Kulturë

Kristaq Mitro – regjisori i filmave të papërsëritshëm

Kur flitet për filmat e punuar nga kinostudio “Shqipëria e re”, emri i tij është i pashmangshëm. Qe prej regjisorëve që la gjurmë në kohën kur filmat i përmbaheshin realizmit socialist. Për veprat e tij, Kristaq Mitro është vlerësuar nga kolegë e institucioni. Regjisori i njohur vdiq të hënën në Austri. Ai ishte 77 vjeç.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë kolegu e miku i tij, aktori e regjisori Mevlan Shanaj.

Kristaq Mitro është regjisor i 12 filmave shqiptarë shumë të njohur. Kishte provuar veten edhe si skenarit. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në arena të ndryshme filmike në botë.

Pos të tjerësh, disa prej filmave të tij të njohur janë: “Kur zbardhi një ditë”, “Tokë e përgjakur”, “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Telefoni i një mëngjesi”.

Si bashkëregjisor me Ibrahim Muçajn, më 1979 do të realizonte një prej filmave më të njohur shqiptarë, “Liri a vdekje”, duke i bërë një prezantim kinematografik heroit Çerçiz Topulli dhe çetës së tij. Skenat e këtij filmi do të shndërroheshin në skena kulti për shumë prej shikuesve të filmave shqiptarë.

Miku i Mitros, Mevlan Shanaj, e ka vlerësuar atë si një profesionit të zotin.

“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë, në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universitetin e Arteve, në Degën e Regjisë së Filmit. Ike duke mbetur në ekranin shqiptar si regjisor veprash me sukses të pakontestuara! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve”, ka shkruar ai në Facebook. Mitro mbante titullin “Artist i Merituar” dhe midis të tjerash ishte edhe pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë iu ka shprehur ngushëllime miqve dhe bashkëpunëtorëve për humbjen e regjisorit dhe artistit të merituar Kristaq Mitro.

“Në karrierën e tij shumë të suksesshme, ai qe autor dhe bashkautor i mbi 17 dokumentarëve dhe filmave artistikë, për të cilët u vlerësua ndër vite me disa çmime në festivalet kombëtare të filmit. Ai është nderuar gjithashtu me medaljen ‘Naim Frashëri’ (1979) dhe mbante titullin “Artist i Merituar“ (1987)”, ka njoftuar Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Sipas njoftimit, Kristaq Mitro ka qenë disa here anëtar i komisioneve të Miratimit të Projekteve apo Vizionimit pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

“Për imazhet e dashura për shqiptarët në filmat si ‘Apasionata’, ‘Duaje emrin tënd’, ‘Dimri i fundit’, ‘Njeriu i mirë’, ‘Nusja dhe shtetrrethimi’, punën si pedagog me disa breza kineastësh të rinj, dhe anëtar aktiv i komunitetit të kineastëve, kontributi i tij në kinematografinë shqiptare do të mbetet i paçmuar”, shkruhet në njoftimin e QKK-së.