Kulturë

“Kosovarja Këndon” mban ritmin për 50-vjetor, e çakorduar nga financat

Kur po mbush gjysmëshekulli, “Kosovarja Këndon” përballet me krizë organizative. Kjo për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe të objektit ku instrumentistët mund të mbajnë provat në mënyrë të denjë. Ndërkaq provat kanë nisur në Galerinë e Arteve në Ferizaj dhe sivjet do të prezantohen 18 zëra të rinj

Ka histori e traditë. Për shumë vjet ka dhënë mesazhin e kultivimit të muzikës së mirëfilltë shqipe. Vlerat i ka çuar përpara me zërat e vajzave e grave duke siguruar emancipimin e tyre muzikor. Pikënisja: viti 1972. Ka bërë nam edhe me artistët, të cilët kanë interpretuar në skenën e tij. E po njësoj edhe prej emrave që e kanë udhëhequr.

Në të gjallë, Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, vetë ua ka përcjellë laureateve të përvitshme çmimin special që mban emrin e saj. Në vitin 2018 edhe ka interpretuar në skenë. Ndërkaq për vite me radhë festivali ka pasur udhëheqës artistik kompozitorin e njohur Fahri Beqiri, me kontribut 40-vjeçar për Festivalin.

Mirëpo, atëherë kur po mbush gjysmë shekulli, “Kosovarja Këndon” përballet me krizë organizative. Kjo për shkak të dy shkaqeve: mungesës së mbështetjes financiare dhe të objektit ku instrumentistët mund të mbajnë provat në mënyrë të denjë.

Por tash e gati një javë nga Galeria e Arteve në Ferizaj dëgjohen tinguj që krijohen nga ansambli “Kastriotët”, i cili ka rrugëtuar çdo vit me Festivalin. Sivjet orkestrimin e jetëson Fitim Bytyçi, ndërkaq përkrah instrumentistëve çdo vit dëgjohen zëra të ndryshëm, secila me veçantitë e veta vokale. Kriteret kanë qenë të qenit mbi moshën 18-vjeçare dhe këndimi i një kënge popullore.

Sivjet 35 kandidate janë përzgjedhur në rrethin e parë, teksa tashmë 18 prej tyre janë vendosur që të performojnë në vitin e 50-të të organizimit. Vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, teksa ka pjesëmarrje edhe nga Presheva. Secila nga to kanë zgjedhur këngë prej më të ndryshmeve, duke siguruar që koncerti i datës 25 nëntor – në vigjilje të Ditës së Flamurit – t’i ngjajë një rrugëtimi muzikor në pasuritë popullore.

Ato po bëhen gati për të garuar për pesë çmimet e Festivalit, tri çmimet e para, çmimin e mediave lokale të Ferizajt dhe çmimin simbolik “Nexhmije Pagarusha”, i cili edhe cilësohet si trofeu i Festivalit.

Jetësimi i sivjetshëm po has në vështirësi për shkak të mosmbështetjes së Festivalit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pavarësisht traditës së organizimit.

Drejtori i “Kosovarja Këndon”, Astrit Mustafa, ka thënë se Festivali ekziston në bazë të vullnetit të artistëve ferizajas.

“Mbështetja nuk na ka munguar, por asnjëherë s’ka qenë e bollshme. Po përpiqemi ta mbajmë, është festival 50-vjeçar. E kanë për lakmi ta kenë vendet e tjera, ja që po e mbajmë, por me shumë sakrificë”, ka thënë Mustafa, i cili jep mesazhin që “Kosovarja Këndon” s’duhet të përfundojë si “Akordet e Kosovës”.

Për çmimin special “Nexhmije Pagarusha”, Mustafa ka potencuar se laureatja duhet të ketë interpretim të shkëlqyeshëm.

“Ne kemi pasur fatin ta kemi edhe Nexhmije Pagarushën në skenë, në vitin 2018 edhe ka interpretuar. Ka qenë shumë e lumtur kur ka qenë në mesin tonë. Gjithmonë e kemi ftuar, kur ka pasur mundësi të jetë me ne, ajo vetë me dorën e vet e ka ndarë atë çmim”, ka kujtuar ai.

Një rikthim në retrospektivë e bën Mustafën të listojë të gjitha qëllimet e themelimit të Festivalit.

“Moto e festivalit ka qenë emancipimi i vajzave e grave shqiptare, të cilat kanë ardhur nga zona të thella rurale, regjione. Qëllim tjetër është ruajtja e traditës dhe këngës shqiptare, është punë që ne e bëjmë me shumë kënaqësi”, ka thënë ai.

Sabri Pajaziti, përgjegjësi për kulturë në Drejtorinë e Kulturës në Ferizaj, ka thënë se në 30 vjetët e fundit ka arritur qëllimin sidomos tek emancipimi i grave. “Por është këmbëngulës ta ruajë traditën e muzikës së mirëfilltë shqipe sidomos tash, kur ka lloj-lloj zhanresh”, ka thënë ai.

Për Festivalin që e cilëson si aset shtetëror, ka potencuar se sivjet vështirësitë në organizim janë më se të dukshme për shkak të mbështetjes së tij vetëm nga Komuna e Ferizajt.

“E dyta, mungesa e objekteve kulturore në Ferizaj të paktën në këtë vit, sepse disa janë në ndërtim e sipër”, ka thënë ai.

Pjesë e programit të sivjetmë është edhe dokumentari “40 vjet me Kosovaren”, i cili dokumenton gjithë rrugëtimin.

“Është moment i mirë për ta parë edhe një herë, sepse kanë kaluar shumë gjenerata dhe njerëzit që kanë qenë pjesë e dokumentarit disa s’janë në mesin tonë”, ka thënë ai.

Në mesin e zërave që garojnë për të parën herë në Festival sivjet është edhe 18-vjeçarja nga Drenasi, Melisa Maloku.

“Kam marrë pjesë në festivale të tjera me muzikë moderne, por kësaj radhe kam dashur të këndoj muzikë popullore edhe diçka më ndryshe. Kam aplikuar me këngën ‘Fërfëlloi fëllënza ime”. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë”, ka thënë Maloku.