Kur vitin e kaluar u kthye prej Festivalit të Filmit në Cannes, në të cilin me “Rrugës” për të dytën herë i shpëtoi nga duart “Palma e Artë”, regjisori Samir Karahoda do të zbulonte se organizatorët e “festivalit të festivaleve” kishin një kërkesë të prerë prej tij: të rikthehej me film të metrazhit të gjatë. Nuk i është dashur më shumë se një vit, që t’i përgjigjet një kërkese si kjo. Ende pa ia vënë pikën skenarit, Karahoda rikthehet për të tretën herë në Cannes, tash me projektin filmik “Imazhe të humbura” që do të prezantohet në “Focus COPRO” në Marché du Film në Festivalin e Filmit në Cannes dhe kjo dëshmon besimin e këtij festivali dhe janë shenjat e suksesit potencial të filmit qysh në hapat e parë të tij
Emri i Samir Karahodës nuk është veç i njohur për alamet festivalesh botërore. Tash është edhe i besueshëm qoftë për një projekt filmik ende në hapat e parë. Se do të ketë sukses me debutimin e tij në film të gjatë, shenjat janë dhënë. “Imazhe të humbura” do të prezantohet në atë që njihet si “festival i festivaleve”.
Karahoda do të rikthehet në Festivalin e Filmit në Cannes me projektin i cili ende s’ia ka vënë pikën skenarit e në sheshxhirim pritet të dalë tek në mot. Lajmin e ka dhënë Qendra Kinematografike e Kosovës, e ka konfirmuar regjisori i cili ka folur edhe për peshën e prezantimit në ngjarjen e cila sivjet vjen me edicionin e 78-të prej 13 deri më 24 maj. Ka qenë viti 2023 kur nisi ta shkruajë skenarin. Në këtë proces ka bashkëpunëtor Baresh Karamuçon.
“Pas sukseseve me filmat ‘Pa vend’ (2021) dhe ‘Rrugës’ (2024), me të cilët u përzgjodh dy herë në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit në Cannes – një arritje që e bën atë një nga regjisorët e paktë në botë me këtë sukses – regjisori Samir Karahoda tashmë nis rrugëtimin e tij të parë në metrazh të gjatë me projektin ‘Lost Frames’”, ka shkruar QKK-ja në njoftimin e afishuar në Facebook. Po aty shkruhet se projekti i parë i metrazhit të gjatë nën regji të Karahodës, i përkrahur nga QKK-ja si projekt në zhvillim, “është përzgjedhur për të marrë pjesë në ‘Focus COPRO’ 2025, në kuadër të Marché du Film në Festivalin e Filmit në Cannes.
Marché du Film që është Tregu i Filmit në Cannes, është një treg vjetor për filma dhe një nga tregjet më të mëdha të filmit në botë, themeluar në vitin 1959, e që mbahet në kuadër të festivalit. Aty takohen përfaqësues industrish filmike nga të katër anët e botës dhe konsiderohet jo vetëm si një dritare për kinematografinë por edhe urë lidhëse për bashkëprodhime.
“Që nga viti 2018, ‘Focus COPRO’ është pjesë e programeve kreative te Festivalit të Cannes që synojnë të përkrahin dhe nxjerrin në pah regjisorë me potencial të fortë, duke mbështetur prezantimin e projekteve të tyre të para të metrazhit të gjatë para vendimmarrësve kyçë të industrisë globale të filmit”, ka shkuar QKK-ja.
Samir Karahoda është me potencial të fortë dhe si i tillë ka dalë në pah edhe në këtë festival dhe jo vetëm. “Lost Frames”, siç ka konfirmuar QKK-ja, është një ndër shtatë projektet internacionale që do të prezantohen këtë vit.
“Besojmë se ‘Lost Frames’ do të përfitojë nga mundësitë që ofron ‘Focus COPRO’, duke e bërë këtë përfshirje një pikënisje të rëndësishme për hapat e ardhshëm të projektit”, ka shkuar institucioni më i lartë kinematografik në vend.
Cannes është stacioni i parë që “Imazhet…” prezantohet publikisht. Samir Karahoda, në përgjigjet për KOHËN, të enjten vonë, ka thënë se ka peshë për disa arsye.
“Së pari, dua ta falënderoj Festivalin e Cannes për këtë iniciativë që ka për qëllim mbështetjen e regjisorëve me potencial dhe hapjen e mundësive ndërkombëtare për ta. Kjo është hera e parë që projekti ynë prezantohet publikisht dhe fakti që ndodh pikërisht në një platformë të tillë është një mundësi shumë e mirë dhe konkrete për të ecur përpara. Festivali ka përzgjedhur shtatë projekte që do të prezantohen përpara profesionistëve me ndikim global, dhe ne do të kemi mundësinë të ndajmë vizionin tonë, si në aspektin artistik, ashtu edhe në atë realizues”, ka thënë Karahoda.
Sipas tij, për një film që vjen nga një vend me industri të vogël kinematografike, përfshirja në një platformë si kjo është një konfirmim se historia që duan të tregojnë ka potencial ndërkombëtar.
“Është një inkurajim i madh dhe dëshmi se jemi në rrugën e duhur që projekti ynë ka mundësinë të komunikojë me publikun kudo në botë”, ka thënë Karahoda.
Sipas sinopsisit, me një ngjarje të vendosur në Kosovën e pasluftës, “Imazhe të humbura” ndjek historinë e Sherifit, një kameraman dasmash dhe varrimesh, jeta e të cilit fillon të shpërbëhet pasi humb pamjet nga një dasmë madhështore. Ajo që fillon si një gabim teknik, shndërrohet në një rënie më të thellë personale dhe shoqërore.
Por, nuk është ky mesazhi që përcjell. Ai është universal siç bën mjeshtërisht Karahoda me krejt projektet filmike të dëshmuara tashmë. “Imazhet...” pritet të jetë një fiksion/dramë 120-minutëshe, producent është Yll Uka nga “Ikonë Studio”. Kosova do të jetë sheshxhirimi.
Karahoda pret që fokusi në “Focus COPRO” të jetë ai që i përgjigjet frymës së projektit.
“Së pari është rast i mirë për të promovuar projektin, po ashtu mundësi të krijojmë lidhje të reja me bashkëpunëtorë të mundshëm, si producentë apo partnerë ndërkombëtarë që e kuptojnë dhe ndajnë vizionin tonë”, ka thënë ai duke shtuar se edhe më herët kanë pasur të interesuar për bashkëprodhim, sidomos nga Franca.
“Por kjo është një mundësi shumë më e madhe për të gjetur bashkëpunëtorë që i përshtaten frymës dhe konceptit të filmit tonë dhe mbi të gjitha, që janë të përkushtuar ndaj projektit”, ka thënë ai.
Aktualisht, “Imazhe të humbura” është në fazën e zhvillimit të draftit të ri të skenarit.
“Kohët e fundit po punojmë intensivisht për të finalizuar një draft të ri që do ta ndajmë me konsulentët për të marrë komentet dhe mendimet e tyre. Paralelisht, kemi zhvilluar takime me produksione të ndryshme dhe aktualisht Gjermania është tashmë një nga bashkëprodhuesit e konfirmuar në projekt”, ka thënë ai.
Karahoda ka ndarë ekskluzivisht me KOHËN një poster promovues të projektit. Vetëm një imazh nga “Imazhe të humbura”, mjafton që të hetohet dora unike e Karahodës, i cili ka bërë histori në kinematografinë e vendit.
Ka qenë maji i vitit të kaluar, kur Karahoda e kumtoi vendimin për film të metrazhit të gjatë. Sapo ishte kthyer nga Cannes, ku për të dytën herë me “Rrugës” qe në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë”, madje edhe favorit për çmimin e madh të cilin e rrëmbeu “Njeriu që s’mund të qëndronte i heshtur” i regjisorit kroat, Nebojsha Slijepçeviq, e fituesi absolut ishte filmi amerikan “Anora” i Sean Bakerit. Më 2021, me filmin e tij “Pa vend” për herë të parë e futi Kosovën në garë për çmimin e madh, i shpëtoi edhe asokohe, por filmi pati një alamet suksesi duke u shfaqur në njëqind shtete e duke rrëmbyer çmime, tri prej pesë top-festivaleve botërore.
Organizatorët e Cannes vjet patën një kërkesë të prerë për Karahodën. E asaj ai i përgjigjet hiç më larg se sivjet.
“Kam marrë komente si: ‘Mos na dërgo më filma të shkurtër, po e presim filmin e gjatë, dhe kjo pak të jep përgjegjësi. Është një sfidë e re”, kishte zbuluar Karahoda në majin e vjetëm, përderisa fill po punonte për debutimin e tij në film të metrazhit të gjatë.
“Pas prezencës sonë në Cannes, edhe nga hera e kaluar, por këtë herë kam parë interes më të madh sidomos nga produksionet nga Franca dhe jam në kontakt me disa produksione në SHBA, por ato ia kam lënë kohës, sepse kam punë shumë me përgatitjen e projektit të ardhshëm dhe normalisht që duhet t’i shqyrtoj secilën dhe besoj do të jetë një projekt shumë më i madh dhe pritjet janë më të mëdha”, kishte thënë Karahoda duke e cilësuar sfidues filmin e gjatë që kërkon “më shumë kohë, me shumë angazhim, më shumë njerëz”.
“Sa më shumë njerëz që ke, aq ma shumë probleme dhe nuk kam përvojë në punë me ekipe të mëdha. Format se si i punoj filmat, janë me ekipe sa më të vogla me sa më pak njerëz që të funksionojë ashtu siç punoj, por do t’ia lëmë kohës...”, kishte thënë Karahoda. E koha tashmë ka ardhur.
Historia tek “Imazhe të humbura”, siç shkruhet në sinopsis, eksploron në mënyrë të qetë temat e kujtesës e migrimit, dhe tregon shkatërrimin e ngadaltë të besimit, drejtësisë dhe shpresës për të ardhmen.
Por rrugëtimi i projektit që në hapat e parë, është antonimi: në të ka besim edhe një alamet festivali sikurse ai i Cannes dhe kjo dëshmon se filmi do të ketë të ardhme të ndritur.
Lexo edhe: