Monodrama e Mentor Zymberajt, “Ëndrrat e Hamletit”, ka marrë çmimin për regjinë më të mirë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kajro të Egjiptit. Ka triumfuar në konkurrencë me 13 shfaqje të tjera. “Çmimi - Regjia me e mirë është ndër çmimet kryesore të Festivalit në ‘Cairo International Monodrama Festival’. Vlerësimi me çmimin kryesor të Festivalit është vlerësim i lartë profesional nga juria ndërkombëtare, është një përfaqësim dhe prezantim i denjë i artit kosovar dhe atij shqiptar në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Zymberaj
“Ëndrrat e Hamletit”, monodrama e aktorit dhe regjisorit të njohur, Mentor Zymberaj, ka marrë çmimin për Regjinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Kajro të Egjiptit.
Zymberaj u shpall fitues në mesin e 13 regjisorëve pjesëmarrës, nga Egjipti, Rumania, SHBA-ja, Gjermania, Iraku, Jordania, Arabia Saudite, Sudani, Siria, Ukraina e Holandën.
Suksesin në këtë festival Zymberaj e ka cilësuar si prezantim të denjë të artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Edhe
“Djali” me regji të Erson Zymberit fitues në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, sonte në emisionin “Express”
“Çmimi - Regjia më e mirë është ndër çmimet kryesore të Festivalit në ‘Cairo International Monodrama Festival’. Vlerësimi me çmimin kryesor të Festivalit është vlerësim i lartë profesional nga juria ndërkombëtare, është një përfaqësim dhe prezantim i denjë i artit kosovar dhe atij shqiptar në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Zymberaj.
Juria e festivalit përbëhej nga Usama Abu Taleb, regjisori gjerman, Matthias Gehrt, dhe artisti nga Omani, Talib al Balushi. Ndërkaq, Zymberaj ka shtuar se vlerësimet e larta për shfaqjen erdhën jo vetëm nga juria, por edhe nga kritika e Festivalit, mediat e Kajros dhe të mbarë Egjiptit.
“The Cairo International Days for Monodrama Festival” ka organizuar këtë vit edicionin e pestë me radhë, i cili u mbajt nga 12 deri më 16 shtator. Në këtë edicion ai nderoi aktorin egjiptian Khaled Saleh.
“Ëndrrat e Hamletit” bazohet në veprën e Shakespeareit “Hamleti, Princi i Danimarkës”. Tekstin e ka shkruar Nina Mazur, ndërsa regjia dhe interpretimi nga Mentor Zymberaj. Skenografinë e ka realizuar Zeni Ballazhi, kompozitor i muzikës është Andin Randobrava, ndërsa disenjator i dritave është Skender Latifi.
Gjatë interpretimit, në formë të pikëpyetjeve që Hamletit i sillen në kokë, nga prapaskena dëgjohen edhe disa zëra të cilët interpretohen nga aktorët: Selman Lokaj, Igballe Qena, Veton Osmani, Dora Xhemajli, Edlir Gashi, Ermal Sadiku, Andin Randobrava, Valmir Krasniqi dhe Mikel Markaj.
“Ëndrrat e Hamletit” është vlerësuar edhe me çmime të tjera nga festivale të vendeve të ndryshme si: Ukraina, Rumania, Bullgaria, Rusia, Egjipti, Maqedonia, Armenia, Moldavia, Kosova e të tjera.
“Ëndrrat e Hamletit” është realizim i shtëpisë teatrore filmike AKT dhe ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit “Dodona” dhe Komunës së Prishtinës.
Edhe
Festivali i Teatrove në Ferizaj – festë për skenën e mesazh për shoqërinë
Monodrama “Ëndrrat e Hamletit” do të shfaqet edhe në Aleksandri, në Festivalin Ndërkombëtar “Theater Without Fund”, i cili këtë vit organizon edicionin e 12-të me radhë e ku përfaqësohen dhjetëra shtete.