse edhe “Jericho”, krahas mysafirëve “Sunchair” nga Düsseldorfi. “Harmed” nga Budapesti ka munguar. Edhe bendet “4×4”, “Land of Confusion”, “Frisson”, “Krieg”, “Sotap” dhe “Shlem” bënë që atmosfera të ishte e elektrizuar. “Ç’është ai gjog kuq e i bardh, nga beteja sjell haberin, mes për mes bjeshkës i bie, fill i vetëm pa luftëtarin”, kane qene vargjet e njërës nga këngët e mysafirit nga Tirana, që çmendi adhuruesit e mbledhur në amfiteatrin e “Gërmisë”. Është kënga “Jakup Ferri” e Arif Vladit, e cila e shndërruar në versione hard-rock e heavy-metal ka vite që nuk mungon në repertorin e këtij zhanri.
Renuar Locaj, fotograf nga Tirana, ka thënë se ka udhëtuar në Prishtinë vetëm për të parë Eugentin.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")
-
“Erdhlezeti” rikthehet në ritëm me energjinë e muzikës që bashkon
-
Ritëm e këndim njëzëri nga publiku në koncertin e Adamsit
-
Skena e Prishtinës në pritje të Bryan Adamsit për një natë të paharrueshme
-
Opera me aranzhime për dy piano kulmon me vepra shqiptare
-
Epopeja e UÇK-së, një harmoni tradite që frymon liri